Edhe ditës i pikuan lotët- Avdush Canaj

Screenshot


 
 AVDUSH CANAJ


Ata erdhën siç vjen tufani
babën me plis
e lidhen për mani.
 
Mos e vritni, i luta,
mos,babën tim plak!
Askujt s’i ka hak!
Jemi në Tokën tonë,
s`jemi ardhacakë.
Babën e dua, jam gjaku i tij i dëlir,
më vritni mua më mirë!
Më vritni mua!
 
Një sy lubie
më shkundulloi për flokë:
Dëgjo ti, shqiptari i vogël,
plumbin s`e harxhoj në ty
tek ky mur,
dikush duhet të tregojë histori
se ç`bëmë ne dikur.
 
Dhe babën e bënë shoshë,
shoshë  edhe plisin!
 
E motrën? Ah, motrën
që i ngjante krejt nënës,
në sy të mi
ia prishën gërshetat,
gërshetat e bukur si të hënës!
 
Ç`të të them tjetër?
Edhe ditës i pikuan lotët
bashkë me blerimin!
Dielli u fsheh pas reve
të mos e shoh trishtimin!