Ruzhdi Gole

(cikël poetik)
*
Mos ma përmend shpesh emrin –
më thotë Aroni…
vlonjat dhe hebre njitash,
ditët që ne përcollëm
na afrohen edhe kur s’donim
kujtesa e tyre s’është emër
por gdhendje
në gjak.
Si thua Aron, hebreu im vlonjat?!
*
Beersheva –
afër shkretëtire
pa shkreti njerëzore përkrah.
I iki shkretëtirës
jetoj mes gdhendjeve, të korrave
rrallë në Beersheva, shpesh hap Vlore.
*
Me krahë fluture
ky qytet i të bukurave
ky qytet më shpesh i të mirëve
ky qytet i ngjarjeve pa hije, pa hile…
Fluturat rrallë kujtohen
për mua … aq rrallë
sa kur kujtohem
për t’i takuar
s’janë më flutura
por mirësisht fjalë.
*
Të eci përpara
s’më le gjithçka mbrapa
krahët e drurëve, syri në gjah
rrugët e urta, shkreptimat e vagullta.
Pas po kthehem,
përpara më ecin këmbët
më çojnë vrulltie tutje, më tutje,
Etja mes shkretëtire buzëve thahet
ujërat burojnë nga buzët prej gruaje…
Sa dal nga bota prej rëre
mbrapa lë gjithçka
s’e lë mbrapa,
I gëzohem
qytetit endje
Syrit në gjah
gruas plot flatra.
*
Dita digjet në diell pa flakëza e tym
era fryn në të gjitha shtigjet
asgjë nuk rrëmben
tek ty në gjurmë.
Shigjeta të padukshme lëndojnë erën,
Dita të përqafon pa tym, veç flakëz,
në Vlorë dallgës i gëzohem
i bie në gjunj’ herët
në Beersheva i lutem natës.
*
Unë, në mëngjes, jetoj me një hebre
dhe në mesditë me një palestinez,
në mbrëmje përhera jemi tre …
N’atdheun tonë
Jeruzalem…
Në Vlorën time dhe tënden Aron…
*
Premtimi i ri buit thellë njeriut
gjithandej përhapet
paskëtaj,
jemi afër dhe larg si jugu me veriun
në ndërgjegjet tona
fitimtarë dhe humbës
herë shumë, herë cak.
Caku ecën në rrëpirat e thekëta
me një rropatje të madhe
ndonjëherë qëlluar
me plumb,
Bota e madhe është e vogël për hekurat,
Njeriu përtërihet
prej besimeve të vërteta
pa asnjë teh, pa asnjë gungë.
*
U çarmatos dimri, thurrimat iu shkrin …
Atleti vrapon, ndër gishta
një degëz ulliri
paqe e lidhur
paqe e bimë.
O atlet i gjithkohshëm
plot xixa bujarie
ti mvenjtesh e rrëzohesh
nga pengesa e pabesë,
U çarmatos dimri, plot mjaltë hojet
në Jeruzalem … në qytetin
plot troje …
plagë
dhe kujtesë.
*
Ajri plot qëndisma ndër gishta…
Ndonjëherë këtu pa pandehur
njerëzit edhe frikën
e ndalin
të bëj pak kozmetikë
t’i mbledh gërshetë flokët
të verë vath dhe karfica.
Ku humbi frika, përsëgjalli?
Këtu edhe frikën
e qendiska
Ajri…
*
Sot të kthjellohem
edhe më tepër
iki për diku
q’andej askurrë
ikur
vetëm e le hijen
megjithatë
edhe hijen e le
me laps e me letër.
Tek të verbërit jetoj
me tjetër sy drite,
rrëpirat para meje
nuk kanë roja zgërbonje
po thepisje e gjemba
me vdekjen
pas shpine.
*
Ky muze i ka themelet në det
çatinë rrezëllitëse
gjer në kodër,
faqe dorëshkrimesh
për fatin e rëndë
të njerëzve
mijëra vjet
Muze me makina qepëse
paja nusesh argjend
kostume dhëndurësh
bosht i madh, i vogëlth.
Unë, nga Sheshi i Kateqit
këtu hyja dhe dilja shpesh
fëmijë edhe prindërisht,
tek rrugica e çifutëve
rrobaqepës
më pak të vetes
më shumë të botës
rrugica muze
sot ndoshta dhe kishë…