
Kur të zgjodha për mbretëreshë jete,
ti ishe më e bukura, në shtatë qytete.
Për bukurinë tënde, si zana në përrallë,
grisa shtatë këpucë, duke ardhur vërdallë.
Për sytë e tu, ku valëzojnë dy dete,
zemra më dridhej, sikur binin tërmete.
Kur ndale tek unë, sytë e tu fluturak,
në sytë e mi lulëzuan, tufa zambakë.
Kur më erdhe pranë, e të mora erë,
kishe aromë, nga tërë një pranverë,
sikur të ishe, lëndinë me trëndafila,
ku ligjëronte nje kor me kanarina e bilbila.
Kur fustanin me vello nusërie, veshe,
m’u duk sikur të dolën, flatra hyjneshe.
Kur shkuam në shtrat, dorë për dore,
dyshekun mbushe, me re pupëlore.
Kur më ngjite lëkurën, e bardhë si borë,
ma mbështolli lëkurën, kaltërimi qiellor.
Kur ramë të flinim, të përqafuar bashkë
dielli harroi të sillte, ditën tjetër jashtë.
Kur rruzujt e gjirit, tek unë mbështete,
u ndjeva kozmonaut, në dy planete.
Kur në buzët e tua, buzët ëmbëlsova,
mu duk, nektarin e gjithë botës shijova.
Kur trupi yt krijoi, fëmijë të ngjashëm,
m’u duke, nëna e engjëjve të parajsës.
Kur engjëjt, gugitnin si pëllumba në dhomë,
ndjemë se parajsa, ishte në folenë tonë.
Bukuria jote, do të ndryshonte pas vitesh,
si në çdo lule të bukur, ku petalet vyshken.
Por bukuria të kaloi, në shpirt pak nga pak,
dhe mbete përjetësisht, shpirti im binjak...