
Paralelisht me rrugëtimin e saj letrar, gjatë këtij viti krijimtaria pamore e Lulzime Malajt përfaqësohet në dy projekte ndërkombëtare: në Lisbonë, me një vepër në zhanrin e natyrës së qetë, dhe në Itali, me portretin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Për autoren, këto zhvillime përbëjnë një etapë të veçantë në rrugëtimin e saj krijues, ku letërsia dhe piktura ndërthuren dhe krijimtaria shqiptare gjen hapësira të reja komunikimi përtej kufijve.

Vepra është përzgjedhur në kuadër të edicionit të dytë të konkursit ndërkombëtar të pikturës “Luigi Amato – Expo Arbëria”, për t’u ekspozuar gjatë viteve 2026–2027. Ajo është ekspozuar në Pinotekën e pallatit historik Palazzo Luci, në qytetin Spezzano Albanese, Kozencë. Ky rajon është një nga qendrat e rëndësishme të ruajtjes së identitetit, kulturës dhe historisë arbëreshe në Italinë e Jugut.
Piktura e Lulzime Malajt sjell një interpretim personal të figurës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Përmes një punimi të realizuar me përkushtim, artistja ka synuar të përcjellë figurën e tij si një udhëheqës vizionar, të fortë dhe plot dinjitet. Vepra përcjell një prani të fuqishme dhe synon të krijojë një komunikim të drejtpërdrejtë emocional me shikuesin.
Sipas njoftimeve të organizatorëve, MNA – Manifestazione Nazionale Arbëresh dhe shoqata “Regno d’Arbëria”, krahas ekspozimit fizik në hapësirën e re kulturore Lab Arbëresh, pritet të botohet edhe katalogu zyrtar i këtij edicioni. Projekti synon të shërbejë si një urë lidhëse kulturore midis Shqipërisë dhe diasporës historike arbëreshe. Pas fazës së parë në Kalabri, organizatorët parashikojnë që ekspozita të vijojë edhe në komunitete të tjera të rëndësishme arbëreshe në Pulia dhe Sicili.