Namik Selmani
Dialog me vajzën time
Të dhashë bijë shumë gjëra nga vetja ime,
Të zgjodha fustanet e ngjyrat kur kishe zë foshnje
Të zgjodha sandalet e kukullat mes vetrine
Të mësova edhe si baba shkronjat e para në fletore.
Të mësova shumë gjëra nga jeta, bija ime,
U shamatova me veten që s’t’i thashë dot të gjitha
Tani ti e pret vetë biletën e avionit në ardhje e ikje
E nuk trembesh nga balta e qentë që lehin te rrugica.
Tani fshihem vetë pas mençurisë që mosha të dha
Mbahem nganjëherë pas teje kur ka gurë dhe ferra.
Gëzohem për hapat që hedh nëpër muzgje e agime,
Për udhët që të presin si udhëtare tek dera.
Dhe jetoj mes misterit të ëmbël e të bukur të një nëne
Për ditënetët e tua, të gjata, të paprekura,
Oo, është larg foshnjëria që zgjohet si tingull kënge
Larg është dhe vajzëria e nënës me ëndrra të tretura.
E dua të ngrejmë sot me duar të brishta një Urë
Ku të ecim një çast unë, nëna e ti, një bijë e lumtur
Oo, jo si dhitë sherrane që mbyten në lumë
Por si shokë që duan jetën dritëpurpur.
Do ta mbaj në sy dorën tënde që zgjatet e zgjatet
Në udhët që zhurmojnë ku zemra ndriçon kaq shumë
Oh, vajze, nuk dua kurrë të jesh vajzë balade
Po Bukuroshja ime që më jep fuqi në furtunë.
Tani ti çdo ditë përkëdhel një ëndërr të re sydlirë
Merre këtë varg si një kartolinë që zgjon tërë vitet
Në flokun tënd do të vëmë një kurorë të florinjtë
Me një urim që në stacione që as thahet e as thinjet.