Eva Gjoni

Lamtumire…Claudia Cardinale
Tek shikoja lajmet për ndarjen nga jeta të Claudia Cardinale, më erdhi në mendje filmi “Libera amore mio”. Kam qenë adoleshente, por më ka mbetur në mendje ai ekspresion ndjenjash që përjetova nga ekrani i madh i kinemasë. Magjia e asaj salle nuk mund t’i afrohet ekranit të vogël të televizorit.
Klaudia ishte uragan, energjia që pushtonte. Ishte bukuri sa e egër, aq dhe e ëmbël, si një kotele e butë, e bukur, e brishtë. Fustani i saj i kuq si një muletë, që përdoret nga toreadorët me lëvizje të rafinuara e artistike, për ta drejtuar demin drejt goditjes finale.
Claudia ishte mishërim i karakterit të gruas së fortë dhe në jetën e saj. Jashtë kornizave, ajo dashuronte fort, por nuk donte të mbytej. Ajo respektonte të qenien e saj. Bukuria është si një Wi-Fi që shpërndan valë, në të cilat hyn çdo kush dhe lë gjurmën e tij, por nuk mund të cenojnë njeriun që e mbart.
Më pëlqente karakteri i saj i Italisë së jugut, pjesë e komunitetit në Tunis. Kam qëne në qytetin tënd, dielli ngroh fort e njerzit janë njësh me natyrën. Se dija ku mund të gjeja nëpër qytet ate vajze si pikë vese. Ku mund ta gjeja Claudian? Rritur në atë komunitet ku gjërat bërtiten si gëzimet ashtu edhe dhimbjet, karakteri shpërthyes dhe ndjenja e rebelimit, të qenurit fanatik i asaj që në brendësi je. Fama nuk mund të qëndronte mbi atë dashuri që ajo kishte për te qënë vetvetja . Liria e saj ishte ekzistenciale..Asgjë nuk mund ta ndryshonte atë!
Ajo shprehej: “E jetova kinemanë jo për t’i shpëtuar jetës, por për ta jetuar më mirë se në realitet, me më shumë sinqeritet dhe vetëdije”
Claudia futej në botën e aktrimit e gjitha, pa kopjuar veten, por duke eksploruar atë, e lirshme, pa paragjykime, si në një botë paralele.
Model i gruas frymëzuese. Ndaj ndjej keqardhje që nuk është më. Të gjithë largohen një ditë dhe çdo brez ka preferencat e tij. Ndoshta dhe kjo gjë më trishton, brezi po ngushtohet, epoka jonë po largohet dhe fillon mjegulla që e merr me vete.
Rebelja e bukur Claudia! Sa femra shikonin veten te ty! Kjo është përtej artit, përtej famës. Italianët e thërrisnin Diva italiana.
Lamtumirë Claudia, ti je ende te unë, ashtu si muzika italiane dhe gjithë aktorët e tjerë që me artin e tyre u bënë pjesë e formimit tonë, pjesë se si ta shikonim dhe si ta ndjenim jetën, kush ishte e bukura, pse jo edhe si të visheshim e si t’i kishim hiret e tyre, pjesë që kopjohej edhe nga prindërit tanë.
Jam rritur në një ambient ku këngët italiane këndoheshin me kitarë nga vëllezërit e mi, ndaj veshet e mi, shpirti im, ishin të frymëzuar nga kjo atmosferë magjie të së bukurës.
Lamtumirë Claudia, shpirti yt do të rikthehet