Mes Rekës dhe brigjeve-Ruzhdi Gole

Ruzhdi Gole

MES REKËS DHE BRIGJEVE


*
Ne jetojmë tek liria e tjetrit
grabitur qysh herët 
nga Liria jonë …


*
Gjeografia e syve përhapet gjithandej 
plot ujëra të shëndetshëm, të turbullt,
male të vërtetë, ndonjëherë 
mëndjemëdhenj
plugje luginash 
rrudhur.


Ujërat pëshpërisin, pastaj vrapthi 
pa bujë rrjedhin ndër gishtat 
e zajeve rreze – heje,


Kreshta 
shkund dimrin


në Rekë
dimri s’ka gjunjë
ngryset ndonjë shpelle.


*
Më shumë se drobitje 
më pak se rrëmujë
i gjithi vallëgimë,


mënjanë prerje.                                          rri dimri
lutje


Lutem 
Reka të mos hyj 
në dimërimin jetim …


*
Lumi ndjek gjahun mespërmes pyjeve…
Thëllimet nuk dorëzohen njësoj
terri shtrin krahun, nata kreh 
flokët, duket 
e përkryer.


Papritmas rrëshqas përmbys mbi hon
Reka zgjat duart, më pret pa plagime
pastaj ulet gjithandej
Zonjë…


*
Zhirovnicë, s’më zë dhe këmba …
Asnjë hap nuk më ngjiz
më merr lumi
lum gjëma…


Pa të parë kund, askund,
era më rrëmben plot gjemba
m’i vret gjunjtë çdo shtëllungë.


Zhirovnicë, s’më zë dhe këmba…


*
Në Mavrovë çohem fillikat,
i hollë si një fjollë,
ëndërr zënë 
në çark.


Nuk m’i zë veshët bora
nuk m’i mbyt këmbët 
një gjol,


Plasa-plasa me mëngë të holla
çdo mëngjes zgjoj 
Mavrovë…


*
Mbush ujë tek gurrat në Rostushë,
gushti nga vapa përton të luaj
aventurash,


Pylli asnjë nuk nderon me grusht.


*
Mes Rekës dhe jugut 
mes jugut dhe 
Durrësit 
lexoj tekstet e ungjillta 
të kreshtës dhe mugut 
të brigjeve pa asnjë
testament gjumi.


*
Shpërndarë gjithandej të tjera ngjarje…


Vela veshëprerë, torbat hamenj
era s’i mban dot frerët 
e shpalljeve.


Shpalljet … të hershme
të vërteta, dinake,


Ç’të rrëfejë Durrësi për vjedhjet
qysh në shpërgenj,
ç’të rrefejë 
pylli rekas
për vrasjet
e kunadheve?


*
Flaka mbillet përdhe…
Secili tjetrin 
përgjysmë 
e sheh.


Të tjerët bien gjak.


Suferina 
nga Dyrrahu
gjithë re
na sheh
pak rri këtu, ikën 


pendohet tek Durrësi plagë.


*
Përkrah Reke
qëllon të jem 
plot valë detesh.


Në Mavrorë, në Rostushë.. 
Durrësi është plot male
puthur buzë – buzë…