Darka te parku anës lumit-Imer Hysa

Imer Hysa

Kujtimet janë të bukura.

DARKA TE PARKU ANËS LUMIT

E kisha piketuar për ta vizituar fragmentin e bregut të Lumit Vien mes dy urave, asaj të makinave (urës së re) dhe Urës së Trenit, por kurrsesi s’më kishte shkuar mendja se te një park mes tyre do të organizonim një piknik në natyrë.
Ishte një ambjent i bukur dhe piktoresk, mes hijeve të pyjeve të mëdhenj e të harlisur, i përkëdhelur nga freskia që shpërndante përreth rrjedha e lumit.
Qytetarë të shumtë të organizuar në grupe familjare apo miq, mblidheshin gjithë kohës, por veçanërisht mbrëmjeve dhe ditëve të pushimit për të kaluar orë të bukura sëbashku. Bashkia kishte ofruar bujarinë e saj duke ndërtuar zgara për pjekje me qymyr apo dru, me qëllim që të pranishmit të piqnin mishin apo perimet. Një vëmendje të veçantë i ishte kushtuar argëtimit të fëmijëve. Për ta ishte ndërtuar një kënd i bukur lojrash që të ndjeheshin të lumtur. Veç mjedisit argëtues do të binin në sy çezmat e ujit, tavolinat dhe stolat e drunjtë për ngrënje, stolat për pushim dhe “shezllongët prej dërrase” për pushuesit që dëshironin të shtriheshin pēr tē marrē rreze dielli apo pushuar aty buzē lumit.
Mua më kishin tërhequr vëmendjen urat. Duke i parë nga larg përmes dritares së makinës dukeshin goxha të mëdha e të bukura. Në fakt duke i parë nga afër siç bëra, dukeshin akoma më të bukura. Harqet nën urë që lidhnin këmbët e tyre ishin fantastike, veçanërisht të ura hekurudhore. Urë goxha e gjatë dhe e lartë me harqe të shumtë dhe tërësisht me gurë të gdhëndur të së njëjtës madhësi. Nuk di nëse ishte apo jo monument i trashegimisë kulturore për Francën dhe pse mbante stema në çdo këmbë ku datonte viti 1885, mbase viti i saj i ndërtimit. Teksa sodisja këto ura në mendje më vinte “Ura e Zogut” mbi Lumin Mat e projektuar nga inxhinierë shqiptar, e ndërtuar po me shqiptarë dhe fonde të buxhetit të qeverisë shqiptare të kohës së monarkisë.
Edhe kjo e vendit tim ishte një urë e rrallë, e para në Ballkan për nga përmasat, për nga struktura dhe për nga materialet e ndērtimit të përdorura. Urë për të cilën ne një grup poetësh dhe krijuesish nē bashkëpunim me forumin Rinor Sebastia organizuam mbi të një aktivitet sensibilizues për ta mbrojtur nga shëmbja. Falë nesh dhe shumë organizmave te tjerë u arrit që ajo urë të futet në 7 veprat e artit më të rrezikuara në Europë për tu marrë nën mbrojtje.
Këto sillja ndërmend pranë urës hekurudhore në Limoges të Francës.
Francë 09 Gusht