Arben Iliazi
Asimetria e vjeshtës në krijimet e dy poetëve dhe profesorëve të njohur, Islamaj dhe Llojdia
Asimetria e vjeshtës është një metaforë e fuqishme që simbolizon çekuilibirin shpirtëror, kalimin tranzitor dhe thyerjen e harmonisë së natyrës apo të ndjenjave njerëzore.

Vjeshta në letërsi është simboli universal i pjekurisë dhe i impulseve libidike.
Shefkije Islamaj dhe Gëzim Llojdia janë dy poetë dhe profesorë të njohur në botën mbarëshqiptare të letrave, por edhe të studimeve albanologjike. Islamaj në fushën e gjuhësisë, ndërsa Llojdia në atë të arkeologjisë dhe studimeve historike. Shpesh në deklarimiet e tyre poezinë e konsiderojnë thjesht pasion, por unë e kam thënë që janë poetë të mirëfilltë dhe me ndjeshmëri të veçantë. Poezia e tyre, e veshur me një aureolë romantizmi dhe me lirizëm filozofik, ka identitet, pasi nuk rreket të krijojë efekte në kuadret e universeve, por i flet shpirtit me energjinë e natyrës dhe instikteve të jetës, duke depërtuar në thelbin e njeriut. Ky refleksion u nxit nga poezitë e tyre për vjeshtën, të sapublikuara në rrjetet sociale.
Tek poezia “Iku dhe kjo verë ”, një lirikë e ndjerë peizazhi, me thelb filozofik, Shefkije Islamaj pranon natyrshëm evolucionin e stinëve, si një nga metaforat më të fuqishme dhe universale për pranimin e ciklit të jetës, kalimit të kohës dhe pashmangshmërisë së ndryshimit. Poetja nuk e përshkruan vjeshtën thjesht si dukuri atmosferike, ajo përfaqëson gjendjen shpirtërore dhe fazat e ekzistencës njerëzore.

Poezia “Iku dhe kjo verë ” simbolizon heqjen dorë nga gjërat që nuk na shërbejnë më dhe pranimin e dhimbjes apo humbjes si pjesë natyrale të rritjes. Kjo tregon një pjekuri shpirtërore ku njeriu nuk lufton kundër rrjedhës së kohës, por bashkëudhëton me të. Poetja Islamaj e sublimon vjeshtën, procesin ku ndryshimet fizike të kësaj stine (rënia e gjetheve, zbehja e natyrës, ftohtësia) shndërrohen në përvoja të larta shpirtërore, filozofike dhe artistike. Poezia shpreh koncepte më të thella njerëzore, duke iu referuar bashkimit natyror me këtë stinë të begatë dhe kapricoze, “me re, mjegull, erë e shi”. Luhatjet e motit, shirat e papritur, Dita që shkurtohet, nata që zgjatet, gjethet që bien, errësira që shtohet, luhatjet e motit, përfaqësojnë luhatjet emocionale dhe goditjet e paparashikueshme të fatit ku “njeriut s’i mbetet tjetër pos t’i bindet si gjithnji”. Kultura e bindjes ndaj kapriçiove të vjeshtës tregon një urti shpirtërore, pasi simbolizon pranimin filozofik të ndryshimit, kalueshmërisë së kohës dhe melankolisë që shoqëron ciklet e jetës. Ajo përfaqëson një gjendje shpirtërore ku njeriu nuk lufton kundër humbjes apo zbehjes, por dorëzohet me dinjitet përpara ligjeve të natyrës.
***
Në tjetër përmasë semiotike vjen poezia e Gëzim Llojdisë “Vjeshtë ”. Me vargun “Zogjtë e zinj në pikiatë”, Llojdia imazhin e vjeshtës e lidh me shkretimin, me braktisjen ku “fushat dhe traktorët nxijnë ”, ku vjetshta, otnogjenetikisht zhvendoset në rrafshin filozofik, ekzistencial dhe shpirtëror në dhomën e dhimbjes së poetit. Vjeshta pa njerëzit dhe frymorët e tjerë , me “parmendat e flakura dhe shegët e çara”, vizatohet si një fosil ku evolucioni i njerëzve dhe gjallesave duket të jetë një proces i pavazhdueshëm. Kjo inerci regresive e jetës njerëzore dhe organike “Natë që s’e tret ditën”, me “Zemra të thyera nga koha”
dhe “me hingëllima mushkash” e “bajame të hidhura”, përafron me instiktin antievolucionist, në gjithë ngrehinën filogjenetike të kujtesës kolektive dhe trashëgimisë shpirtërore të qenies njerëzore, që përulet para parimit të realitetit. Megjithatë poeti, me vargun e fundit “Dëbora mbërrin pas heshtjes së gjatë”, thekson domosdoshmërinë e zhvillimit biologjik. Ardhja e dëborës, në kuptimin metaforik, simbolizon një fillim të ri, që mbulon dhe pastron gjithçka nga e kaluara.
IKU DHE KJ0 VERË
Iku edhe kjo verë me shumë vapë e flak’,
vjeshtës ia dorëzoi pushtetin pa bërë lak
sa nga lodhja, sa nga faji, pa i hyrë në hak,
ia shtriu dorën kokulur, e mërzitur, jo pak.
I shkoi mendja te lulet e vyshkura shpejt,
te kurorat e pemëve e bari i zverdhur lehtë,
te trëndafilat e egër, të kuq, varë n’rrethoja,
o, sa shpejt do të kthehen në ferra e baroja.
Vjeshta nis të krekoset me ato që vera fali,
aq dorëlirë, nga ara, kopshti, livadhi e mali.
U mbushën hambarët, koshat e tryezat tona,
Ato të tjerat do t’i ndiejmë e shohim tevona.
Pa vonuar mori fronin, futi n’rend ligjin e vet,
shkurtoi ditën, zgjati natën, ftohu tokë e det,
Bëri gati edhe qiellin për re, mjegull, erë e shi,
njeriut s’i mbetet tjetër pos t’i bindet si gjithnji.
Shefkije Islamaj
Vjeshtë
1.
Shegët e vjeshtës tundin degët.
Shtëpia me plloça.
Muret me gurë.
Kanata prej druri.
Borzilokët e tharë.
Stiva e drurëve anuar.
Tymtari anuar.
Juga e bardhë.
Juga e lehtë.
Aromë ëmbëlsie.
Mjegulla e bardhë.
Ngre perde bukurie.
Një lumë teposhtë.
Shenjtor mrekullie.
Ecën vërtik.
Diçka po rrjedh në zemrën time.
2.
Shegët u çanë.
Pëllumbat kruajnë sqepin.
Zogjtë shtegtarë
mbledhin thërrime.
Fushat nxijnë.
Kthyer ugar.
Kuajt e lodhur.
Kallamet e thyer.
Traktorët e nxirë.
Qetë, dy e nga të prangosur.
Thasët e çarë me farë.
Thekra në arë.
Gratë bëjnë shtiza.
3.
Përrua, që rrjedh.
Muzikë me valë.
Dhi të zgjebosura.
Një nga një e ngadalë.
Bishtin përpjetë.
Thundrakët vrapojnë.
Baltosur rrugët.
Parmenda e flakur.
Zemra të thyera nga koha.
Mullar i lartë.
Shpendët kruajnë pendët.
Bajame të hidhura.
Vajtushëm nga era.
Zogjtë e zinj në pikiatë.
Macet presin lëkurët.
Këcellët e tharë.
Vjeshtë ngjyrë bakri.
E tretur vjeshta.
Ora e humbjes.
Fjolla e hirit.
Rruga në qiell.
Mushkat hingëllijnë.
Nuset bëjnë velenxa.
Nata se tret ditën.
Yll, që ndjek.
Ora 8.30.
Radioposta.
Lajmet.
Mot i thatë.
Dëbora mbërrin pas heshtjes së gjatë.
Gëzim Llojdia.