BOTË INTERESI
Ç’është bërë bota, o njerëz të dashur
Ku fjala peshon më pak se interesi,
ku miqësia matet me dorën e zgjatur,
e zemra tretet si mjegull mëngjesi?
U mbyll sa keq, dera e dashurisë,
u fik ngrohtësia nëpër pragjet
Uhap kanat më kanat porta e pabesisë
U mbush sofra plot me dhjetra halle
Dje shtëpia ishte plot me miq.
Ngrihej dollia, shpirti qeshte
Të gjithë ndanim bukë e kripë.
Mirësia rrinte mes zemre.
Sot dera rri mbyllur në heshtje.
S’ka kush troket, s’ka kush kujton,
Veç kur i duhet diçka pas dere,
papritur telefoni kumbon.
Sa na ftohu kjo botë e marrë!
Sa shpejt u tret shoqëria jonë!
Dikur vinte miku për një fjalë,
sot vjen vetëm kur ka nevojë.
Dikur një kafe e vetme mjaftonte,
një fjalë, një dorë mbi supe brezash.
Sot miqësia e vërtetë vihet në peshore
Matet me fitime llogari të fshehta.
E megjithatë, unë s’dua të ndryshoj,
As zemrën dhe trupin nuk dua ta bëj gur;
Do mbetem njeri i mirë gjithmonë
Nuk dua që në një turmë të humb
Le të mbetet e hapur porta e zemrës.
për atë që vjen me zemër në gji.
Aty është pasuria më e madhe e jetës.
Nuk është tek shporta e mbushur me fiq.
E duam një mik që vjen pa interes.
Një dorë që të ngrihet kur rrëzohesh.
Një zemër që të qëndron dhe më pranë.
edhe atëherë kur nuk do të dorëzohesh.
Tiranë 23 shtator 2026
Autori Silvana Çekiçi Rodi
