Koço F. Kosta- poeti që përdor ligjërimin popullor të drejtpërdrejtë-Nga  Panajot   Zoto

                

                 Koço F. Kosta- poeti që përdor ligjërimin popullor
                                     të drejtpërdrejtë
                  -Shënime   për  librin “Kam  shtëpinë  mbi  një  liman”

                                                                       Nga  Panajot   Zoto
 
       Në   këto dekadat e fundit  vihet re një  zhvillim i vrullshëm  i   krijimtarisë letrare,thuajse në të gjitha gjinitë  e zhanret, veçanërisht në poezi. Brenda  listës,  me shumësi emrash, ka plotë emra të denjë që lëvrojnë poezinë dhe, vepra e tyre  qëndron në piedestalin e fushës së letërsisë. Kjo nuk mohohet. Po ka  dhe  një anë tjetër të medaljes,ku tregu “informal”  i librave  është i mbushur plot. Emrat e atyre që   shkruajnë poezi dhe publikojnë përditë  krijime në medjat sociale, madje botojnë  edhe vëllime poetike, mbushin  hapsirën mediatike dhe, ndjejnë së brendshmi përkëdheli kur  nëmërojnë klikimet apo komentet që  nisin me “Bravo Poet”.  Po a janë të gjithë të tillë?  Kjo nuk ka rëndësi.  Ajo që  dua të potencoj me këtë  “parathënie” të shënimeve për librin “Kam  shtëpinë mbi një liman”, lidhet me  seriozitetin e të shkruarit, me cilësinë , problematikën, mesazhet që  kërkon të përcjellësh te lexuesi ,të cilit  mund t’ia kursejmë “mallin e pavlerë”.
  Koço  Filip Kosta,  një emër i njohur ,jo vetëm në vendlindjen e tij- Sarandë, botues i mbi 7 librave, ndër to  dy romane, asnjëherë nuk ka folur për vete. Nuk ka pranuar të thiret “shkrimtar” ,apo “poet”. Jo se nuk është,( do të thoshja,një ndër më të mirët krijues  të jugut të vendit) por se ai  është tepër i kujdesshëm dhe kërkues ndaj vetes, që e konsideron  modeste punën e tij krijuese.
       Teksa  ke përfunduar së lexuari  vëllimin  poetik ”Kam  shtëpinë mbi një liman“ të  këtij autori,  mendimi  të shkon tej  modestisë. Poezia  e tij  nuk  lind  nga  dëshira për t’u dukur, por nga nevoja për të  shprehur një botë brenda së cilës  gëlon një jetë me të gjitha dimensjonet  e saj: familjen, dashurinë, kujtesën, mallin,shpresën, jetën në emigracion,   vdekjen dhe lindjen, detin dhe romantikën e tij.  50  poezitë e  librit me motive të ndryshme ngjajnë  si një arkitekturë e brendshme  e  tij,  ku   ndeshesh  shpesh me motive dhe fjalë  si: deti,mbyllje, ikja, vëllai, emigrimi, greqia, shqipëria, biblioteka, zjarri, koha, babai, rinia, vdekja. Këto janë tema të veçuara,por  edhe lidhen me njera- tjetrën  përmes një ideje qëndrore: njeriun që jeton me kujtesën e asaj që ka humbur dhe dëshirës për të ruajtur diçka  nga ajo që ende mund të shpëtohet. Kjo ndodh  nga që  Koço  Kosta i është rikthyer poezisë pas shumë vitesh lënë në “sirtarin e haresës”. Kjo nga njëra anë. Ndërkaq  nuk  ka nxituar të derdhë në rrugën krijuese  gjithçka  që muza  i ofron. Jo. Ka qënë dhe mbetet një seleksionist i produktit  që del nga  akti i tij krijues.
    Poezitë e vëllimit poetik  “Kam  shtëpinë mbi një liman”, mund të  shihen edhe si një dialog i autorit me  lexuesin, ku poeti  përdor  ligjërimin popullor të  drejtpërdrejtë. Në  disa prej poezive të tij ,ky ligjërim bëhet  më i gjallë dhe më karakteristik.   fjalori i përdorur nuk   është rezultat  i sforcimeve për  gjetje  fjalësh “me peshë”  dhe gjuha poetike nuk prodhon fraza “të mëdha”. Poezia  nuk paraqitet si një muzë e ëmbël , apo  një lloj limonade vjeshte me lule  e gjethe rënieje. Përkundrazi;  poezia e tij është kërkuese dhe nuk e lë të qetë poetin. Koço Kosta  nuk duket se kërkon të pastrojë gjuhën poetike nga ngjyrat e të folurit popullor. Përkundrazi, e fut atë në poezinë e vet si burim autenciteti. Fjalët sertare, xanxare, sherxheshë, etj, nuk  sjellin bukurinë e pranverës dhe luleve ( motive të shumë poetëve),por ngjyrimin e fortë popullor e krahinor dhe për këtë  arsye nuk  fluturojnë në eter,por  qëndrojnë  peshërënda përball lexuesit.
   Poezitë e këtij vëllimi, që mund t’i  karakterizojmë si poezi kushtuar familjes: babait, nënës, vëllait, mbesave etj; poezi malli  për vendlindjen, “shtëpinë mbi liman”; poezi  malli për detin, fshatin; poezi për emigracionin  dhe shqipërinë, etj. duket se janë  shkruar   mbi mbresa të vargëzuara të çastit. Kjo sepse nuk sheh kund përpjekje për të gjetur e ndërtuar teknalitete  dhe figura. Ato vinë natyrshëm dhe zbukurojnë  vargun , e bëjnë strofën tërheqëse dhe poezinë bindëse. Metafora dhe  shprehjet metaforike janë  “si ballë kazani”  në  poezitë e këtij  vëllimi ku nuk mungojnë figura të shprehjes si: hiperbola, simboli, paradoksi, kontrasti, personifikimi, pse jo dhe   vargjet elegjike etj.          
  Le të ndalemi  te disa poezi të këtij vëllimi:
  “Mbytja”, është një poezi me një ngarkesë të fortë emocionale kombëtare dhe tragjike.Në qendër të saj  qëndron drama e refugjatëve që humbën jetën në det; por autori e vendos këtë tragjedi në një hapsirë më të gjerë kur thotë: “Një Shqipëri që vazhdimisht mbytej dhe rivarrosej”. Poezia “Galerat”, është një nga poezitë më të drejtpërdrejta  në trajtimin e  përbuzjes, ksenofobisë dhe plagës së identitetit të emigrantit. Dy shprehjet:  “Ik mor grek muti” dhe “Palo, skato alvane”, e vulosin menjëherë subjektin poetik  midis dy botëve. Në njërën anë ai përjeton përbuzje si grek, në anën tjetër si shqiptar. Vet titulli “Galerat”   është titull metaforik  që sjell ndërmend galerat e lashta, ku njerëzit punonin  të lidhur e të nënshtruar. E thënë ndryshe  poezia mund të lexohet  si metaforë e një ekzistence të rënduar nga paragjykimi, varfëria  dhe përçarja. “Kur  digjej biblioteka”, është një poezi e fortë për kujtesën, shkatërrimin dhe traumën kombëtare. Djegia e  bibliotekës së qytetit (Sarandë) në marsin e mallkuar ’97, i  zhduku   këtij qyteti  atë që  mund të konsiderohet një simbol i kujtesës, kulturës dhe identitetit. Në vargjet:
              “një pashblozë ra mbi dritaret tona, atë natë,
                mars ‘97”
 konstatojmë një figurë shumë të goditur.Bloza nuk mbetet vetëm si një gjurmë e zjarrit, ajo duket se bie  mbi vet jetën njerëzore. Ndërkaq “Dritaret tona” lexohet dhe si   sytë e një  qyteti që sheh shkatërrimin.  Në  vargjetë
         “Mos katakombet  kish trazuar historia
           tek na dërgoi të tjerë Neron?”,
 Neroni  këtu funksionon si simbol   i shkatërrimit dhe i barbarisë. Dhe poeti Kosta  e shpreh këtë barbari me vargjet:
   “Atë mëngjes,(bo, bo, ç’atë mëngjes,
    atë gjëmëzezëmëngjes, thuaj)”,
 duke e bërë poezinë më të gjallë dhe  më dinamike, dhe njëherësh shfaq përmasën e dhimbjes.
 Kjo poezi lidhet natyrshëm me  poezinë  “Mbytja”. Atje  Shqipëria mbytej përmes tragjedisë së refujatëve; këtu ajo digjet përmes shkatërrimit të kulturës dhe kujtesës.
   Këndvështrimet e poetit për jetën, kohën, kujtesën janë të ndryshme. Në poezitë e tij ka dhimbje, tone tragjike, por ka edhe  intimitet mbi kujtesën, rininë,kohën që kalon, lindjen dhe dashurinë. Në poezinë  “Çudi”, autori  shprehet i habitur  se si një njeri  që deri dje  nuk e kërkoje, pa pritur të bëhet i dëshirueshëm.  Ndryshimi  është shumë domethënës:
 
 “Deri vjet
 ma kish qefi të kaloja”
 sivjet,
çudi, pse kam dëshirë,
 të më kaloj ajo para shtëpisë”
 
 Këtu  kemi të bëjmë me përmbysje të mardhënies me kujtesën. Ajo që dikur ishte indiferente, tani të tërheq. Koha ka ndryshuar këndvështrimin e poetit.
 “Nefeli”,  është një tjetër poezi ku dhimbja zëvendësohet nga  gëzimi i lindjes dhe shpresës që shfaqet atëherë kur gjithçka duket e mbuluar nga dimri. Një nga idetë më të bukura të pëoezisë është se prania e një fëmije e ndyshon  kuptimin e botës edhe kur  pritet që “Tiranën ftoma, ngrica,/ dëborë do të mbulonte”, për ata që prisnin ardhjen e fëmijës do të ishte: “çdo gjë diellësore e ngrohtë”. Kjo është një metaforë e fuqishme: dashuria dhe pritja  janë më të forta se ftoma, bora dhe faktorët  atmosferik të dimrit. Parë në kontekstin  e gjithë librit kjo poezi është e rëndësishnme pasi tregon se poeti nuk është vetëm poet i dhimbjes (kujto poezitë “  “Mbytja”, “Djegia  e një  biblioteke”, “Vdekja e vëllait”, “Galerat” dhe  të tjera). Në botën e tij ka edhe lindje, gëzim, familje dhe shpresë.
Interesante janë  edhedisa poezi  ku autori evokon dëshira, si poezia  “Emri yt”, që të çon në një tjetër territor: dashurinë e humbur dhe kujtesën e dashurisë. Gruaja e dashur  përshkruhet përmes  figurave të mprehta  si në vargjet:: “Vështrimi yt i ngjante veriut,/ thik’ e përgjakur…” ,apo metafora e derës “ Sytë e tu si brav’ e portës,/ bosh.” Dhe  së fundi vargu: “Emrin tënd do ta them si dhe sot”, e rikthejnë te  kujtesa. Te Koço Kosta ajo që hiumbet vazhdon të jetojë përmes emrit, fjalës dhe kujtesës.
  Poezitë  “Shqipërisë”  dhe  “Letër Kazanzaqit”  përcjellin mesazhe gati të njëjta.Hapin një dimension të veçantë të librit. Në të parën kemi një dialog të shqetësuar me atdheun,ku poeti i drejtohet Shqipërisë  si një njeriu, madje si një nënë: “Shqipëri!/ Ç’të ndodh kështu!”… Në poezinë e dytë  autori dialogon me kulturën Greke dhe Evropiane dhe shfaq  një dimension të fortë qyytetar kur paralajmëron për  rrezikun e një greqie që mund të dëmtohet nga një përçarje dhe urrejtja,kur u drejtohet (Kazanzaqit  dhe El Grekos): “mos e lini greqinë mjerë”. Autori këtu nuk flet thjesht si shqiptar për Greqinë.Ai flet si njeri i kulturës për fatin  e një vendi dhe të një shoqërie.
   Dhe së fundi poezia “POEZISË”,të cilën do ta  shikoja si një lloj preambule të këtij vëllimi poetik. Kemi dy anë të ndryshme në këtë  poezi: poetin që rikthehet te krijimtaria poetike si te një dashuri e vjetër e tij dhe, nga ana tjetër, poetin që përdor ligjërimin popullor të drejtpërdrejtë, dhe dialogon me krijimtarinë :
”Për shumë vite thash se të braktisa.
Në astar të zemrës.
si unazë e dhëndërisë nusëron”.
Krijimtaria personifikohet si një dashuri që nuk është haruar kurrë. “Astari i zemrës”  është një gjetje e bukur metaforike. Ajo  është fshehur nuk është zhdukur por është ruajtur  në pjesën më intime të qënies.
 
Duke i mbyllur këto  shënime  për librin  që mban titullin e poezisë “Kam shtëpinë mbi një liman”, dua  të ritheksoj  rikthimin e autorit jo vetëm në krijimtari poetike,por dhe rikthimin e tij te dashuritë e dikurshme,te forca e fjalës që shpreh dëshira,mall dhe kujtesë.Dhe pikërisht  titulli “Kam shtëpinë mbi një liman” ,në kontekstin e  vëllimit poetik, merr  një  kuptim  interesant. Shtëpia  është vendi i kujtesës  dhe i përkatësisë. Limani është vendi i nisjes dhe kthimit. Poeti jeton  poetikisht në kufi midis vendlindjes dhe largimit, jetës dhe vdekjes. së shkuarës dhe së arthmes.
 Në poezitë e këtij vëllimi, dallohen tre dimensione të poetikës së Koço Kostës: Lindja dhe shpresa , dashuria  dhe humbja, si dhe  dialogu  i drejtpërdrejtë.