Etimologjia e emrit Amantia dhe disa të dhëna në enciklopedinë italiane të viteve 1929 dhe 1958

Gëzim Llojdia

1.

Në historinë moderne janë bërë qindra zbulime arkeologjike, por shumë prej tyre ofrojnë ende një pasqyrë joshëse të mistereve të pazgjidhura, që vazhdojnë të magjepsin njerëzit në mbarë botën.

Një qytet i tillë ka sot rrënoja gjithandej në kodrinën e Kudhës-Gërhotit, ndërsa gjurmët e tij shtrihen deri në fshatrat Amonicë dhe Vajzë. Territori i tij ishte edhe më i gjerë dhe i plotësonte standardet e një qyteti, madje të një kryeqendre të një fisi ilir, siç ishin amantët. Sot ai është sit arkeologjik: Amantia Ilire.

Emri i këtij qyteti është i njohur për dijetarët dhe historianët, që nga lashtësia deri në ditët tona. Rreth vitit 1929, Doro Levi shkruan në Enciklopedinë Italiane:

-Amantia (‘Αμανθία, Amantia). – Qytet i lashtë, i shënuar në Tabula Peutingeriana (me emrin Amatria), 30 milje romake në jug të Apolonisë, pranë rajonit të Cersunit. Zotëronte një port homonim në thellësi të Gjirit të Aulonës, ose të Vlorës, pranë Orikut. Rrënojat e saj janë identifikuar me mbetjet e mureve dhe të ndërtesave greko-romake në fshatin e sotëm shqiptar Plloçë. Ashtu si qytetet e tjera bregdetare të afërta, ajo tërhiqte shumë nga begatia e saj dhe nga puna e minierave të brendshme. Banorët e saj, të quajtur Amanzi (që nuk duhen ngatërruar me Amantinët ilirë të Pannonisë së Poshtme), priste monedhën e vet dhe konsideroheshin pasardhës homerikë të Abanteve. Një peshkop i qytetit mori pjesë në Këshillin e Serdikës në vitin 347.

Rreth 30 vjet më vonë, në vitin 1958, P. C. Sestieri shkruan në Enciklopedinë e Artit të Lashtë, nën titullin “Amantia”:

-Amantia. Qytet i Shqipërisë, i identifikuar me fshatin e sotëm Plloçë nga Patsch dhe Ugolini. Ky identifikim, megjithatë, nuk është pranuar nga të gjithë studiuesit; disa mendojnë se Amantia dhe Klosi ndodheshin jo shumë larg Bylisit. Rrënojat e dukshme të Plloçës përbëhen nga mure dhe mbetje ndërtesash, si dhe nga mbetje skulpturore e arkitektonike të përdorura në muret e shumë shtëpive.

Muret. Pjesët që kanë mbetur të dukshme tregojnë evolucionin e mureve të qytetit, të ndërtuara me blloqe të mëdha katrore dhe, në disa pika, të gdhendura në shkëmb. Lartësia ruhet mbi 3 m, në gjashtë radhë, me trashësi 1,85 m. Sapo del nga toka ndodhet mbetja e një dere. Duket se qyteti shtrihej edhe jashtë mureve.

Ndërtesat. “Kisha” është rrënoja e një ndërtese me orientim juglindor, prej guri gëlqeror. Kulmi është një kube e dyfishtë; pothuajse me siguri ka qenë një varr, gjë që mbështetet në analogji me ndërtesa të tjera të të njëjtit lloj, si ajo në Kos, dhe në faktin se ndodhet jashtë qytetit.

Në anën veriore të murit ka një bazë me kyma, të profiluar në tri anët, ndoshta pjesë e një dere. Janë mbetjet e një ndërtese katrore prej guri. Rrënoja të rralla gjenden edhe në luginën e Kudhësit. Një pllakë e madhe me mbishkrim në latinisht dhe greqisht ndodhet te një burim uji. Mosha e saj i përket kohës së krishterimit; po kësaj periudhe i përkasin edhe dy kapitele në stil bizantin, me kryq në njërën anë. Në muret e shumë shtëpive të fshatit ka shumë fragmente të lashta, ndër të cilat më të rëndësishmet janë një kokë mermeri, ndoshta e Aleksandrit të Madh, dhe një tjetër prej guri gëlqeror, që përfaqëson tipin e Zeusit të Dodonës.

2.

Etimologjinë e vendemrit Amantia e shqyrton Nelson Çabej në këtë mënyrë. Në shqip ka fjalën amë “lumë, burim”, e cila lidhet përgjithësisht me rrënjët indoevropiane ab- dhe ā̆p- “ujë, lumë”. Sipas Pokornit, këto kanë dalë nga një rrënjë më e lashtë indoevropiane ǝkʷā : ēkʷ- me të njëjtin kuptim, nëpërmjet shndërrimeve -gʷ- > -b- dhe -kʷ- > -p-, që kanë ndodhur në ilirishte, greqishte dhe gjuhët kelte.

3.

Demiraj ka rindërtuar për protoshqipen një formë të lashtë *abnā, të cilën e krahason me irlandishten e vjetër aub dhe latinishten amnis “lumë”.

4.

Emri i banorëve të fisit ishte amantes, të cilin Norbert Jokli e ka përkthyer “bregalumas”.

5.

Rrënja ap- shfaqet edhe në emrin e lashtë të lumenjve Osum dhe Seman (Apsus), në emrin e sotëm të Mesaplikut në rrethin e Vlorës (që ndodhet midis lumit të Kuçit dhe një lumi më të vogël që buron nga fshati Vërmik), në emrin e Apulias në jug të Italisë (që në lashtësi banohej nga mesapët me prejardhje iliro-epirote), si dhe në emrin e lumit Amantia në jug të Italisë, në provincën Bruttium.

6.

Qyteti mendohet të jetë themeluar në shekullin VI p.e.s., por përmendet për herë të parë në burimet historike të shekullit IV p.e.s. Në shekullin III p.e.s. mendohet se ka qenë qendra kryesore e bashkësisë së amantëve.

Në fillim të shekullit XIX, topografi britanik W. M. Leake (1777–1860) shprehu mendimin se emri i fshatit Bënçë, në rrethin e Tepelenës, mund të ishte shtrembërim i vendemrit ilir Amantia.

7.

Por më pas ai thotë se Amantia duhej kërkuar në Nivicë të Kurveleshit.

8.

Po aty, në rrjedhën e lumit Shushicë, e vendos edhe Pouqueville.

9.

Më vonë, kërkimet arkeologjike e kanë lokalizuar në fshatin Plloçë të rrethit të Vlorës. Ky lokalizim, që nuk mund të vihet në dyshim, ngre problemin e fatit të mëtejshëm të vendemrit të lashtë Amantia.

A duhet të besojmë, vallë, se ai u zhduk dikur në lashtësinë e vonë, si pasojë e sulmeve barbare, pa u shfaqur më në asnjë formë? Përvoja e gjatë me vendemrat ilirë në trojet shqipfolëse flet për qëndrueshmëri të madhe të tyre, e lidhur edhe me një dukuri interesante: vendemri i lashtë largohet nga vendi origjinal për t’u shfaqur diku tjetër në zonën përreth, si emër fshati, mali apo vendi tjetër. Nga ky këndvështrim, vëmendjen e tërheq vendemri Amonicë, emri i fshatit që ndodhet në afërsi të drejtpërdrejtë të Plloçës. Amonica ndodhet sot rreth 6 km në veriperëndim të qytetit të lashtë Amantia.

Në përpjekje për të gjetur një hallkë ndërmjetëse që do ta lidhte vendemrin Amantia me Amonicën, gjetëm se në regjistrimin osman të vitit 1431 del një fshat me emrin Umenicë, që bënte pjesë në krahinën e Kurveleshit (Kirelesh në atë dokument). Duke marrë parasysh mundësinë e gabimeve në regjistrimin në osmanishte të asaj kohe, forma shqipe e këtij vendemri mund të ketë qenë Amonicë ose Umonicë, që i përgjigjet qartë fshatit të sotëm Amonicë.

Siç shihet, forma e sotme Amonicë, në krahasim me atë të shekullit XV, ka pësuar shndërrimin e -e-së në -o- në rrokjen e dytë të rrënjës. Këto të dhëna na lejojnë ta rindërtojmë evolucionin fonetik të këtij vendemri si vijon:

Amantia – *Amansa – Amanica (e dëshmuar në mesjetë) – Amonica.

Evolucioni i vendemrit ilir Amantia përputhet në të gjitha hollësitë me ligjet e fonetikës së shqipes, duke përfshirë shndërrimin a > o, humbjen e mbaresës -ia dhe përftimin e prapashtesës -ica.

Nëse te Amonica kemi të bëjmë me formë të evoluar të vendemrit të lashtë ilir Amantia, vetvetiu lind pyetja: pse ky vendemër “mërgoi” për të emërtuar një vendbanim tjetër? Shkaku më i besueshëm i këtij “mërgimi” është shpërngulja e qytetarëve të Amantias pas shkretimit të qytetit të lashtë në kohën e furive barbare të lashtësisë së vonë, për të themeluar një vendbanim fshatar në një truall më të mbrojtur gjeografikisht.

*Autori i shkrimit ka drejtuar parkun arkeologjik kombetar Amantia.