Nga Agim Lika

Maliq Kulla u lind më 4 mars 1959, në fshatin Gjuricaj të Ishmit, ku kreu arsimin fillor dhe tetëvjeçar, duke u dalluar për rezultate të shkëlqyera në mësime. Që në fëmijëri u edukua me dashurinë për punën, disiplinën dhe Atdheun, vlera që do ta shoqëronin gjatë gjithë jetës së tij. Në vitin 1974 fitoi të drejtën për të vazhduar studimet në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej”, tempullin ku u farkëtuan karakteri, disiplina dhe ndjenja e tij e lartë patriotike. Katër vitet e kaluara në këtë institucion elitar (1974–1978) lanë gjurmë të pashlyeshme në formimin e tij njerëzor e ushtarak, duke e bërë pjesë të brezit të skënderbegasve që i shërbyen Shqipërisë me besnikëri, dinjitet dhe përkushtim. Pas përfundimit të shkollës, gjatë viteve 1979–1982 ndoqi studimet në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, ku u diplomua në profilin e Artilerisë Kundërajrore. Menjëherë pas diplomimit kreu stazhin profesional në Brigadën e Manzës, gjatë periudhës shtator–dhjetor 1982, ku hodhi hapat e parë të karrierës së tij si oficer.
Në janar të vitit 1983 u emërua në Korpusin e Pukës, ku shërbeu deri në qershor të po atij viti. Më pas u transferua në Divizionin e Kukësit, ku për afro shtatë vjet mbajti një sërë detyrash me përgjegjësi në strukturat e Mbrojtjes Kundërajrore. Fillimisht shërbeu si komandant i kompanisë së IMKA-4, më pas si shef shtabi i Grupit AKA dhe më vonë si shef i Vendkomandës së Brigadës së Bicajt. Në çdo detyrë u dallua për profesionalizëm, disiplinë, korrektësi dhe aftësi drejtuese, duke fituar respektin e vartësve dhe besimin e eprorëve. Në dhjetor të vitit 1990 u transferua pranë vendlindjes, në Grupin AKA të Bizës, me detyrën e komandantit të grupit.
Një bateri artilerie kundërajrore 37 mm ishte vendosur pranë shtabit në Bizë, ndërsa në Kalanë e Ishmit funksiononte nënreparti i mitralozave kundërajrorë (IMKA-4), pjesë e strukturës që ai drejtonte. Në vitin 1992 u transferua në Brigadën e Durrësit, ku mori detyrën e Shefit të Mbrojtjes Kundërajrore të brigadës. Tre vjet më vonë u emërua në Divizionin e Shijakut si Ndihmës-Përgjegjës i Grupit të Drejtimit për Mbrojtjen Kundërajrore. Në këtë funksion shërbeu deri në vitin 2000, duke mbajtur gradën nënkolonel. Pas riorganizimit të strukturave ushtarake dhe shpërbërjes së Divizionit të Shijakut, u transferua në Regjimentin AKA në Marikaj. Duke mos pranuar detyrën e re të propozuar, kërkoi lirimin nga shërbimi aktiv dhe, në qershor të vitit 2001, doli në rezervë me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes. Gjatë viteve 2001–2003 u trajtua me pagë kalimtare. Në këtë periudhë punoi edhe në sektorin privat si banakier, duke dëshmuar se puna e ndershme nuk njeh grada e poste, por matet me dinjitetin, përkushtimin dhe përgjegjësinë me të cilën kryhet.
Në janar të vitit 2006 filloi punë pranë Autoritetit Portual të Durrësit si punonjës sigurie. Përvoja, serioziteti dhe korrektësia e tij u vlerësuan shpejt dhe, në vitin 2008, u emërua Specialist i Lartë i Logjistikës. Këtë detyrë e ushtroi me përgjegjësi deri në nëntor të vitit 2024, kur doli në pension pleqërie. Dalja në pension nuk e largoi nga jeta aktive shoqërore. Përkundrazi, Maliq Kulla mbetet një nga anëtarët më aktivë të degës së SHKURSH-it Durrës, ku kontribuon me përvojën, seriozitetin dhe frymën bashkëpunuese në çdo veprimtari kushtuar ish-ushtarakëve dhe ruajtjes së traditave më të mira të Ushtrisë Shqiptare.
Po aq i lidhur mbetet edhe me vendlindjen e tij, Ishmin. Ai është pjesëmarrës i rregullt në aktivitetet kulturore, historike dhe patriotike të krahinës, duke dëshmuar se dashuria për vendlindjen nuk zbehet me kalimin e viteve, por bëhet edhe më e fortë. Ata që e njohin nga afër e përshkruajnë si një njeri të thjeshtë, fisnik, të drejtë dhe me zemër të madhe. Gjithmonë i gatshëm të ndihmojë, të japë një këshillë apo të ndajë përvojën e tij, ai nuk ka kërkuar kurrë asgjë në këmbim. Urtësia, ndershmëria dhe qetësia e karakterit e kanë bërë të gëzojë respekt të veçantë në familje, në shoqëri dhe në komunitetin ku jeton. Në çdo takim të skënderbegasve, në çdo përvjetor apo aktivitet patriotik, ai është i pranishëm me të njëjtin entuziazëm që kishte dikur si oficer i ri. Për të, uniforma nuk ishte thjesht një profesion, por një mision në shërbim të Atdheut dhe të popullit shqiptar. Krahas shërbimit ushtarak dhe angazhimit shoqëror, Maliq Kulla ka ndërtuar një familje shembullore, të mbështetur mbi dashurinë, respektin dhe edukimin. Ai është një bashkëshort i përkushtuar dhe baba krenar i dy djemve, të cilëve u ka përcjellë vlerat e ndershmërisë, punës, përgjegjësisë dhe dashurisë për Atdheun.
Jeta e Maliq Kullës është historia e një ushtaraku që i shërbeu Shqipërisë me besnikëri, e një qytetari që nuk u nda kurrë nga komuniteti i tij dhe e një skënderbegasi që mbeti besnik idealeve të shkollës që e formoi. Ai dëshmon se vlerat e fituara në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” nuk mbeten vetëm kujtim i rinisë, por shndërrohen në mënyrë jetese dhe në një trashëgimi morale që përcillet brez pas brezi. Me jetën, veprën dhe karakterin e tij, Maliq Kulla zë një vend të merituar në galerinë e nderit të skënderbegasve. Ai përfaqëson me dinjitet brezin e burrave që i shërbyen Atdheut me ndërgjegje, që e nderuan uniformën me profesionalizëm, përkushtim e ndershmëri dhe që edhe sot mbeten model qytetarie, fisnikërie dhe patriotizmi. Pasaporta e tij e vërtetë nuk është një dokument identifikimi, por jeta që ka jetuar, shërbimi që ka kryer dhe respekti që ka fituar. Kjo është pasaporta e vërtetë e vlerave atdhetare.