Deprecated: Funksioni WP_Dependencies->add_data() u thirr me një argument që është vjetruar që pas versionit 6.9.0! Komente kushtore IE shpërfillen nga krejt shfletuesit e mbuluar. in /home/www/vhosts/gazetadestinacioni.al/httpdocs/wp-includes/functions.php on line 6131
Dr. Astrit Gjunkshi Përfaqësoi Denjësisht Shqipërinë Në Nato-Halil RAMA

Dr. Astrit Gjunkshi Përfaqësoi Denjësisht Shqipërinë Në Nato-Halil RAMA

HOMAZH

Ishte Drejtor i Kabinetit Pedagogjik të rrethit Dibër, detyrë të cilën e kreu me profesionalizëm të lartë

Dr. Astrit Gjunkshi Përfaqësoi Denjësisht Shqipërinë Në Nato

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

  • Në harkun kohor të tri dekadave (1995-2025), Dr. Astrit Gjunkshi ka krijuar, botuar dhe promovuar disa vëllime me poezi, prozë dhe esse&refleksione. Kësisoj, ky autor, me korpusin e tij letrar, që përfshin 23 tituj librash, zë vend të veçantë në historinë e letërsisë shqipe…

Për të gjithë ata që e kanë njohur nga afër, familjarë, të afërm, miq e shokë apo që kanë bashkëpunuar me të, lajmi i ndarjes nga jeta të Prof. Astrit Gjunkshit, krejt papritur më 17 dhjetor 2025, qe vërtetë i trishtë.

Astrit Gjunkshi ishte dhe mbetet një nga përfaqësuesit dinjitozë të elitës dibrane në metropolin shqiptar, mishërues dhe përçues i vlerave më të mira njerëzore, intelektkuale, profesionale dhe krijuese.

PAK NGA KARRIERA PROFESIONALE

Ai  ka lindur në qytetin e Peshkopisë më 25 Qershor 1951. Fëmijërinë e kaloi në lagjen “Treg”. Kreu shkollën fillore në Ushtrimoren pranë Pedagogjikes ndërsa 7 – vjeçaren e mbaroi në shkollën “Demir Gashi” dhe shkollën e Mesme në gjimnazin e qytetit.

Bashkënxënësit, (ndër të cilët Dr. Ilir Pitarka), e kujtojnë si nxënës të shkëlqyer dhe shumë të shoqërueshëm me moshatarët e tij. Gjimnazin e mbaroi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1969.

Studimet universitare dhe pasuniversitare për matematikë i kreu me rezultae të mira në Universitetin e Tiranës. Po ashtu kreu kualifikime për psikologji, didaktikë e pedagogji.

Ky formim profesional i nivelit të lartë do t’i shërbente  në kryerjen e detyrave të rëndësishme funksionale. Si Drejtor i Shkollës së Mesme të Përgjithshme Kastriot për afro një dekadë, u dallua për organizimin mirëfilltazi të punës mësimore edukative dhe edukimin e brezit te ri.

Si drejtues me vizion e talent e bëri këtë shkollë ndër më konkurrueset në shkallë rrethi.

Edhe si mësues i matematikës ishte shumë i përkushtuar që të jepte më të mirën në lëndën e tij.

Më pas kaloi në shkollat e qytetit të Peshkopisë si drejtues dhe mësues matematike.

Për aftësitë e tij organizative dhe përkushtimin në punë u emërua drejtor i Kabinetit Pedagogjik të rrethit Dibër,  detyrë të cilën e kreu me profesionalizëm të lartë.

DR. ASTRIT GJUNKSHI, PERSONALITET ME RREZATIM MBARËKOMBËTAR

Dr.Shk.Astrit Gjunkshi, i priti me kënaqësi dhe u bë pjesë e  zhvillimeve të vrullshme demokratike të pas ’90-tës duke ndikuar drejpërdrejtë në ndryshimet epokale të asaj periudhe. Kështu, në vitin 1994 emërohet Drejtor i Mardhënieve me Jashtë në Ministrinë e Mbrojtjes, detyra të tjera në Ministrinë e Jashtme, si diplomat në Bruksel, në NATO etj.

Karrierës së tij i bashkëngjiten edhe kualifikimet dhe trajnimet në universitetet prestigjioze në Britaninë e Madhe, SHBA, Gjermani, Itali, për çështje të Sigurisë, mjedisit, diplomacisë, globalizmit etj, të cilat i kanë shërbyer në punën e tij në diplomaci.

U doktorua për Siguri Globale pas marrjes së gradës Master i Shkencave në Universitetin e Cranfield, në Britaninë e Madhe dhe përfundimit të Kolegjit të Mbrojtjes të NATO-s në Romë.

Ai ka shërbyer edhe si Ministër  këshilltar në Delegacionin e Përhershëm të Shqipërisë në NATO, Bruksel, pasi kishte kryer kualifikime për  diplomacinë e Mbrojtjes në SHBA, Zvicër, Gjermani, Itali, Belgjikë; studime në Kolegjine  Mbrojtjes së NATO-s në Romë; Master i Shkencave për Siguri Globale në Universitetin e Cranfield, në Britaninë e Madhe etj.

Para disa vitesh. Dr. Astrit Gjunkshi u vlerësua nga Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe Arteve Nju Jork, nga e cila ju akordua titulli: “Akademik”, si Dr.shkencave për Sigurinë dhe si Shkrimtar.

VEPRA KRIJUESE E ASTRIT GJUNKSHIT

Në harkun kohor të tri dekadave (1995-2023), Dr. Astrit Gjunkshi ka krijuar, botuar dhe promovuar disa vëllime me poezi, prozë dhe esse&refleksione. Kësisoj, ky autor, me korpusin e tij letrar, që përfshin 23 tituj librash, zë vend të veçantë në historinë e letërsisë shqipe.

Nga një vështrim i përgjithshëm, krijimtaria e tij mund të analizohet në tri dimensione: si poet, prozator dhe esseist.

Nëse librin e tij “Koha e dashurive të munguara” do ta vlerësoja, jo vetëm për titullin intrigues, por për lëndën që të tërheq që në fillim dhe të mbërthen në leximin e të gjitha poezive, për vetë formën e veçantë kompozicionale me katër kapitujt e tij, tek libri i tij “Trokitje të fjalës së bardhë” (2023, dallojmë lehtësisht tri dimensionet e mësipërme. Në këtë libër të këtij autori ka dhe poezi, përmbajtja e të cilave rrok hapësira të gjera dhe përfshin gjithçka që ka të bëjë me jetën.

Në librin me 200 faqe “Trokitje të fjalës së bardhë”, autori ka përfshirë edhe kapitullin “ESSE & REFLEKSIONE”, ku në 56 faqe, atë e shohim edhe si politologun e vëmendshëm që trajton me kompetencë e profesionalizëm tema që lidhen me dukuri e fenomene të ndryshme jetësore. Dhe jo vetëm kaq, por duke përdorur argumentin bindës A.Gjunkshi përçon koncepte të reja filozofike (të krijuara nga vetë ai). Më evidente këto tek “INSTITUCIONI I SFIDUAR I PATRIOTIZMIT”, ku ndërsa shprehet se “Shumica e shqiptarëve ndjehen krenar për atdheun, sepse ai përfaqëson themelin e identitetit të tyre”, shpjegon edhe konkluzionin se “nuk mjafton atdhedashuria për t’u konsideruar patriot i vërtetë”. Dhe duke bërë një paralelizëm me spektrin e dritës, ai argumenton se “Në një farë mënyre, krenaria kombëtare përbën vetëm pjesën e fillimit të spekrit të patriotizmit”. Kjo sipas tij për faktin se “kombi shqiptar, ka aq shumë probleme, dhe jeta e shqiptarit ka aq shumë vështirësi, për të cilat nuk duhet të jemi krenar”. E në këtë aspskt ai rendit “emisione televizive, të cilat paraqesin shqetësimet e mëdha dhe vuajtjet e personave, familjeve, apo komuniteteve të ndryshme në Shqipëri, dhe në trojet shqiptare përgjithësisht. Shikon përditë kronika krimesh nga më të ndryshmet, që nga trafiku i drogës e deri te krimet brenda familjes. Kafenetë janë të mbushura plot nga të papunët dhe popullsia e atdheut pëson përditë hemoragji nga emigrimi i rinisë. Ndonëse varfëria nuk është e re për shqiptarin, shikon familje, afër dhe larg kryeqytetit, ku ajo është aq e skajshme sepse nuk ka asnjë burim të ardhurash për nevojat bazë, si ushqimi dhe ilaçet. Shikon fermerë të rrënuar, të cilët vuajnë jo nga dembelizmi, por sepse u kalbet prodhimi, për shkak të mungesës së pikave të grumbullimit…”.

Nga kritika letrare është vlerësuar edhe krijimtaria e Astrit Gjunkshit në prozë. Nëse në këtë gjini letrare ka bërë emër me romanin “Hirushja Pellazge” (2019) dhe me vëllimin me tregime e novela “Ishujt e vetevetes – Vallëzimi i katërt i dashurisë” (2021), sërish në këtë triptik ai sjell dy tregime ku shpaloset madhështia e fjalës së tij artistike.

Si përfundim do të evidentoja faktin se ai iku për në botën e përtejme duke na lënë një trashëgimi të pasur të  krijimtarisë së tij letrare:  me mbi 20 libra artistik: (katër në prozë -romane, novela e tregime, autobiografi, fjalë të urta, esse artistike) dhe disa tjerë  në poezi (vjersha, poema, drama poetike e fabula). Padyshim që dr.Astrit Gjunkshi radhitet ndër shkrimtarët më produktive, dhe pse jo edhe më cilësorë të 30 viteve të fundit. Kësisoj vepra e tij letrare hyn me dinjitet në fondin e artë të letërsisë shqipe.