Karriget bosh…

Nga A.M

 
Ca karrige në një rreth,
pa një zë e pa një fjalë,
përballë pushtetit rrinë në heshtje,
si pesë plagë që s’janë tharë.
 
Janë prej druri, të vjetruara,
nga një kohë që s’ka harrim,
presin njerëz që kanë ikur,
presin drejtësi e ndryshim.

 

Njëra pret të riun e larguar,
që në dhe të huaj kërkon jetë,
tjetra pret një nënë të lodhur,
që me lot fëmijët përcjell.

 

E treta pret një pensionist,
që me pak jeton çdo ditë,
e katërta pret një të papunë,
që ka humbur çdo shpresë e dritë.

 

E pesta rri përballë derës,
aty ku pushteti ka shtëpinë,
pret një burrë me ndërgjegje,
që t’i dalë zot Shqipërisë.

 

Pesë karrige, pesë heshtje,
pesë pyetje pa përgjigje,
në një vend që kërkon shpresë,
por çdo ditë i shtohen ikjet.
 
Mos i hiqni ato karrige,
lërini aty në atë shesh,
se më shumë se mijëra fjalë,
ca karrige bosh bëjnë protestë.