Liljana Furrxhiu

Të dashur të vdekurit e vendit tim!
Unë që po ju shkruaj kam vdekur për së gjalli, diku larg në emigrim.
Nuk jam më vetja.
Nuk ndihem ajo që jam, ndihem ajo që bëj.
Një ish-mësuese, që pastron banjo, ndërron bebelina e të tjerëve lotin,
sa herë i kujtohet vetja,
poshtë kokës me tufë librash,
përtyp vetëtima.
Të dashur të vdekurit e vendit tim!
Të paktën ngrihuni ju nga varri,
që t’u tregoni të gjallëve se ç’është LIRIA!
Dhe të vdekurve për së gjalli,
se ç’është DEMOKRACIA!
Po ju shkruaj ju, se të gjallët nuk dëgjojnë,
as plumbat,
as kërcënimet,
as ulërimat,
as lutjet,
as sharjet,
as frymën e një lastari që bie mbi asfalt, me sytë nga qielli,
duke parë engjëj, që i rrinë sipër kokës, e mbrojnë
dhe djaj të zinj në krah,
që kërcëllisin dhëmbët e nxjerrin flakë,
flakë ferri,
vreri,
tmerri.
E dini që janë shumë?
Shtohen si milingonat, çeçe, në sekondë.
Janë të veshur me inate, me urrejtje, jo të gjithë, një numër i madh,
një koloni.
I ngjajnë bajlozit e mbartin mort,
paguhen mirë nga djalli vetë.
Thyejnë kocka, brinjë e kokë,
tërheqin prej flokësh lulet në rrugë,
s’kanë mëshirë për njeri a zot.
Vjosa qan,
Dajti gjëmon,
Semani dridhet,
Drini rënkon,
sheshi Skënderbej brinjë të thyera numëron.
Të dashur të vdekurit e vendit tim!
Ju që s’u trembej syri nga Turku,
ju që sllavin e ropët së gjalli,
italianët i flakët në det,
gjermanët i bëtë këngjill mangalli.
Ju që mbi shpinën tuaj bëtë tatuazh besën,
shitët plaçkë te blini germa.
Ju pasardhës të Skënderbeut,
u bëtë heronj nga bijë nënash.
Ejani të shihni ç’latë pas!
Për çfarë dhatë jetën e derdhët gjakun.
Vendi juaj, imi, me gjarpërinj u mbars,
sot dalin e helmojnë tokën,
rinisë me etje po u pinë gjakun.
Të dashur të vdekurit e vendit tim!
Ju flas e më dhemb zemra.
Më vijnë nga larg ulërima,
më oshëtijnë si murrlani pikëllimet e nënash.
Dëgjoj baballarë që pëshpërisin e nuk flasin.
Gjyshe që i bëjnë iso murtajës së shkuar.
Prindër të rinj që heshtin e s’plasin.
Fëmijë të përlotur që i vyshku padrejtësia.
E duan vendin sa duan dhe qiellin,
janë zogj këngëtarë që duan liri,
u zien kraharori se nuk shohin të ardhme,
rrëmbejnë ç’të kenë pranë,
thyejnë heshtjen me dhëmbë.
As vdekja s’i tremb!
Duan drejtësi dhe dritare jete,
u lodhën së prituri të bjerë fati nga qielli,
nuk dinë në janë yje apo mish helli.
Të dashur të vdekur të vendit tim!
Po ju lutem unë, e vdekura për së gjalli.
Shkruaj e shkrij malin nga dhimbja e malli..