BIJTË E BIJAT E SHQIPES SONË 
Zemra po më dhemb kur shoh se si policia ju dhunon.Ata nuk e dinë se ne jemi trima. Nuk e dinë se ne jemi shqiponja. Nuk e dinë se ne duam të jetojmë të lirë. Nuk e dinë se shpirti ynë nuk mban më!
Jemi lodhur nga përbuzja.Jemi lodhur nga vjedhjet dhe talljet.
Jemi lodhur duke u ndier të huaj në atdheun tonë, në Shqipërinë tonë.
Nuk lejojmë më që të na ndotin jetën, të na nëpërkëmbin dinjitetin dhe të na njollosin emrin!
Mjaft më me një jetë në të cilën kishim frikë të flisnim, ruheshim nga njerëzit, sepse prindërit tanë rrezikonin të humbnin vendet e punës apo bisnesin. Fëmijët na i larguan nga mëm Shqipëria.
Të ardhmen na e shkatërruan.Sa shumë dhimbje kanë kaluar emigrantët, sepse vendi i tyre i shtypi dhe i ndau të gjallë nga familjet e tyre! Sa prej tyre nuk patën mundësinë t’u thoshin lamtumirën e fundit njerëzve të dashur, kur ata u ndanë nga jeta!
Ah, shtet që na lëndove dhe na e plagose shpirtin nga brenda! Sot, ajo dhimbje e mbledhur ndër vite po shpërthen. Është zëri i një populli që ka vuajtur gjatë, që është përkulur, por nuk është dorëzuar.
Po digjemi çdo ditë nga brenda. Trupat na dridhen nga dhimbjet që kemi kaluar dhe nga ato që vazhdojmë të përjetojmë. Sepse plagët e një populli nuk shërohen duke i mbyllur sytë, duke i mbyllur gojën apo duke i shpërfillur.
Boll më! Mos i dhunoni bijtë dhe bijat tona, ata të rinj trima e të zgjuar që kërkojnë dinjitet, drejtësi dhe një të ardhme në vendin e tyre!
Mos ua shuani shpresën.
Mos ua thyeni ëndrrat.
Mos ua merrni të ardhmen.
Bijtë dhe bijat e Shqipërisë nuk meritojnë frikë. Meritojnë liri, dinjitet dhe një atdhe ku të ndihen krenarë se janë shqiptarë!
Sepse Shqipëria nuk është vetëm tokë. Shqipëria është gjaku ynë, kujtimet tona, familjet tona, sakrificat tona dhe shpirti ynë.Dhe shpirti i një populli që ka vuajtur kaq shumë nuk mund të heshtë përgjithmonë.
MJAFT MË! Për bijtë dhe bijat e shqipes sonë. Për dinjitetin, lirinë dhe të ardhmen e Shqipërisë.
Alisa Gjoni Mene
