Në territoret e tokës tënde…Agim Pipa

Agim Pipa

Në territoret e tokës tënde…
Pas një arratie vjeshte lart, në univers
po zbrisja shkallët e qiellit, kur
me fytyrën mbështetur mbi muzg,
ndërsa ecja mespërmes pemëve dhe vjeshtës
ra tingulli i një reje.
 
Të kisha harruar, dhe
m’u desh të të ringjall prej së shkuarës
dhe më pas, të rivij
në territoret e tua prej hëne.

 

Me çvendosje ajri dhe
me një neon në sfond të mbrëmjes
edhe ti, mbërrite.

 

Për shkak të erës së ftohtë, të gjitha dallëndyshet
ishin larguar gjatë ditës;
ne,
na kishin mbetur mbi pëllëmbë
vetëm skeletet e buta të heshtjes.
Pa zhurmë dhe i qetë,
unë e lashë pyllin
dhe hyra
në planetin e tokës tënde.