Do të qëndroj-Faslli Canaj

DO TË QËNDROJ
Do të qëndroj,

U foli shkëmbi dallgëve të detit dhe oqeanit.
Kafshimin e dhëmbëve tuaj
Mbi trup fare s’ kam për ta ndjerë
Dhe, në m’ u sulshin si çakalli,
Copë- copë kam për t’ua shkoqur, thyer.

 

Do të qëndroj…
Aty, në mes të detit dhe oqeanit!

 

Le të vini e të më sulmoni ju
Nga çdo anë me furi, a dhe përballë,
Unë aty do të jem duke u pritur
I qetë, i heshtur, qëndrestar.

 

Aty do të jem, binjak me heshtjen time.
Një pëllëmbë nga vendi nuk luaj
Mirë se të vini, kurdo e sa herë të doni,
Përplasuni vrullshëm me muret e heshtjes sime
E do të ktheheni mbrapsht turinj copëtuar.

 

Shkumën tuaj të bardhë, kam për t’jua rrëmbyer
Dhe shall hedhur krahëve, a shami lidhur ballit tim
Kam për ta ruajtur si relikte të rrallë.

 

Do të qëndroj…

 

Më fort se ajsbergët, akullnajat,
Që japin e japin dhe më në fund të dorëzohen
Çahen a shkrihen e bëhen një me ujin
Në dete e oqeane.

 

Do të qëndroj…
Aty, vendit s’lëviz!

 

Kafshimin e dhëmbëve tuaj
E kam masazh për timin gjoks e kurriz,
Cërkat do t’ua rrëmbej e i var si pika vese mbi qerpik.

 

Do të qëndroj…
Aty, ngulur në prehrin e detit dhe oqeanit!

 

Kur lodhur nga fluturimi i gjatë të jenë zogjtë
Të ulen, të mbushen me frymë
Të pushojnë pak, të cicërijnë,
E të nisin prapë të tyrin fluturim.

 

Se zogjtë, ah, zogjtë kam miq.
Tërbimin tuaj, o dallgë,

Do e kthej në një këngë djepi për ta,

Që gjumi në krahët e mi t’ua rrëndosi sytë.