Ju tregoj tri misteret e vizitës së Kadaresë në Kakavijë…Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Flet ish-shefi i Sigurisë së Gardës, Sefer Pasha:Ju tregoj tri misteret e vizitës së Kadaresë në Kakavijë: Të shikontë vendin ku u vra Telini, zyrën e poetit grek Elitis dhe Hanin e Ali Pashës ku kish fjetur Ismail Qemali

– Si qeni i kufirit u miqësua me Kadarenë, kur ai me përjashtim të instruktorit, nuk afronte askënd.

-Qeni e kishte pseudonimin “Mavropulli”, si fshati grek përballë postës kufitare të Kakavijës.

– Nga Tirana qenit “Mavropulli” Kadareja i kushtoi një poezi të veçantë që e botoi tek gazeta “Drita”

– Kur pashë dorën e Kadaresë pranë gojës së tij, u bëra akull. Mendova: “Do t’ia këpusë dorën e djathtë me të cilën shkruan shkrimtari!”

–Biseda më interesante me Kadarenë ishte kur tregova për Hanin ku kishte qëndruar Ali Pashë Tepelena pasi aty kthehej Ismail Qemali kur ishte në gjimnazin “Zosimea” të Janinës

-Kadareja u zbeh kur i tregova se gjatë luftës italo-greke, disa metra më tej kishte qenë zyra e poetit grek dhe nobelistit Odiseas Elitis

– Haki Toska më pat thënë se në gërmadhat ku kishte qenë Hani, deri në vijën e kufirit, kishin qenë pronat e familjes Muçaj, e cila tashmë banonte në rrugën mbi Qafën e Pazarit.

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Kakavija, aty ku kufiri ruante edhe historitë ….Kakavija e viteve 1944-1990 nuk ishte thjesht një pikë kufitare, por një vend ku çdo lëvizje, çdo fjalë dhe çdo vështrim merrte një kuptim të veçantë. Në vitet kur kufiri shqiptaro-grek ruhej me vigjilencë të lartë, aty zhvillohej një “luftë e heshtur” përtej telave dhe bunkerëve. Në këtë atmosferë, ish-komandanti i postës kufitare të Kakavijës, Sefer Pasha, ka përjetuar episode që sot duken si pjesë e një filmi historik.
Në zyrën e tij, në katin e tretë të postës, përmes një dritareje të ngushtë në formën e frëngjisë, vëzhgohej çdo lëvizje në anën tjetër të kufirit. Vetë vendi mbartte gjurmë të historisë: vetëm pak metra më tutje kishte qëndruar dikur zyra e poetit grek dhe nobelistit Odiseas Elitis.
Në atë bunker kishin hyrë ndër vite figura të rëndësishme të shtetit shqiptar, por edhe personalitete të artit e kulturës. Një prej vizitorëve ishte edhe shkrimtari Ismail Kadare, ardhja e të cilit në Kakavijë do të mbetej gjatë në kujtesën e komandantit. Takimi mes dy burrave nuk ishte i zakonshëm dhe mes tyre mbeti një heshtje e ftohtë, e pashpjeguar në atë çast. Ndërkohë, përtej kufirit, një kufitar grek ndiqte me dylbi çdo lëvizje dhe raportonte në radio për “njeriun me syza dhe flokë të pakrehur”. Një detaj i vogël, por që tregon se sa të vëmendshme ishin të dyja anët e kufirit ndaj çdo pranie të pazakontë. Sefer Pasha sjell në këtë intervistë jo vetëm kujtime personale, por edhe një copëz të atmosferës së një kohe kur kufiri ishte një botë më vete. Dhe rrëfimi vazhdon me Kadarenë, lapidarin e Llesh Pal Çupit dhe atë dalje nga Kakavija që do t’i mbetej gjatë në kujtesë.

–Për vizitat në Kakavijë kemi folur për Dritëro Agollin, Mehmet Shehun, Aziz Nesinin, Kadri Hazbiun. Por për Kadarenë nuk kemi folur. Si e njihnit Kadarenë?

Deri atëherë, nuk e njihja nga afër. E lexoja me vëmendje dhe e ndiqja krijimtarinë e tij. Një kolegu im e njihte më shumë dhe mburrej me këtë njohje. Për mua, Kadareja mbetej një figurë disi mistike, e heshtur, që e shihja nga larg përmes librave të tij. Por, në të njëjtën kohë, më krijonte përshtypjen e një njeriu disi mendjemadh. Ishte më shumë një përshtypje e imja, pasi nuk e njihja personalisht. Dhe një ditë, koha e solli për vizitë në Kakavijë.

–          Si ishte ardhja e Kadaresë në Kakvijë? Ishte e befasishme, e paralajmëruar. Kishit bërë përgatitje?

Ismail Kadareja erdhi për vizitë në postën kufitare të Kakavijës  kur nuk e prisja. Ishim “në luftë të heshtur me grekët”. Për të parë se çfarë bëhej në anën tjetër të kufirit, duhej të ngjiteshe në katin e tretë të postës. Aty unë kisha zyrën, një bunker me një dritare në formën e frëngjisë. Duhej të zgjasje kokën për të vështruar përtej kufirit, ku, dhjetë metra më tutje, gjatë luftës italo-greke kishte pasur zyrën poeti nobelist Odiseas Elitis. Në atë bunker kishin hyrë shumë personalitete, që nga Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, e Hysni Kapo, deri te shkrimtari turk Aziz Nesin. Siç kisha bërë me të gjithë vizitorët që kishin marrë leje për të ardhur në Kakavijë, ashtu veprova edhe me Kadarenë. Por Kadareja nuk më dha as dorën. As unë nuk ndryshova qëndrim. I qëndrova si një shtatore akulli. Në atë kohë, në zyrë më kishte ardhur edhe Mehmet Shehu dhe unë, lart e poshtë, broçkullisja se kisha pirë kafe me Kryeministrin, ndonëse kjo nuk kishte ndodhur. Kadareja nuk qëndroi gjatë me kokën në frëngji. Një metër më tutje, kufitari grek vrojtonte me dylbi. E dëgjova kur raportoi në radio për “njeriun me syza dhe me flokë të pakrehur”, i cili nuk kishte qëndruar në zyrën e vrojtimit më shumë se dy minuta. Me dy fjalë, kufitari grek i kishte bërë portretin Kadaresë. Pasi dolëm nga godina e postës së Kakavijës, Kadareja ecte përpara. Ndaloi pranë lapidarit kushtuar heroit Llesh Pal Çupi. Isha pas tij dhe i thashë që të merrnim një rrugë më të shkurtër për të dalë te makina me shoferin. Nuk m’u përgjigj. Po vështronte nga poligoni i stërvitjes, ku instruktori Faik Cani po stërviste qenin e kufirit. Kadareja, i cili deri atëherë nuk kishte shkëmbyer me mua më shumë se dy fjalë, më kërkoi me këmbëngulje ta çoja tek qeni. Unë hezitova. Por duhej ta dëgjoja. Nuk ishte thjesht një shkrimtar i njohur. Ishte edhe deputet i Kuvendit Popullor.

-Pse hezitove ta çoje tek qeni?

Pasi Instruktori po e stërviste qenin me një çarçaf të bardhë. Në mes të çarçafit ishte stampuar një fotografi e madhe e të arratisurit Xhevdet Mustafa. Kishim marrë një radiogram tepër sekret. Urdhri ishte i prerë: të ishim vigjilentë, pasi i arratisuri i rrezikshëm Xhevdet Mustafa mund të futej në sektorin e kufirit të Kakavijës për akte terroriste. Sipas radiogramit, atë e mbështeste Asfalia greke. Me përmbajtjen e radiogramit ishin njohur vetëm instruktori i qenit, Faik Cani, dhe qeni – “njeriu” memec i shërbimit. Qeni duhej të mësohej me fytyrën e Xhevdet Mustafës. Gjatë stërvitjes, qeni i hidhej fotografisë, përpiqej ta shqyente dhe, sa herë afrohej te fotografia në mes të çarçafit, instruktori i jepte një copë mish të freskët. Kështu qeni sulej edhe më fort. Stërvitja kishte një qëllim të vetëm: në një situatë reale, qeni duhej ta njihte Xhevdet Mustafën mes një turme njerëzish. I thashë Kadaresë se po ikja përpara dhe ai të vinte pas meje. Më duhej të merrja masa me qenin, sepse për këdo që i afrohej ai përbënte rrezik. Të kafshonte dhe mund të të merrte jetën. Kur mbërrita, i thashë instruktorit që çarçafin me fotografinë ta fuste në atë që ne e quanin “kashun”, ndërsa për qenin ishte “vilë”. Norma e qenit të kufirit ishte sa për dy kufitarë. E porosita Faik Canin që Kadareja të mos njihej me fotografinë e Xhevdet Mustafës dhe as me përmbajtjen e radiogramit sekret. Le të ishte edhe deputet. Në këndin e poligonit ku stërvitej qeni, ndalova dhe u ktheva nga Kadareja. Shkrimtari më vështroi dhe sërish heshti.  –Çfarë i tregove Kadaresë diçka që i interesoi më shumë?

I tregova për Hanin ku kishte qëndruar Ali Pashë Tepelena. Më kishin thënë kakavjotët se aty kthehej edhe Ismail Qemali kur ishte student në gjimnazin “Zosimea” të Janinës. I tregova se gjatë luftës italo-greke, disa metra më tej kishte qenë zyra e poetit grek dhe nobelistit Odiseas Elitis. I tregova gjithashtu se, pak kohë më parë, kishte ardhur Haki Toska. Ai na kishte thënë se në gërmadhat ku kishte qenë Hani, deri në vijën e kufirit, kishin qenë pronat e familjes Muçaj, e cila tashmë banonte në rrugën mbi Qafën e Pazarit. Pasardhës i kësaj familjeje ishte Thimjo Muçaj, “Hero i Punës Socialiste”. Kadareja ndaloi. Vështroi nga Hani i vjetër dhe më pyeti:  Po Muçajt, a e dinin që këtë vend e kishin pronë të tyre? U çudita me pyetjen. Ne ishim në socializëm. Prona private nuk ekzistonte më. Nuk iu përgjigja. Kadareja ishte shkrimtar problematik. Me të ishte marrë edhe vetë Enver Hoxha. Me siguri kishte një mendim tjetër në kokë për pronën private. Por unë nuk i hoqa më shkarpa gardhit. Kadareja përkthehej nëpër botë. Më në fund arritëm aty ku ishte qeni dhe instruktori Faik Cani. Pa u afruar mirë Kadareja, unë i dhashë instruktorit disa porosi, ashtu nëpër erë: të mos lajthiste dhe t’i tregonte Kadaresë çështjen e fotografisë së Xhevdet Mustafës të stampuar në çarçaf.  Mos ki asnjë merak, – më tha ai. Por kur ktheva kokën, u habita. Kadareja po i fërkonte kokën qenit të rrezikshëm. O Zot, çfarë po më shihnin sytë! Qeni, me përjashtim të instruktorit, nuk afronte askënd. E kishte pseudonimin “Mavropulli”, si fshati grek përballë postës kufitare të Kakavijës. Të kollofiste. Kur pashë dorën e Kadaresë pranë gojës së tij, u bëra akull. Mendova: “Do t’ia këpusë dorën e djathtë me të cilën shkruan shkrimtari!” Dhe kjo do të ishte e tmerrshme. Në një fraksion sekonde e përfytyrova Kadarenë pa dorën e djathtë. Ai nuk do të shkruante më letërsi. Nuk e dija nëse shkruante me të majtën. Kisha dëgjuar për shkrimtarë të mëdhenj që kishin shkruar veprat me dorën e majtë, por ama dorën e djathtë e kishin pasur. “Mavropulli”, për çudi, nuk bëri asnjë lëvizje. Rrinte urtë, sikur ta dinte se kë kishte përballë. Vetëm dy sytë, si dy zjarre, i rrotullonte me nervozizëm. Kadareja e përkëdhelte. Dhe qeni, që mua nuk më kishte lejuar t’i afrohesha, me instruktorin fliste lirshëm. Çfarë nuk i tregonte! Kadareja tregonte se ishte rritur në lagjen Palorto me qentë dhe macet. Asnjë qen i komshinjve, që trembte gjithë Palorton, nuk e ngacmonte. Ai vraponte në Sokakun e të Marrëve pas qenve. Madje qentë rrugaçë të Palortos i ndërsente që të mos afroheshin qentë e Dunavatit. Çfarë nuk po më dëgjonin veshët! Nga ato që tregonte Kadareja për fëmijërinë e tij, shumë gjëra nuk i kishte shkruar në veprat e tij. As në romanin “Kronikë në gur”. Pyetjet dhe përgjigjet për qenin e kufirit qenë të shumta.  

-Duke i folur për qenin a u ndal tek ndonjë detaj Kadareja?

Por Kadareja u ndal te një detaj që, mesa duket, e shqetësoi. Instruktori i tregoi se “Mavropullit” nuk i lejohej të bënte “seks” me bushtrat, qoftë edhe me ato të së njëjtës racë. Jeta e tij në detyrë ishte 12 vjet. Pas kësaj periudhe e çonin në Tiranë, në Shkollën e Qenve. Atje e asgjësonin. Kadareja u çudit. E pyeti disa herë instruktorin dhe prej tij mori të njëjtën përgjigje: “Mavropullit” nuk i lejohej të takohej jo vetëm me bushtra, por as me qen të tjerë. Ai jetonte i vetëm. Vetëm në vetmi ishte i egër dhe i papërballueshëm. Asnjë “diversant” nuk e kalonte dot kufirin. Pa “seks”, kishte nuhatje të fortë. Syrit të tij nuk i shpëtonte asgjë. Më në fund Kadareja i ndaloi pyetjet. Nuk dha ndonjë opinion, por dukej se ajo që kishte dëgjuar nuk i kishte pëlqyer. Ishte hera e parë që dëgjonte se një krijesë e kësaj toke mund të dënohej në një mënyrë të tillë. Instruktori Faik Cani i tregoi gjithashtu se, kur kishte shkuar për t’u trajnuar në Shkollën e Qenve, ky kishte qenë leksioni i parë që kishte marrë. Kadareja ra në mendime. Në fëmijërinë e tij në Palorto nuk kishte dëgjuar që qentë e shtëpive dhe të mëhallës të trajtoheshin si ky “Mavropulli” i kufirit të Kakavijës. Nuk e pata të vështirë ta kuptoja se Kadaresë nuk i kishte ardhur mirë. Punë shkrimtarësh, thashë me vete. Kjo racë qensh, që të ishte e fortë, trajtohej kështu në të gjithë botën. Po të mos ishin të “dënuar”, humbnin nuhatjen dhe nuk zbulonin dot armë, drogë apo vepra të tjera kriminale. Një qen shërbimi kryen punë që nuk i bëjnë dot as doganierët, as policët dhe as ata që ruajnë kufijtë. Por “Mavropulli” i Kakavijës ishte një rast i veçantë. Një gabim bëri instruktori Faik Cani gjatë ndjekjes së një “bande”. “Mavropulli”, që ishte në ndjekje, i shkëputet nga dora “shefit” të tij dhe largohet drejt Janinës. Kur kthehet, nuk e gjen më Faik Canin. Instruktorin e kishin futur në burg. “Mavropulli”, me nuhatjen e tij, ndalon përpara burgut të Gjirokastrës. Dhe nis të kuisë. Aq fort kuiste, sa u mahnit i gjithë qyteti. Ai e kishte nuhatur se në cilën qeli ndodhej “mësuesi” i tij. Kur Faik Canin e nxorën nga burgu, “Mavropulli” u kthye përsëri në detyrë. I bënë të gjitha analizat dhe rezultoi se gjatë kohës që kishte qëndruar në Janinë nuk kishte bërë “seks” me ndonjë bushtër. Dhe kështu u rikthye në krye të detyrës. Pas disa ditësh, në gazetën “Drita”, lexova një tufë me vjersha të Ismail Kadaresë. Më bëri përshtypje poezia “Qeni i Kufirit”. E lexova me zë të lartë disa nga vargjet:

“Bilbilat nga drurët e shohin me nderim,/ Sorkadhet brirët e bukur i ulin në blerim,/ Dhe ujqit vetë, po t’u dilte përpara,/ Do t’i hanin udhën kafshës ushtare.”

Atëherë më shkoi mendja përsëri te ajo ditë në Kakavijë. Te Kadareja që, pas heshtjes së parë, kishte kërkuar të shihte qenin. Te “Mavropulli”, qeni i egër që nuk lejonte askënd t’i afrohej. Te dora e shkrimtarit mbi kokën e tij. Dhe te pyetjet e Kadaresë për jetën e atij qeni, për vetminë, për dënimin dhe për fatin e tij. Ndoshta ai takim i shkurtër me “Mavropullin” mbeti diku në kujtesën e shkrimtarit. Unë nuk mund ta di. Por kur lexova “Qenin e Kufirit”, Kakavija m’u kthye e gjitha përpara syve. Dhe bashkë me të, edhe ajo ditë kur Ismail Kadareja, në heshtjen e tij karakteristike, qëndroi përballë një qeni kufiri dhe, për disa çaste, dukej sikur po shikonte përtej kufirit.

– Ju mendoni se Ismail Kadareja erdhi në Kakavijë vetëm nga kureshtja, apo kishte edhe një arsye tjetër?

Unë mendoj se Kadareja erdhi shumë edhe për të parë nga afër atë vend. Vetëm pak metra më tutje, gjatë luftës italo-greke, kishte qenë zyra e poetit grek dhe nobelistit Odiseas Elitis. Kadareja e kishte lexuar Elitisin, e njihte krijimtarinë e tij, edhe pse këtë nuk e shprehu gjatë vizitës. Mua, të paktën, nuk më tha asgjë për të. Ishte shumë i heshtur. Por, kur i tregova vetë se aty, vetëm pak metra më tutje, kishte qëndruar Elitis, e pashë se u fut në mendime. Nuk tha ndonjë fjalë, por dukej sikur ai detaj i kishte zgjuar diçka brenda vetes. Ndoshta nuk e kishte menduar se në atë cep të kufirit do të gjente një lidhje kaq të drejtpërdrejtë me një poet që e njihte dhe e kishte lexuar. Kakavija kishte edhe historitë e veta: Ali Pashën, gjeneralin Telinin, kufirin, luftën dhe gjithë ato personalitete që kishin kaluar aty. Mendoj se Kadareja u befasua nga kjo ndërthurje historish. Ai nuk foli shumë, por vëzhgonte. Dhe Kadareja, siç e dimë, shpesh i kthente gjërat që vëzhgonte në mendime dhe më pas në shkrim. Prandaj them se ajo vizitë, për të, nuk ishte thjesht një vizitë në një postë kufitare. Mendoj se Kadareja erdhi edhe për të parë me sytë e tij se çfarë i shtynte gjithë këta njerëz ta vizitonin Kakavijën. Ai e vizitoi në heshtjen e tij, pa shumë fjalë e pa u shfaqur, por më vonë shkroi shumë për atë zonë, për kufirin, për atmosferën dhe për njerëzit që jetonin në hijen e tij. Ndoshta pikërisht ajo heshtje me të cilën e përjetoi Kakavijën ishte mënyra e tij për ta vëzhguar dhe për ta kthyer më pas në letërsi.

Epilog

Kakavija mbeti pas, por kujtimi i Seferit nuk u shua. Sefer Pasha vazhdon ta kujtojë atë ditë si një nga takimet më të veçanta të viteve të tij në kufi. Kadareja kishte ardhur i heshtur, kishte parë, kishte dëgjuar dhe kishte vëzhguar më shumë nga sa kishte folur. Ndoshta ajo dritare e vogël e frëngjisë, përballë kufirit grek, i kishte hapur para syve një tjetër faqe historie: Elitisin, Ali Pashën, gjeneral Telinin, Agollin, Mehmet Shehun, Kadri Hazbiun, luftën, kufirin dhe njerëzit që kishin kaluar nëpër atë vend. Sefer Pasha nuk mund ta dinte atëherë se çfarë do të mbetej në mendjen e shkrimtarit. Por sot, pas kaq vitesh, ai e sheh atë vizitë ndryshe. Kakavija për Kadarenë nuk ishte vetëm një pikë kufitare; ishte një vend ku historia, letërsia dhe kufiri takoheshin në pak metra hapësirë. Dhe ndoshta pikërisht aty, në atë heshtje të tij karakteristike, Kadareja mori me vete një tjetër histori për ta kthyer më vonë në fjalë.

Komandanti i Kakavijës, Hekuran Latifi, kishte futur në organikën luftarake të repartit dëshmorin Llesh Pal Çupi dhe Ismail Kadarenë

Isha pas Hekuran Latifit kur ai filloj leximin e emrave në atë që quhej “numërimi luftarak”. Kur paraardhësi para pesëdhjetë kufitarëve lexoj emrin e dëshmorit Llesh Pal Çupi kufitari i radhës sipas urdhrit u përgjigj: – “Këtu”! Por pasi kufitari u përgjigj : “Këtu!” në vend të Llesh Pal Çupit, unë u befasova. Hekuran Latifi vazhdoi me listën e gjatë dhe tha: “Ismail Kadare”! Kufitari në rreshtin e parë, pas “Llesh Pal Çupit” u përgjigj: –  “Këtu!” Po kjo ç‘është thashë me vete? Shkrimtari Ismail Kadare nuk ka qenë ndonjëherë kufitar. Dhe nuk është vrarë. Nuk e zgjata. Me të marrë librin e shërbimit emrit të Ismail Kadaresë i vura vizë. Nuk do ta lejoja që të përmendej emri i Kadaresë në numërimin luftarak. Çoç kisha dëgjuar. Ish komandanti donte që emri i Kadaresë t’i bënte karshillëk poetit grek Odyseys Eliotis, që e kishte pasur “studion” gjatë luftës italo – greke pak metra më poshtë zyrës, ku kishte kaluar një pjesë të jetës komandanti në ikje. Në zyrën, ku kishte punuar Hekuran Latifi më bëri përshtypje një bibliotekë e gdhendur me dru arre. Në raftet e bibliotekës ishin sistemuar vetëm librat, që kishte botuar Kadareja. Pyeta oficerët që e kishin pasur epror dhe m’u përgjigjën se komandanti i tyre mbante vetëm librat e Kadaresë. I duhej fama e shkrimtarit. Poeti grek Odysseus Elytis kishte luftuar deri në Gjirokastër, Tepelenë dhe Përmet. Ciceroni i postës kufitare greke u tregonte vizitorëve gërmadhat e ish “zyrës” së Odysseus Elytis. Kur Hekuran Latifi kishte marrë detyrën ai kishte parë se kishte epërsi mbi grekët. E favorizonte dhe pozicioni gjeografik. Kur delte dielli mbi fshatin Mavropull të Greqisë, hija e tij dhe ajo e ushtarit grek përplaseshin, përqafoheshin, fërkoheshin dhe si në ndonjë ndeshje me shpata copëtoheshin për vdekje.