Deprecated: Funksioni WP_Dependencies->add_data() u thirr me një argument që është vjetruar që pas versionit 6.9.0! Komente kushtore IE shpërfillen nga krejt shfletuesit e mbuluar. in /home/www/vhosts/gazetadestinacioni.al/httpdocs/wp-includes/functions.php on line 6131
Dita e parë e shkollës në internim-Mira Zaho Mëhilli

Dita e parë e shkollës në internim-Mira Zaho Mëhilli

Ma kujtoi Facebook. Po e risjell përsëri në shenjë nderimi e respekti për mësuesit e mrekullueshëm që pata në shkollën e fshatit ku u internua familja ime. Në postimin e parë një mik i imi i mrekullueshëm edhe ai, më tha se do të ishte mirë që këta mësues t’i përmendja me emra. Dhe ja, po i përmend:

Agron Xhelali

Mjaftim Hoxha

Bardhyl Spaho

Edmond Xhimitiku

Merita Daiu

Thoma Deli etj.

Është fat që egzistojnë njerëz të mrekullueshëm me emrin e madh MËSUES. Falë tyre bëhet e mundur që ditët shkollore të jenë të bukura, plot dritë e gëzim në çdo kohë e në çdo vend.

DITA E PARË E SHKOLLËS NË INTERNIM

Kishte kaluar vetëm një javë nga 2 Prilli i 1976-ës, dita kur familja ime u internua. Në atë kohë, java e parë e prillit bëhej pushim për nxënësit e shkollave 8- vjeçare, kështu që ne patëm pak kohë për “të mbledhur” veten nga ajo ç’ka na kish ndodhur.

Unë dhe motra ime, si gjithë fëmijët e tjerë duhej të shkonim në shkollë për të vazhduar mësimet ( vetëm për arsimin 8-vjeçar, se e mesmja dhe e larta ishin të ndaluara për ne, por tjetër histori kjo). Unë isha në klasën e shtatë, kurse motra ime në klasën e dytë. Për t’u regjistruar na shoqëroi mami. Arritëm në shkollë, ishte afër “shtëpisë” ku banonim. Ajo ndryshonte nga shkolla që kishim lënë në qytet, ishte një ndërtesë e vogël njëkatëshe. Oborri para saj ishte i mbushur me fëmijë, pranë tyre dalloheshin edhe mësuesit. Të gjithë vështronin drejt nesh, bashkëmoshatarët tanë kureshtarë dhe të habitur, kurse vështrimet e mësuesve o…sa dashamirëse. Megjithëse nuk e njihnin mamanë tonë e përshëndetën me shumë përzemërsi, por paksa të drojtur. Nuk e kisha të vështirë të kapja vështrimet e tyre që shprehnin vetëm dashuri. Sa ma ngrohën shpirtin!!!

Na drejtuan për te zyra e drejtorit, por ndryshe nga mësuesit që pashë jashtë, ky ishte një njeri i rëndë, hodhi disa herë vështrimin e ftohtë drejt nesh, komunikoi shumë prerë me mamin, megjithatë u regjistruam. Shkolla ishte e vogël, por kishte shumë nxënës, me nga dy klasa për çdo paralel. Kështu që unë do të bëja mësim paradite, kurse motra ime pasdite. Kuptohet që unë qëndrova, ndërsa mami me motrën u larguan për në “shtëpi”.

Për në klasën ku do të mësoja më shoqëroi mësuesi kujdestar Agroni, i cili jepte edhe lëndën e gjuhës shqipe. Sapo hymë në klasë filloi të më prezantonte sikur më njihte prej kohësh. Nuk i harroj kurrë fjalët me të cilat iu drejtua nxënësve:

-Mira do të jetë shoqja juaj e re e klasës. Ajo vjen nga qyteti, është vajzë shumë e mirë. Ju do të kaloni shumë mirë me të.

Si fëmijë që isha kuptohet sa u lumturova, por jo vetëm kaq, fjalët e mësues Agronit e dhanë efektin menjëherë. Shumë prej tyre kërkuan që mësuesi të më vendoste në një bangë me ta.Ora e parë e mësimit atë ditë ishte Gjuhë shqipe. Mësues Agroni kërkoi të më shikonte fletoret që kisha nga shkolla në qytet dhe pa hezituar, me po atë zell me të cilin më kishte prezantuar, nxori fletoret e mia para klasës dhe u tha nxënësve:

– Shikoni sa bukur shkruan Mira.

Vazhdoja të lumturohesha. Harrova se ku ishim e për çfarë ishim. Por vajtja ime në atë shkollë për bashkëmoshatarët e mi përbënte çudi. Më kujtohet se si në çdo 5 minutsh, midis orëve të mësimit vinin te klasa ku rrija unë nxënës të klasave të tjera dhe zgjasnin kokën te dera për të më parë. Në pushimin e gjatë, e rrethuar nga vajzat e klasës lëviznim nëpër oborrin e shkollës dhe grupe nxënësish na ndiqnin nga pas. Nuk shprehnin ndonjë gjë të keqe ndaj meje, por thjesht një kureshtje paksa të çuditshme.

Ditët kalonin dhe siç ndodh mes fëmijëve u miqësova shpejt me shoqet dhe shokët e klasës. Rezultatet në mësime, përkrahja e mësuesve dhe ngrohtësia e shoqeve, jo vetëm të klasës ku mësoja, por edhe të klasave të tjera m’i bënin ditët shkollore shumë të bukura e të gëzuara. Shkolla ishte vendi ku unë dhe motra ime merrnim kënaqësitë e ditës të cilat i çonim në shtëpi për të ngrohur shpirtin dhe zemrat e prindërve tanë që në atë kohë ishin të coptuara.

Prandaj them se është fat që egzistojnë MËSUESIT, këta njerëz me zemër të madhe.