Cikël poetik nga:Migel Flor

CIKËL POETIK NGA:MIGEL FLOR

Migel Flor

HAP KRAHËT

Kam hedhur rrënjë
në shpirtin tënd
të vrarë nga dimrat.

Qaj
si mbi një ushtar
të vrarë nga padrejtësitë
dhe blindat.

Dal
prej varrit tënd të hekurt,
u drejtoj gjunjëve
ecjen e thyer.
Hap krahët
mbi të gjallët e mjerë
që lulëzojnë
me mëkate përlyer.

Migel Flor

GRI NË UDHËTIM

Për një kapriço mbijetoj.
Kur më zgjatin pëllëmbën e zezë,
në të bardhën time ua shtrëngoj
se ndoshta bëhet
ngjyrë plage lule fierzë.

Ndoshta bashkimi i ngjyrave
do të pjellë atë grinë që pashë ditëve të vjeshtës
në udhëtimet e mia
mes qiellit që u mplak
dhe rrugëve që humbën mjegullave të kreshtës.

Migel Flor

Grimca poetike

Ushtarë të vdekur ëndrrash
do flenë nën terrin e natës.
Nën helmetat e zbrazëta
do shpohen kokat e mungesës.

Nëpër hendeqe heshtjeje
ora gërryen
gjurmët e këmbëve
që ikën.

Hëna sonte do të dalë
si një monedhë e ftohtë
nga qerpikët e mbyllur
të puthjes së djeshme.

Agimi sot
më humbi.
Në fluturim e vrava
diellin që ende
shpresonte praninë.

Në ditët tona të ardhshme,
në betejë me kujtimet
ne ushtarët e tyre
mbetëm kufoma të përmalluara
nën tokën e mendjes.

Migel Flor

E gjelbërt

Më bien këpucët shtrenjtë.
E ndjej kur shkel
tokën e egër
të gjelbërimit.

Nën pushtetin e mjegullës
së Jezercës,
kah Valbonës
mali më sheh
me sy të ujshëm dashurie…

Nën heshtjen shpateve
ecën epika
e hijes së një malësori.

I zhvesh këpucët…
Tek ura e “T’shtrejtit”
që kjo tokë
të më njohë
si nusen e gjelbërt
në këtë vjeshtë
të veshur
nga mali që ende nuk është zverdhur.

Migel Flor