Sokol Demaku

Pjesë nga libri im më i ri në gjuhën suedeze ”Örnens land”av mödrarnas tårar havet blir salt,”Atdheu i shqiponjave” Nga lotët e nënave deti u bë i njelmt, botuar nga Shtëpia botuese SolFörlag në Stockholm gusht 2026
BISEDË ME ZOTIN DAVID HELLSTEN
Misonar suedez në Durrës, Shqipëri
A mund të bëni një prezantim të shkurtër të vetes për lexuesit tanë?
Quhem David Hellsten. Kam lindur në Lund të Suedisë, por pjesën më të madhe të fëmijërisë e kam kaluar në Kramfors dhe Uppsala, prandaj nuk është edhe aq e lehtë të them se nga vij! Para se të nisesha për në Shqipëri, studiova në Stokholm, por kjo nuk më bën stokholmas. Bashkëshortja ime, Annette, është nga Anglia. Jemi njohur në Shqipëri dhe kemi trembëdhjetë vjet të martuar. Kemi dy fëmijë: Larën, nëntë vjeçe, dhe Simeonin, shtatë vjeç.
Në gjimnaz ndoqa degën e shkencave humane, ndërsa më pas studiova teologji për t’u bërë pastor në Seminarin Betel në Bromma, institucion që më vonë u bë Kolegji i Lartë Teologjik i Stokholmit. Aktualisht punoj si mësues i teologjisë në Durrës, Shqipëri.
Me çfarë merreni?
Për momentin jam mësues i teologjisë në Durrës, por formimi im është për pastor, pra për drejtues kishe.
Çfarë ju shtyu të vinit në Shqipëri?
Që në moshë të re kam pasur një dëshirë të fortë për t’i shërbyer Zotit si misionar, domethënë si predikues në një vend të huaj. Gjatë studimeve mora pjesë në disa fushata verore në vende të ndryshme, ndërsa në vitin 1992 kalova dhjetë ditë në Berat. Shqipëria më magjepsi dhe, kur përfundova studimet teologjike në vitin 1993, e ndjeva mjaft qartë thirrjen e Zotit për të ardhur këtu.
Sa kohë keni jetuar në Shqipëri dhe në Durrës?
Kam nëntë vjet që jetoj në Durrës, sigurisht së bashku me gjithë familjen. Por më parë, nga viti 1994 deri në vitin 1998, kam jetuar edhe në Lushnjë, në Myzeqe.
Me çfarë merreni në Durrës dhe si ndiheni atje?
Jam mësues në një shkollë teologjike që përgatit drejtues kishtarë, pra pastorë, për bashkësitë ungjillore në Shqipëri. Në përgjithësi ndihem shumë mirë. Jam i kënaqur me shërbimin tim dhe bëjmë një jetë mjaft të mirë, përveç rasteve kur ndërpritet energjia elektrike!
Fillimisht keni jetuar në Myzeqe. Çfarë bënit atje?
Po, në Lushnjë punoja me një grup të rinjsh misionarë për të themeluar një bashkësi ungjillore. Organizojmë takime kishtare, studime biblike nëpër shtëpi, takime publike e veprimtari të tjera.
Ju jeni i krishterë. Cili është misioni juaj në Durrës?
Në Durrës kam dhënë mësim në një shkollë teologjike, Institutin Biblik Shqiptar (IBSh), me qëllim përgatitjen e drejtuesve për kishat ungjillore. Gjatë viteve të fundit kam shkruar gjithashtu tri libra në gjuhën shqipe. I treti po botohet tani. Libri i dytë, Historia e krishterimit në Shqipëri, mund të jetë më interesanti për lexuesit tuaj.
Tani po largohemi nga Shqipëria dhe, në fillim të qershorit, do të shpërngulemi në Angli për të qenë më pranë vjehrrës sime. Ajo jeton e vetme, pasi bashkëshorti i saj ndërroi jetë një vit më parë, dhe po plaket. Prandaj e kemi për detyrë ta mbështesim — një detyrë që çdo shqiptar do ta kuptonte!
Ju vini nga Stokholmi, Suedi. Si jeni përshtatur me jetën në Shqipëri?
Në përgjithësi jam përshtatur mirë, por edhe pse kam jetuar në Shqipëri për pesëmbëdhjetë vjet, nuk jam bërë plotësisht shqiptar. Ne jemi një familje ndërkombëtare: unë jam suedez, bashkëshortja ime angleze, ndërsa fëmijët janë dygjuhësh, por janë rritur në Durrës. Kudo që të shkojmë, nuk do të jemi kurrë plotësisht vendas.
Megjithatë, tashmë e di si paguhen faturat dhe çfarë duhet bërë kur ikën drita. Dimë si t’i presim mysafirët me ëmbëlsira dhe diçka për të pirë, por jo me raki! E dimë gjithashtu se vizitat në raste vdekjesh dhe dasmash janë të rëndësishme, e kështu me radhë.
Por, nga ana tjetër, ne e filtrojmë ujin para se ta pimë dhe i rrisim fëmijët sipas standardeve tona. Për shembull, ata kanë orar të caktuar për të shkuar në shtrat, jo kur i zë gjumi para televizorit!
Ju jeni mësues i teologjisë. Cilat lëndë jepni në këtë shkollë teologjike në Durrës?
Jap mësim për libra të ndryshëm të Biblës, historinë e krishterimit dhe lëndë të tjera teologjike.
Në çfarë gjuhe jepni mësim? Sa mirë e flisni ju dhe familja juaj shqipen? A dini edhe gjuhë të tjera?
Unë flas dhe shkruaj rrjedhshëm shqip. Edhe bashkëshortja ime e flet mirë, megjithëse me një theks të dukshëm anglez. Vajza jonë flet si një durrsake, pasi ka ndjekur një vit shkollë në shqip. Djali kupton pak, por nuk flet shumë, sepse nuk ka pasur shumë shokë shqiptarë, ndryshe nga vajza, e cila ka shumë të tillë.
Si shkojnë marrëdhëniet tuaja me studentët shqiptarë, duke qenë i huaj në Shqipëri?
Në përgjithësi, gjithçka shkon mirë. E di se ata më respektojnë, sepse kam shumë vite që jetoj në Shqipëri, e flas mirë gjuhën dhe e kuptoj gjendjen e tyre, si dhe historinë e vendit. Për shembull, e di çfarë ndodhi në vitin 1997, sepse kam qenë vetë këtu në atë kohë.
A mund të na tregoni diçka për jetën tuaj në Durrës?
Paradite fëmijët mësojnë në shtëpi me mamanë, ndërsa pasdite vjen ndonjë shoqe e vajzës ose ndonjë shok i djalit. Shëtisim përgjatë Vollgës, në pjesën bregdetare të Durrësit, ose shkojmë për vizita. Jeta jonë është mjaft normale, të paktën për ne.
Si janë përshtatur fëmijët tuaj me jetën në Shqipëri?
Ata e konsiderojnë Durrësin shtëpinë e tyre. Kur u treguam se së shpejti do të largoheshim nga Shqipëria, të dy filluan të qanin. Për ta, jeta në Durrës është krejt normale, kështu që sfida kryesore do të jetë përshtatja me jetën në Angli.
Si ndiheni si i huaj, si suedez, mes shqiptarëve?
Ndonjëherë ndihem shumë i huaj, ndërsa herë të tjera pothuajse si vendas. Gjithçka varet nga situata. Shqiptarët i respektojnë të huajt, sepse i shohin si një lidhje me botën e jashtme. Për këtë arsye, unë nuk ndikohem shumë nga probleme si korrupsioni e të tjera të ngjashme.
A keni miq shqiptarë në Durrës? Si i keni marrëdhëniet me ta?
Po, megjithëse familja me të cilën kishim miqësinë më të ngushtë tani jeton në Kosovë, ndaj nuk takohemi shpesh. Një problem tjetër është se disa nga miqtë tanë nuk jetojnë në Durrës, sepse kanë ardhur këtu si studentë nga pjesë të tjera të Shqipërisë.
Çfarë perspektivash kanë studentët tuaj për të ardhmen, pas përfundimit të studimeve në shkollën ku jepni mësim?
Disa prej tyre janë tashmë drejtues kishash dhe marrin të ardhura nga puna misionare që kryejnë me përgjegjësi. Por shumë të tjerë janë po aq të pasigurt për të ardhmen sa edhe të rinjtë e tjerë. Shkolla jonë nuk u garanton studentëve një vend pune. Megjithatë, shumica dëshirojnë t’i shërbejnë Zotit dhe do të gjejnë mënyra të ndryshme për ta bërë këtë.
Sa i kënaqur jeni me studentët e rinj shqiptarë?
Disa e kanë të vështirë të përshtaten me sistemin tonë gjysmëperëndimor të mësimdhënies, i cili kërkon që studentët ta kuptojnë lëndën, jo thjesht ta mësojnë përmendësh. Ata nuk janë mësuar të kërkojnë informacion dhe ta sistemojnë atë, gjë që pasqyrohet në punimet e tyre, sidomos pasi shumë prej tyre nuk kanë pasur më parë arsimim të lartë.
Megjithatë, janë të zellshëm dhe dëshirojnë të mësojnë si ta zbatojnë dhe ta kuptojnë më mirë Biblën.
Çfarë do të dëshironit t’u thoshit shqiptarëve në përgjithësi?
Mos iu dorëzoni korrupsionit dhe lakmisë për para e pasuri. Shqipëria është më e pasur se kurrë më parë, por nuk besoj se njerëzit janë më të lumtur në zemër. Liria është diçka e mirë, por ai që bie në grackën e lakmisë — e cila mbizotëron në botëkuptimin perëndimor — nuk është i lirë, edhe nëse mendon se është. Vetëm Jezusi, i cili vdiq për të na çliruar nga lakmia dhe pasojat e tjera të mëkatit tonë, mund të na japë lirinë e plotë.
Dëshiroj të përmend gjithashtu se të dielën e Pashkëve, më 12 prill, u zhvillua në Tiranë një marshim i krishterë, ku morën pjesë mijëra shqiptarë dhe misionarë ungjillorë. Edhe ne morëm pjesë si familje. Ishte një përvojë shumë e bukur ta kremtonim në këtë mënyrë ringjalljen e Jezusit.