Flora Gjondedaj Dervishi

1. Dialog me Petro Markon
Vij të të takoj Petro Marko
Po dallga m’i fsheh kaçurrelat e tua…
-Ku shkon ngutur me” Grivën” si Pegaso
As më thua ?
Tek Shpella e Piratëve nuk je(!)
-Ku shkon në gjysmëmugëtirë
Mbi gurë dhe re ?
Me blu dhe erë më mbështjell vjeshta
Kalëroj mbi ullishte mbi dallgë
Më trembin magjitë e nimfave në Jalë.
Këngët Joni m’i shuan
Zëra e valëve pas më ndjek
Dielli në ikje lamtumiren më djeg ….
Çmurosa porosinë e pasosur
Ringjalla ishujt e harrimit ,
Në Ustikë hëna djeg brigjet e bruztë
Në melankolinë e Sonjës ,
në detin e pikëllimit …
As në Ventotene nuk je(!?)
Si pendul lëkundet ëndrra e bashkimit …
-Jam në bregun e sertë blu,
Mbi gurë dhe re…
Më vjen zëri yt nëndheshëm
Prelud i murimit ….
2.Gjurmë
Në muret e Kalasë së Janinës,
Algat si pika gjaku të thara prej një shekulli.
Të murrëtuar si veshje ushtari janë muret,
Basoreliev monedhash…
Topa të ndryshkur më kërcënojnë
me grykat e zeza,
mendimi më erret si kohë për shi ,
nuk e di cili prej tyre
qëlloi përbindshëm mbi gjyshërit e mi ?
Gjysherit e mi me paqe në sytë bojëulliri
vrull mëmëdhetari në këngën l’arbërishte,
që betoheshin për vatan!
Dhe mbollën mollë të kuqe në lirishte….
3.Bolero
Më dhembin pemët,
Teksa thahen
Vjetërohen ,
Mbulohen me heshtje,
Marrin ngjyrëtoke
E kalbja i plandos
Në mortje.
Të fundmet gjallesa
që ua gërryen ;
trupin,shpirtin, motesh,
Nisen në shtegtime vjeshte
Kinse në një pelegrinazh
Përshpirtje…
Teksa era, vetëm era,
Luan enkas një tango Bolero
Në përndritje….
***
Vjeshta dha frymën në gjethet e diellzuara
Deri në djegie
Fytyra e saj u muros në perden e dhomës time…
@