Gashi Radisheva

Mos ma gjyko lotin
Mos ma gjyko lotin
që më del prej qiellit të shpirtit,
se pa më pyetë më zbret në pullaz të qerpikut
e s’më del fort prej mërzije,
se hallet i gri e shpejt e shkund kurrizin
e ia shkarkoj detit krejt peshën tyre.
Mos ma gjyko lotin që më del prej gëzimit
kur marr vesh fjalë të mirë
që prushin ma ndezë
e krejt akujt në shpirt menjëherë mi shkrin.
Se kur vika mosha
mallëngjehesh shpejt e prekesh thellë në shpirt
e loti pa të pyete del në pullaz të qerpikut.
Ky është shiu i shpirtit,
si shi bereqeti që ta njomë gëzimin.
Se kur vika kjo mosha,
ku loti piklon shpejt e goja fjalë pak qet
në raste gëzimi
e vetëm për mirësi nëpër dritë të lotit
urata përcjell e përcjell veç bekime.
Mos ma gjyko lotin,hej ta ndjefsha të mirën
e paç veç gëzime!