Ikje… Ikje… Ikje…Aferdita Mero

Aferdita Mero

IKJE… IKJE… IKJE…
( Për bijtë që morën rrugët e botës)

Ikje… ikje… ikje pa fund,
po zbrazet vatani, po mbetet i gjunjëzuar,
nëna te pragu, me sytë përmbi udhë,
pret një zë të njohur, një hap të harruar.

Ikën djemtë, ikën vajzat,
ikën ëndrrat nga djepi i tyre,
mbetën shtëpitë me dyer të heshtura,
dhe malli u ul në çdo vatër të ngrirë.

Qaj, moj nënë, qaj me lot,
se të mori rruga dritën e syve!
Kujt t’ia thuash dhimbjen që s’ka të sosur,
kur nata të zgjatet mbi pragun e bijve?

Shaminë e zezë e ke lidhur në kokë,
por zi s’ke vetëm për të ikurit;
qan një rini që s’e mbajti kjo tokë,
qan përqafimet që mbetën të pambërritur.

O Shqipëri, ç’të ndodhi kështu?
Pse po të ikin degët nga trungu?
Kush do t’i këndojë këngët në ara,
kur zëri i rinisë dëgjohet përtej kufirit?

Kush do t’i hapë portat e shtëpive,
kur thinjat e nënave zbardhin në vetmi?
Kush do t’i mbjellë lulet në oborre,
kur duart që mbollën presin veç një fëmijë?

Por prit, moj nënë… mos e ul kryet!
Mos e lër lotin të të shuajë dritën!
Edhe pas dimrit, pranvera vjen,
edhe pas natës, agimi gjen ditën!

Shpresa qëndron e fortë si gur,
nuk e rrëzon as malli, as largësia;
se gjaku thërret, kujtimi nuk tretet,
dhe zemrën e birit e tërheq shtëpia.

Një ditë, ndoshta, do të dëgjosh në portë
at’ shenjë që ke pritur–një e trokit;
do të hapësh krahët, do të harrosh lotët,
dhe do ta shtrëngosh birin pas gjoksit.

Do të kthehen bijtë, do të kthehen bijat,
me thinja, me mall, me plagë të pashëruara;
do të puthin pragun, do të përqafojnë nënat,
dhe rrugët e zbrazëta do të mbushen me këngë të harruara.

Atë ditë, moj nënë, mos mbaj zi,
lidhe shaminë me ngjyrat e pranverës!
Le të mos përsëritet loti yt i hidhur,
le të mos ketë më ikje që gjakosin zemrat!

Se një vend nuk jeton vetëm me kufij,
as me flamurin që valëvitet në erë;
ai jeton kur bijtë kanë arsye të qëndrojnë,
kur ëndrrat e tyre gjejnë vend në këtë tokë të bekuar.

Ikje… ikje… por jo pa kthim!
Këtë thirrje ia lë erës dhe qiellit:
Mos e lini nënën të presë përgjithmonë!
Mos e lini Shqipërinë pa rrahjet e zemrës!

Se shpresa nuk shuhet kurrë…
Dhe dashuria nuk njeh kufi.
Një ditë, o nënë, do të hapet dera—
dhe lotët e mallit do të bëhen lot gëzimi!

Aferdita Mero Tiranë Tetor 2026