Kjo botë rrugaçe-Nga Panajot Boli



Nuk e di pse i dorëzohem vetmisë
Sa herë që horizonti mbi luginën e fshatit tim,
Mjegullohet,
E fytyra e diellit…e palarë, zverdhim

Nuk e di pse i dorëzohem vetmisë
Sa herë shoh pulëbardhat që rrinë në breg,
Të trishtuara,
E deti i turbullt, me përtim valët terheq

Nuk e di pse i dorëzohem vetmisë
Sa herë që terrin e natës një zë qyqeje e grish,
Me vajtim,
E heshtja indiferente hesht, e përgjigje s’kish

Nuk e di pse i dorëzohem vetmisë
Sa herë që dielli derdh lotë të kuq në përendim,
Me denësë,
E misteri fshihet diku në humbëtirën pa mbarim

Nuk e di pse i dorëzohem vetmisë
Sa herë që trendafili në oborr dritën e tij humbet,
Shpresëlënduar,
E ngjyrat e vesës, mbi supe pluhuri i ka mbet

Nuk e di pse i dorëzohem vetmisë
Sa herë që shoh kanatat e mbyllura të shpirtit të saj
Dorezëhumbura
E në qerpikët që dridhen ,varen ca grimca akullnajë

Nuk e di pse s’më ndahesh moj vetmi
Unë të shtyj…. të shtyj
Kjo botë rrugaçe
Prapë më hedh tek ti