Kur hidhte hapat e fundit: “Nëntori i dytë”-G.Llojdia

G.Llojdia

1.

Isha student atëherë. Kujtimi i asaj ngjarjeje më trazon ende, si çdo gjë që të ngjan e vogël kur e jeton dhe bëhet e madhe kur e kujton. Është si një ndërtesë që shembet nga lëngata dhe nga e cila mbeten veç gërmadhat e një bukurie.

Gjithçka nisi në rrugën-muze “Justin Godard”, një nga lagjet e vjetra të Vlorës, në Muradie, me banesa që ruajnë ende fasadat karakteristike të qytetit historik. Cepi i saj perëndimor të nxjerr te Sheshi i Flamurit, kurse ana lindore te Lagjja Partizani, në drejtim të Babicës. Në kohën e Rilindjes dhe të Pavarësisë Kombëtare ishte rruga kryesore e qytetit dhe dikur quhej “Liria”. Atë ditë shtrihej nën ziftin e zi, mes shtëpive të vjetra që dukej sikur kishin mbajtur frymën.

Në të dy anët e rrugës rrinte një turmë njerëzish, të veshur me xhaketa të një kohe tjetër. Afrohem kurioz dhe pyes me zë të mekur se ç’po prisnin aty.

– Po xhirohet filmi për ngritjen e flamurit në Vlorë, më tha një thinjak i gjatë.

– Aha, tunda kokën, si ai që e kupton menjëherë peshën e fjalës.

Prita të shihja ndonjë sekuencë, sepse mendoja sa metra celuloid kishin ecur tashmë nëpër bobina. Njerëzia bisedonte kot më koti, por të gjithë prisnin. Askush nuk e njihte skenarin dhe, rrjedhimisht, as ngjarjet që do të xhiroheshin. Kur mungon informacioni, lind thashethemi. Dikush thoshte se regjisori Viktor Gjika dhe të tjerët sapo ishin kthyer nga Komiteti i Partisë, ku kishin kërkuar ndihmë. Përse, askush nuk e dinte.

Pas njëfarë kohe erdhi një grup aktorësh të njohur shqiptarë. Bujar Lakon e dallova nga mustaqet. Dikush tha se sapo kishin mbaruar një skenë te muzeu në Skelë. Pastaj erdhi një fytyrë pak e njohur nga ekrani, Spiro Duni. Nuk e dija ç’pozicion kishte në ekip, por ai e vështroi turmën, më pa mua që rrija në fund dhe tha:

– Po ti ku e ke xhaketën? Pse nuk e ke veshur?

-Sapo erdha, i thashë. Kalova rastësisht këtej… Dhe ishte vapë, nuk rrihej me xhaketë.

Ai shkoi përballë, mori një xhaketë dhe ma zgjati. Veshja m’u duk si e një kohe tjetër. Isha aktor? Jo kurrsesi, thjesht një figurant i rastësishëm. Por e kisha pritur dhe ëndërruar këtë çast.

2.

Në atë çast më erdhi ndër mend një ndodhi tjetër.

Aty nga vitet ‘82, kur studioja në Tiranë, hipa në një autobus dhe pashë që aty po xhirohej filmi televiziv “Era e ngrohtë e thellësive”, i regjisorit V. Prifti. Një kaçurrel me motor priste autobusin e Valiasit; diku më dukej se e kisha parë te “Në çdo stinë”. Aktori kryesor, Xhevdet Ferri, po zbriste nga autobusi.

Hipëm dhe zbritëm nga urbani që kthehej nga Valiasi pesë-gjashtë herë, bëmë një xhiro dhe u ktheshim te pastiçeria “Flora”. Kur filmi u shfaq në televizion, rolet tona prej figuranti, ndonëse kishin zgjatur disa orë, nuk u dukën kurrë në ekran. Figurantë si ne kishin qenë “asgjësuar” nga gërshërët e montazhierit, në studion e të vetmit TV shqiptar.

Thashë me vete: “Tani më jepet rasti i dytë.”

Kjo dritë që m’u shfaq gati papritur më vjen si mirazh i pritur, si një ndjesi plot jetë. Shkëndija yjesh nisen drejt meje dhe më pushtojnë me krahët e tyre. Ah, sa mall paskam pasur për këtë prani që më mbush me shpresë! Drita e hënës më thërret të shkrihem me ndriçimin e saj të pashtershëm. Para syve më hapet një strehë e vogël ku mund të struket padurimi im dhe endja ime. Në hapat e mi gjej ecjen e pashmangshme drejt thellësive të një oqeani të pafund. Meditim poetësh.

3.

Erdhi dikush që briti: “Motor!” Dhe pas pak u shfaqën kalorës me kuaj, që vinin nga hyrja e rrugës së Muradies drejt Sheshit të Flamurit. Disa herë u ndalën. Ndërsa rrinin e prisnin, nuk kuptonin pse ishin kaq të gjata ndalesat në xhirimin e një filmi.

Skena e pritur ishte ardhja e Isës. Erdhi vonë, siç duhej, pasi kishte qenë në burg, në kala të mbyllur nga serbët, por erdhi me 300 kalorës. Në godinën e vjetër hyri një djalosh, që ishte postieri. Pastaj pamë Marigon, qëndistaren e flamurit. Përtej asaj që shihet dhe preket, Marigoja e filmit ishte një vashë e bukur. Nuk i kishte flokët me kosa si në film, por kur aktorja hoqi parukën, u shfaq një tjetër bukuroshe. Bukuria e saj ishte e shkrirë në çdo gjë, si pjesë përbërëse e së tërës, pa mbarim e pa kufi. Marigoja ishte emocionuese edhe në film.

Në muzg desha të ikja dhe i thashë Spiros se isha student dhe duhej të ktheheshim në Kotë. Ai më tha se do të xhirohej te Ura e Bratit një skenë për ardhjen e kalorësve, dhe se nesër në mesditë do të kalonin për në Brataj, prandaj duheshin rreth dhjetë bluza me ngjyrë të kuqe. Të nesërmen e prita në qendër të Kotës, i dhashë bluzat dhe ai më dha të hollat për shpenzimin. Ndërkohë makinat dhe mjetet e tjera të filmit merrnin rrugën e lumit të Vlorës.

Në gjuhën poetike unë i kam përdorur urat si simbole: ura diellore që mbajnë copëra fatesh. Por të jemi realistë: në trojet tona urat kanë qenë nevojë për të lidhur brigjet.

Ura e Bratit është një urë me dy harqe. Hapësira e madhe është aty ku kalon lumi, kurse të tjerat janë si dritare që, kur fryhen ujërat në dimër, i shkarkojnë ato përmes tyre. Ujët e shumtë vërshonin nën gurët e saj, një mrekulli e ndërtuar nga mjeshtra shekuj më parë. Daton në shekullin XV-XVI dhe ndodhet pranë fshatit Brataj. I ka shërbyer zonës për më shumë se pesë shekuj, duke lidhur dy anët e lumit Shushicë, rrugën e vjetër të karvaneve me atë të Rrëzës, fshatin Brataj me fushën e Brates dhe Smokthinën. Është e lartë mbi 9 metra dhe e gjatë afërsisht 30. Shushica është lumi 76 km i gjatë, me burim te shurri i Kuçit, dhe në vendin ku përzihen lumenjtë bëhet bashkimi i tyre. Për të shkuar në këtë objekt kulture, udhëtimi zgjatet në luginën e lumit. Në dimër ura tregon edhe fortësinë e saj. Shqiptarët e kanë parë profilin e plotë të Urës së Bratit te filmat “Nëntori i dytë” dhe “Udha e shkronjave”.

Kur filmi u shfaq në ekran, për ne figurantët nuk kishte vend, dhe kjo ishte e kuptueshme: çdo gjë që xhirohej kalonte nëpër procese të tjera të rrepta vëzhgimi. Jo vetëm ne, që u gjendëm rastësisht figurantë, por edhe artistë të tjerë, ndonëse kishin pasur role, shpesh e kanë parë veten të gjysmuar në ekran. Jo gjithçka që xhirohej në bobinat e L. Konomit do të shfaqej. Unë rikujtoj çdo detaj të mundimeve të mia, ku krahët marrin çastet dhe meditimet e ëmbla si dielli përflaken nga ndriçimi i tyre. Por gjithsesi ato mbeten veç copëza të vogla të fshira në bobinat ku mbështillej celuloidi.

E nis udhëtimin tim të gjithmonshëm drejt “Tokës së premtuar”. Pas meje mbeten hijet e zeza të dyshimit dhe të mosarritjes. I dua këto hapa të pashmangshëm, që kurrë nuk ndiejnë lodhje.

4.

Kartela e filmit “Nëntori i dytë”

• Kinostudio: “Shqipëria e Re”

• Vendi i prodhimit: Shqipëri

• Viti i prodhimit: 1982

• Gjuha: shqip

• Regjisor: Viktor Gjika

• Skenari: Kiço Blushi dhe Dhimitër Shuteriqi

• Muzika: Kujtim Laro

• Kameraman: Lionel Konomi

Aktorët kryesorë:

• Sandër Prosi: Ismail Qemali

• Reshat Arbana: Isa Boletini

• Mario Ashiku: Shpend Dragobia

• Sulejman Dibra: Gjenerali turk

• Demir Hyskja: Mytesarifi

• Bujar Lako: Luigj Gurakuqi

• Robert Ndrenika: Hakiu

• Petrit Malaj: Adem Boletini

• Luan Qerimi: Sali Drenica

• Guljelm Radoja: Lym Kepi

• Hajrie Rondo: Gruaja e Lym Kepit

• Ilia Shyti: Mullai i Beratit

• Pandi Raidhi: Demir Arbana

• Spiro Urumi: Xhaferr Bej Kadena