“Krisma n’Çarshi” novelë nga Boris Miska- Çezar Rica

“KRISMA N’ÇARSHI” novelë nga Boris Miska.

Pas një ngjarjeje të bukur letrare, zakonisht nuk shprehem menjëherë, përveçse kur dua ta shpall thjeshtë si njoftim. Por më duhet pak kohë, disa ditë, për të shmangur efektin emocional dhe për të reflektuar me një gjykim të ftohtë mbi vlerat e veprës letrare dhe për të ndjerë shijen e paharrueshme të takimit letrar. Kështu më ndodhi në promovimin e novelës “Krisma n’Çarshi” të shkrimtarit Boris Miska, veprimtari e kryer te Librari “Tirana Times” më 12 shtator 2026. Pjesëmarrja e mjaft shkrimtarëve, studjuesve, intelektualëve të fushave të ndryshme, të gjithë lexues cilësorë të letërsisë, gazetarë, miq të autorit, i dha veprimtarisë aq sa nivel kritik, po aq atmosferë të ngrohtë festive. E lexova me ëndje novelën dhe megjithëse mundohesha të ruaja një distancë ftohtësie gjykimi, ajo më rrëmbeu me intensitetin e rrëfimit, me kurthin e ëmbël të kureshtjes që ta ofrojnë veç tekstet e arrira artistike.

Qasja kritike ndaj historisë, demitizimi i saj, zbulimi i alternativave të tjera të mundshme në kërkim të së vërtetës që legjendat fshehin plot mister; jo me qëllimin për t’i zhvlerësuar, jo për t’i rrëzuar, por për të zbuluar anë të tjera të panjohura të prizmit shumëngjyrësh, parë në dritën bashkëkohore të artit kontemporan, të normave e shijeve të reja të shoqërisë moderne tek e cila jemi përfshirë në mënyrë të pashmangshme, kërkojnë dije të thellë, talent të padiskutueshëm, përvojë të gjatë “shtegtimi” nëpër viset e thepisura epike të eposit e folklorit unik të veriut të Shqipërisë; kërkojnë qasje të koduar ndaj strukturës antropologjike të mënyrës zakonore të jetesës malësore shqiptare; mbi të gjitha kërkojnë qasje me respekt e dashuri : tregues e virtyte të cilat shkrimtarit Boris Miska jo vetëm nuk i mungojnë, por janë shprehje integrale e genit të tij patriotik e intelektual. Si rrallëherë shoh në letërsinë shqipe një shkrimtar të origjinës natyrale nga Toskëria, Borisin, të shuajë etjen e të shijojë deri në asht gurgullimën e lashtë homerike të krojeve të gegnishtes, ashtu siç e ndjente Naimi i diturisë, Kristoforidhi i urtësisë, Lasgushi i ndritshëm. Është një avantazh i madh për ty Boris!

Mos e neglizho, mos e braktis! Novela e Borisit sikur na thotë: “Kjo nuk është balada e Halil Gashit; kjo është legjenda e Beqir Agës dhe Hajries. Ashtu si legjenda e “Samsonit dhe Dalilës”, ashtu si “Jusufi dhe Zylihaja”, njësoj si “Romeo dhe Zhuljeta”. Po ç’mund të them tjetër për bukurinë e baladës së Halil Gashit dhe “rizbulimit hënor të anës së fshehur të saj” nga autori Boris Miska te novela “Krisma n’Çarshi”, përveçse t’i kushtoj vargjet përmbyllëse të një prej poemave të mia më të dashura: “Dashuritë e mëdha udhëtojnë që të mos vdesin (AL), Dashuritë e mëdha vetvriten para se t’i vrasin “.

Çezar Rica 17 shtator 2026