Deprecated: Funksioni WP_Dependencies->add_data() u thirr me një argument që është vjetruar që pas versionit 6.9.0! Komente kushtore IE shpërfillen nga krejt shfletuesit e mbuluar. in /home/www/vhosts/gazetadestinacioni.al/httpdocs/wp-includes/functions.php on line 6131
Magjia e kaltërsive dhe elegjia e kujtimeve te poeti Panajot Boli-Zekerija Idrizi

Magjia e kaltërsive dhe elegjia e kujtimeve te poeti Panajot Boli-Zekerija Idrizi

Magjia e kaltërsive dhe elegjia e kujtimeve te poeti Panajot Boli-

                Zekerija Idrizi: studiues, shkrimtar

*Panajot Boli – Poeti sarandiot që monologon magjikshëm me Natyrën

Libri “Më përqafojnë kaltërsitë” i autorit Panajot Boli është një udhëtim liriko-meditativ në peizazhe të brendshme dhe të jashtme, ku natyra, kujtimet dhe dashuria ndërlidhen në një mozaik të pasur emocional dhe meditativ, pse jo edhe racional. Poezitë nuk janë vetëm rrëfime për ndjenjat e autorit, por janë edhe krijime vizuale dhe metaforike që sjellin lexuesin në një gjendje përjetimi të thellë estetik.

Teksa i lexoja poezitë e tij ato i përjetoja estetikisht dhe artistikisht si lloj këngësh të gjata kundruall nostalgjisë, ëndrrës, stinëve dhe peizazheve piktoreske të natyrës, ku gjuhës vargnuese poeti ia ka shtuar edhe muzikalitetin dhe simbolikat e thella. Poeti Panajot Boli përmes këtij vëllimi poetik ka ndërtuar një botë ku qielli, deti, lumi dhe kujtimet janë të gjalla dhe të ndjeshme, duke krijuar një univers të bukur, ku lexuesi përqafohet nga “kaltërsitë” e magjishme të poezisë.

Për më tepër ky libër sfidon përshkrimin literalist dhe hap rrugë për një përjetim të brendshëm shpirtëror dhe për një meditim kontemplativ, duke e kthyer çdo varg në një peizazh shpirtëror.

Këtë art kaq fin letrar ai e ka prezantuar në gjitha poezitë e vëllimit, veçanërisht dhe në ato që unë arrita t’i lexoj e shijoj thellë, si: “Këtë pasdite”, “Nuk di çfarë ka moti”, “Më përqafojnë kaltërsitë”, “I harruar me vetminë”, “Në magjinë e agut”, “Dilemë”, “Përballje”, “Loti”, “Barbarët e detit”, “Erdhi Saranda në klasën time”, “Ç’mund të mbillja tjetër” (Një dardhë në shtëpinë e prindërve të mi)”, “Ajo ma nisi flladin”, “E dua këtë ngjyrë më tha vjeshta”, “Fjeta me hënën mbrëmë”, “Erë vjeshte ish”, “Nostalgji perëndimi”, “Me stinët grindem”, “U tërhoq shiu”, “Vetëm ti të më zgjosh”, “Kur jemi kaq larg”, “Është malli i saj”, “Poezia”, “Ëndërroja liqenin”, “Vajzat e fshatit tim”, “E kërkoj në kopshtin e ëndrrave” etj.

Kjo përmbledhje poezish përbën një intinerar të ndjeshëm dhe estetik në botën e poetit, ku gërshetohen kujtimet personale, natyra, stinët dhe emocionet intime. Përmes tyre, lexuesi bashkudhëton midis fëmijërisë, dashurisë, nostalgjisë dhe magjisë së përditshme të poetit. Në këtë bashkudhëtim kaq idilik mora pjesë edhe unë me përshpirtësi.

***

Një tipar i veçantë i këtyre poezive është përdorimi i ngjyrave nga ana e poetit Panajoti, si element emocional dhe simbolik. Bluja Jonit te poezia “ERDHI SARANDA NË KLASËN TIME” nuk asocon vetëm ngjyrën, por bart ndjenjat e qetësisë, lumturisë dhe një, do thosha, peizazh imagjinativ. Ngjyra e verdhë e vjeshtës tek “E DUA KËTË NGJYRË MË THA VJESHTA” reflekton nostalgjinë dhe ëmbëlsinë e përjetimeve të autorit. Natyrës i jepet roli i një bashkëbiseduesi, ku era, valët, liqenet dhe hëna janë pjesë e jetës së brendshme të subjektit lirik dhe bartin mesazhe të thella shpirtërore.

Ca poezi të tjera të tij përfshijnë edhe një cikël të plotë stinësh, që pasqyron ndryshimin e emocioneve dhe gjendjeve shpirtërore. Vjeshta dhe dimri lidhen shpesh me mall dhe melankoli, ndërsa pranvera është shenjë e ringjalljes, rigjallërimit të dashurisë dhe shpresës. “ME STINËT GRINDEM” është një shembull i qartë i përballjes me ndryshimet e jetës dhe tensionet e emocioneve, ku stinët personifikohen dhe bëhen pjesë e dialogut emocional me poetin.

Një tjetër element i fuqishëm te ca poezi të tjera është edhe përmendja nga poeti e kujtimeve të fëmijërisë, mësuesit, gjyshit dhe nxënësve. Dhe këto vargje nuk janë vetëm reflektime personale të autorit, por janë dhe një urë lidhëse në mes së shkuarës dhe të tashmes. Këto kujtime përforcojnë ndjesinë e nostalgjisë dhe thellësinë e lidhjeve emocionale me njerëzit dhe vendin e lindjes.

Ndërsa dashuria, pra lirikat e tij, janë një motiv i përhershëm i poetit Boli. Në poezitë, si “VETËM TI TË MË ZGJOSH…” dhe “E KËRKOJ NË KOPSHTIN E ËNDRRAVE,” shfaqet energjia e brendshme e autorit që udhëton mes ëndrrave dhe realitetit. Kërkimi i dashurisë përforcon idenë e poezisë si një dialog mes shpirtit dhe botës përreth, ku edhe natyra bëhet pjesë e këtij udhëtimi.

Poezitë e vëllimit, shikuar në përgjithësi, shpesh lëvizin në kufijtë e realitetit dhe fantazisë. Liqenet magjikë, kopshtet e ëndrrave dhe hëna që flet janë shembuj të një bote poetike ku fantazia dhe realiteti bashkëjetojnë, duke theksuar përjetimin personal të emocioneve si të paharrueshme dhe të veçanta.

Sa i përket stilit, poezitë kanë një ritëm të butë, shpesh me përsëritje dhe eko të brendshme, që i afrohet muzikës së brendshme të ndjenjave. Gjuha e Panajot Bolit është e pastër, e thjeshtë në strukturë, por shumë e pasur në figuracion dhe ritëm. Ai përdor një gjuhë të natyrshme dhe të ndjerë, që shpesh kalon nga narrativa përshkruese te reflektimi meditativ. P.sh., në poezinë “Këtë pasdite…”, ai shpreh nostalgjinë dhe magjinë e kujtimeve të fëmijërisë:

“Kujtimet e lodhura / Poshtë ullirit të gjyshit u ulën / Në detin e zjarrmuar me valët që lotojnë / Magjinë e perëdimit shijojnë.”

Këtu gjuha e lirë e Bolit dhe ritmi i pjesshëm me rrëshqitje vargjesh krijojnë një ndjesi rrjedhjeje të kujtimeve që lëvizin në mes realitetit dhe imagjinatës.

Metaforat, madje, janë mjet i fuqishëm në këtë libër. Poeti shpesh i kthen elementet natyrorë në subjekte të gjallë dhe emocionalë. Në poezinë “Më përqafojnë kaltërsitë”, qielli dhe deti, si peizazhe të natyrës, janë dhe në një bashkëbisedim reciprok:

“Lumi ka edhe ai shpirt si njerëzit… I ktheva fytyrën Bistricës sime, e pashë / Më buzëqeshi / …Dhe ishte e kaltër… e kaltër”

Në këtë rast, përsëritja e fjalës “e kaltër” jo vetëm fuqizon imazhin vizual, por edhe krijon një rezonancë emocionuese, duke e lidhur ngjyrën me magjinë, nostalgjinë me ëndrrat.

Në poezinë “Metamorfozë”, Boli përdor transformimin si metaforë të përjetimit shpirtëror dhe kozmik:

“Një ditë, në tempullin e tij veten flijoi / Metamorfozë? / Shpirti, në një kokërr argjendi”

Kjo shpëfaq besimin e autorit se përvoja e jetës, përmes sakrificës dhe reflektimit, mund të kristalizohet në një formë të bukur dhe të përjetshme.

Të shtoj dhe një veçori tjetër që e pikasa: përdorimi i anagorës nga poeti është i dukshëm, sidomos në poezitë që përsërisin fjalë kyçe për të theksuar ndjesinë ose për të krijuar një mozaik emocionesh:

“Sytë janë sytë… / E ç’mund të jenë tjetër? / Veçse… / …Dy rubinë që nuk blihen / …Zgjimi i jetës”.

Kjo strukturë ritmike përcjell ngazëllim dhe fokusim mbi temat thelbësore të jetës dhe dashurisë, duke i dhënë poezisë një muzikalitet intim.

Në pothuaj gjitha poezitë e këtij vëllimi poeti ka përdorur edhe parabolat e përjetimeve njerëzore. Poezia “Barbarët e detit” është një alegori për humbjen dhe dëshpërimin: pushtuesit simbolizojnë ndërhyrjet e jashtme që shkatërrojnë paqen dhe magjinë e fëmijërisë, ndërsa deti mbetet një qenie gjallë që ndien dhe reagon.

Simbolika e ngjyrave, veçanërisht e kaltërta, është e pranishme në të gjithë librin dhe lidhet me qiellin, detin, ëndrrat dhe shpresën: një “kaltërsi” kjo që ngjall admiratë të thellë, siç tregon edhe vet titulli i librit …

Pra, një vepër kjo e veçantë nga gjitha pikëvështrimet, që mua më dhuroi një freskim po të veçantë shpirti, zemre dhe mendjeje…

Z. IDRIZI, Shkup / Berlin

Gusht, 2025