Dy fjalë për librin e autorit Shpëtim Canaj “Rrënjët e Rromësit”
Një udhëtim në kujtesën, vendlindjen dhe shpirtin lab.

Sot, në këtë oaz të madh të poetëve dhe njerëzve të letrave të Vlorës, na shtohet edhe një zë tjetër,zëri i Shpëtim Canaj,autorit të librit “Rrënjët e Rromesit”.Që në kontaktin e parë me krijimtarinë e tij, autori na shfaqet i thjeshtë, i qartë, pa ekuivoke dhe, në shumë raste, i drejtpërdrejtë në atë që kërkon të thotë. Dhe ndoshta pikërisht kjo është një nga vlerat e tij,që nuk kërkon ta fshehë mendimin pas fjalëve të tepërta. Ai shkruan ashtu siç e ndien, ashtu siç e kujton dhe ashtu siç e ka përjetuar botën e tij.
“Rrënjët e Rromesit” nuk është vetëm një titull. Rrënjët këtu mund të lexohen si një lidhje me vendlindjen, me kujtesën, me njerëzit, me historinë dhe me atë hapësirë shpirtërore që njeriu e merr me vete edhe kur largohet prej saj.
Në krijimtarinë e Shpëtim Canaj vërejmë motive të ndryshme: vendlindjen, Labërinë, Rromësin, njerëzit e tij, punën, kujtesën dhe Vlorën. Por Rromesi zë një vend të veçantë. Nuk është thjesht një hapësirë gjeografike; është një pjesë e identitetit të autorit. Prandaj nuk është rastësi që fshatit të tij i kushtohet një pjesë kaq e rëndësishme e librit.
Autori kthehet te vendlindja jo vetëm për ta përshkruar, por për ta rikujtuar dhe ringjallur përmes vargut.
Një vend të veçantë në këtë kujtesë zënë edhe njerëzit e punës. Në poezinë kushtuar minatorëve të Rrlmesit, autori sjell përpara lexuesit figurën e njerëzve që e kanë lidhur jetën me nëntokën, me mundin dhe me sakrificën. Është një poezi me 14 strofa, por rëndësia e saj nuk qëndron te numri i strofave; qëndron te përmasa njerëzore e asaj që rrëfen. Minatori bëhet pjesë e kujtesës së vendit.
Një tjetër element që më tërhoqi vëmendjen në krijimtarinë e autorit është përdorimi i metaforës.
Te poezia “Nënat tona”, vargu:
“Mbollën shpresë në tokë të tharë”
është një metaforë shumë domethënëse. Shpresa paraqitet si një farë që mbillet, ndërsa toka e tharë shndërrohet në simbol të vështirësisë, vuajtjes dhe mungesës. Nënat, edhe në rrethana të vështira, janë ato që mbjellin jetë dhe shpresë. Këtu një veprim i thjeshtë bujqësor shndërrohet në një figurë poetike me kuptim të gjerë njerëzor.
Edhe në poezinë “Shkundja e ullinjve në Rromës”, autori ndërton një marrëdhënie të bukur mes njeriut, natyrës dhe vendlindjes. Vargu:
“Ullinjtë rrinë si rojë të motit”
sjell një krahasim që i jep ullirit një rol përtej atij të pemës. Ullinjtë bëhen dëshmitarë të kohës, të stinëve dhe të jetës së njerëzve. Ata janë aty, duke parë breza të tërë të kalojnë.
Dhe kjo është një nga bukuritë e poezisë së vendlindjes: ajo nuk flet vetëm për një vend, por për gjithçka që ai vend ka ruajtur brenda vetes.
Në këtë kuadër vjen edhe Vlora.
Vështirë të ketë një poet vlonjat që të mos i kushtojë, në një mënyrë apo në një tjetër, disa vargje qytetit të tij. Edhe Shpëtim Canaj e sjell Vlorën në poezinë e vet. Në poezinë “Vlorë e bukur”, dy vargje më duken veçanërisht domethënëse:
“Çdo gur ka histori”
dhe
“Çdo rrugicë ka trimëri.”
Janë vargje të thjeshta në formë, por të mëdha në kuptim. Nëpërmjet tyre qyteti nuk shihet vetëm si hapësirë fizike. Guri bëhet kujtesë, ndërsa rrugica bëhet dëshmi e njerëzve dhe e historisë.
Në fund, mendoj se ajo që e lidh gjithë këtë krijimtari është kujtesa.Kujtesa e Rromësit, kujtesa e Labërisë, kujtesa e njerëzve të punës, kujtesa e nënave, kujtesa e ullinjve dhe kujtesa e Vlorës. Dhe pikërisht këtu titulli “Rrënjët e Rromësit” merr një kuptim më të gjerë: rrënjët janë vendi ku nis gjithçka, por edhe ajo pjesë e identitetit që vazhdon të jetojë brenda njeriut.
Shpëtim Canaj na sjell një poezi që nuk kërkon të jetë e largët nga lexuesi. Përkundrazi, ajo kërkon të komunikojë me të përmes fjalës së drejtpërdrejtë, përmes kujtimeve dhe përmes figurave të njohura të vendlindjes.
Dhe ndoshta kjo është edhe një nga arsyet pse “Rrënjët e Rromësit” mund të lexohet jo vetëm si një libër për Rromësin, por si një libër për rrënjët: rrënjët e njeriut, të kujtesës, të vendlindjes dhe të dashurisë për vendin ku kemi nisur jetën.
Urime autorit Shpëtim Canaj për këtë botim dhe uroj që këto rrënjë të vazhdojnë të japin edhe shumë fryte të tjera poetike.
Shon Malaj-Poet,Publicist