Prof. asoc. dr. Bernard Zotaj

Malli që rritet çdo vit…
Ilmi Qazimi nga Çepani i Skraparit, çdo vit më 17 janar dhe 12 maj, përjeton një ndjesi të dyfishtë: gëzim dhe dhimbje. Janari shënon ditëlindjen, ndërsa maji ditën e ndarjes nga jeta të vëllait të tij, ing. Latif Sali Fodulli. Në këto dy data, “brenga” e mungesës rritet e thellohet, duke u shndërruar në një plagë të heshtur që nuk mbyllet kurrë.
Që prej 12 majit të vitit 1967, vëllai jeton me kujtimin e vëllait, një kujtim që nuk shuhet, por rrënjoset gjithnjë e më fort. Edhe këtë vit, më 17 janar, ai përkujtoi 86-vjetorin e lindjes së Latifit, mes një malli të gjatë, që vitet nuk arrijnë ta fashitin.
Në këto dekada nuk kanë munguar shkrimet, vlerësimet dhe dëshmitë për të riun 27-vjeçar, që u nda nga jeta krejt papritur, duke lënë pas jo vetëm një familje të pikëlluar, por edhe një dhimbje kolektive për Çepanin dhe për mbarë rrethin shoqëror e profesional ku ai u formua.
Latifi dhe Vlora – një lidhje shpirtërore
Mes shumë materialeve, dokumenteve dhe fotografive që Ilmi Qazimi ruan me kujdes për vëllanë, vëmendjen e tërheqin veçanërisht ato që lidhen me periudhën e qëndrimit të Latifit në Vlorë. Fotografi, shënime dhe poezi kushtuar Himarës e detit dëshmojnë një lidhje të thellë shpirtërore me këtë qytet.
Vlora, me detin, ajrin, malin dhe perëndimet e saj, e magjepsi të riun e ardhur nga Skrapari. Ai nuk ngopej kurrë me bukuritë e natyrës, por edhe me punën ndërtimtare për ngritjen e fabrikave në shërbim të popullit. Gjatë kohës së studimeve në Shkollën Unike, duke banuar në konviktin e Ujit të Ftohtë, Latifi krijoi një gërshetim të bukur shpirtëror mes maleve të Skraparit dhe hapësirave detare të Vlorës.
Edhe pas largimit nga jeta, lidhjet e tij me Vlorën vazhduan përmes njerëzve, emrave vlonjatë dhe projekteve ku kishte lënë gjurmë, si ai i kompleksit të fabrikës së Sodës Kaustike, përfunduar në vitin 1968, kur Latifi tashmë “jetonte dhe fliste me yjet”.
Formimi dhe profili i një talenti të rrallë
Në Vlorë hodhi hapat e parë të jetës së pjekur, ku u arsimua dhe punoi për një kohë. Dëftesat e shkollës tregojnë qartë një nxënës ekselent, në rritje të vazhdueshme. Ai përfundoi shkëlqyeshëm Shkollën Unike në vitin 1954 dhe më pas shkollën e mesme në Tiranë (1954-1958), duke u renditur në “Tabelën e Artë” të vitit 1958.
Mësuesit dhe shokët e vlerësonin si një intelektual shumëdimensional. Që herët u shfaq si specialist me prirje shkencore, duke u diplomuar në gjeologji minerare në vitin 1958. Studimet dhe puna e tij përfshinë fusha të shumta: themelet e digave dhe tuneleve të hidrocentraleve Bistricë e Shkopet, minierën e Krrabës, ndërtime në Lushnje, Fier, Korçë, Pogradec, si dhe studime për ujëmbledhësit bujqësorë.
Më tej, ai u diplomua për elektrometalurgji me ngjyra në RP të Kinës në vitin 1966 dhe punoi në elektrometalurgjinë e zezë në Poliçan, si dhe në analiza kimiko-fizike të metaleve për industrinë e mbrojtjes.
Një personalitet poliedrik
Talenti i Latifit shtrihej përtej shkencës. Ai shkroi skica, tregime, reportazhe, poezi, fabula, kritikë letrare, pjesë humoristike dhe publicistikë. Ishte gjithashtu vizatues i talentuar, realizoi portrete, karikatura dhe kompozime artistike.
Në fushën e artit skenik u shfaq si aktor, duke fituar të drejtën për të ndjekur Shkollën e Lartë të Arteve në vitin 1961. Mori pjesë në shfaqje teatrale, recitime në shqip e rusisht dhe në aktivitetet e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve.
Edhe sporti ishte pjesë e jetës së tij: futbollist, shahist i aftë, notar, kanotazh, ping-pong, volejboll dhe aktivitete të tjera fizike. Një talent i veçantë shfaqi si këngëtar dhe kritik muzike, njohës i thellë i këngës popullore skraparase dhe i muzikës së huaj.
Latifi zotëronte disa gjuhë të huaja: rusisht, kinezisht, frëngjisht, gjermanisht, greqisht, si dhe Esperanto. Që në moshë të re përkthente materiale shkencore, filozofike dhe letrare, ndërkohë që mbante një ditar personal për vite me radhë (1955-1966).
Vlerësime dhe kujtime
Figura e tij u vlerësua nga shumë personalitete vlonjate e kombëtare. Prof. Javer Karalliu e quante “mbret të fjalës”, prof. Ali Neviri e konsideronte “mendje të ndritur”, ndërsa shokët e kolegët e kujtojnë si inteligjent, idealist dhe tepër të përkushtuar.
Prof. dr. kolonel Partizan Petoshati u shpreh se “u shua një konstelacion për të vezulluar në pavdekësi”, ndërsa piktori i popullit Skënder Kamberi e cilësonte Latif Fodullin si personalitet në letërsi dhe arte.
Poezia dhe deti
Në poezitë kushtuar Vlorës, detit dhe Himarës, Latifi shfaq një ndjeshmëri të rrallë. Vargjet e tij për detin, për valëzat, për dashurinë e parë dhe për gjyshin, mbeten aktuale edhe sot, sikur të ishin shkruar dje.
Kur njihesh me gjithë këto gjurmë të lëna nga një lajmëtar i një kohe tjetër, “brenga” për vëllanë bëhet edhe më e thellë. Vdekja e tij e parakohshme në maj 1967 mbeti e heshtur, por tronditëse. U shua një yll në qiellin e rinisë shqiptare, për të vazhduar të vezullojë në pavdekësi, në kujtesën e familjes, të miqve dhe të historisë së pashkruar ende plotësisht.