
NJË LAMTUMIRË E DENJË PËR KËNGËTARIN E LABËRISË, ZEQO HOXHAJ. –
Përgatiti Besnik Gjonbrataj
Përcjellja sot e Zeqo Hoxhaj për në banesën e fundit me një pjesëmarrje të gjerë njerëzish, të afërmve, miqve, shokëve të familjes dhe të bashkëfshatarëve kallaratas, të ardhur nga brenda e jashtë vendit, ishin dëshmi e respektit dhe e vlerësimit të vlerave të tij njerëzore në familje e shoqëri.
Por ajo që e bëri Zeqo Hoxhajn të njohur e të pavdekshëm është kënga labe. Ai nuk ishte vetëm interpretues i këngës labe. Zequa ishte udhëheqës i grupit lab të fshatit, një nga ata njerëz që mbanin gjallë këngën, që e çonin përpara grupin në çdo festival zonal, në çdo aktivitet të shoqatës dhe në çdo përfaqësim ku Kallarati merrte pjesë.
Në vitin 1983, në Festivalin Folklorik Kombëtar në skenën e Kalasë së Gjirokastrës, me interpretimin unik të këngës “Ç’u këput një këmbë mali”, Zeqo Hoxhaj shkroi histori. I vetëm në skenë, ai ringjalli borrohitjen e burrit, duke bashkuar në një grykë të vetme marrësin, kthyesin, hedhësin dhe ison. Ajo ditë ishte një akt i rrallë artistik dhe një moment krenarie për Kallaratin dhe Labërinë. U vlerësua me çmim “laureant”, ndërkohë që kënga e tij u përzgjodh ndër vlerat më të mira për në koncertin e madh me perlat e folkut shqiptar në Tiranë, para udhëheqjes së kohës.
Një vit më vonë, në 1984, magjia shpirtërore e Zeqo Hoxhës do të ngjitej në skenën e Festivalit Ballkanik të Ohrit, këtë radhë “huazuar” nga ansambli “Migjeni” i kryeqytetit.
Talentin e tij e shpalosi me dinjitet edhe në mjaft skena kombëtare në Vlorë e Tiranë, por edhe në ato ndërkombëtare të Evropës dhe në shumë angazhime të tjera të polifonisë labe, duke u bërë emër i njohur i polifonisë labe dhe i kërkuar nga muzikologët shqiptarë për të bashkëpunuar edhe në gjini të tjera të muzikës popullore.
Ai ishte përfaqësues dinjitoz i trashëgimisë sonë kulturore, i cili e përfaqësoi me nder Kallaratin dhe Labërinë. Zëri i tij do t’i mungojë shumë këngës kallaratase dhe në tërësi polifonisë labe.
Ndarja nga jeta e tij nuk është vetëm dhimbje për familjen. Është humbje e madhe për këngën labe të Kallaratit dhe për gjithë Labërinë.
Ai kishte ende për të dhënë këngë, por sëmundja e papritur e ndau para kohe nga familja, nga shoqëria dhe nga kënga që e deshi aq shumë.
Ai do të mbetet në kujtesën e të gjithëve si këngëtari më virtuoz i saj, një zë i rrallë që i dha shpirt, dinjitet dhe përmasë monumentale polifonisë labe.
Ai iku shpejt duke lënë mbrapa male kujtimesh e vlerash njerëzore si artist i këngës e polifonisë, si burrë zakoni i traditës e bujarisë, i muhabetit vënçe, i humorit të rrallë dhe mbi të gjitha i humanizmit dhe shpirtmirësisë.
Ç’u këput një këmbë mali” sot nuk është vetëm titull kënge, por metaforë e një dhimbjeje të madhe që la pas një mal zëri, burrërie dhe kujtese.
Ja disa vlerësime poetësh, këngëtarësh dhe studiuesish për Zeqo Hoxhaj shkëputur nga fejsbuku:
Gazetari i njohur dhe mik i familjes ALEKSANDËR ÇIPA në mesazhin e tij ngushëllues shprehet: “Emri i Zeqo Hoxhaj do të mbetet përjetë përmes një kënge të vetme, por kujtimi për këtë zë unik të Labërisë sonë, do të shumohet në shumë këngë”.
Studiuesi e poeti i njohur i Labërisë ALBERT ABAZAJ do të shprehej “Nga kënga labe, u këput një shpatull mali”. Zeqo Hoxha iku tek yjet e Përjetësisë dhe ndriçon me shpirtin e tij të pavdekshëm Kallaratin, Labërinë dhe mbarë Visaret e Folklorit dhe Etnologjisë shqiptare”.
Poeti NAMIK JAHAJ: “Aty ku u këput “këmba e malit” u ngjir zëri qiellor i pellazgut Zeqo Hoxhaj dhe jehona mori gjithë kraharorin e Labërisë”.
Studiuesi i folklorit dhe specialist i trashëgimisë kulturore, SEJMEN GJOKOLI: “Fare pa zhurmë e bujë ra dhe “këmba” tjetër e malit, shkoi me të tjerë bartës e interpretë të mëdhenj të folklorit labëror burri që futi në histori borrohitjen e burrit të Labërisë duke u kthyer dhe vetë e duke mbetur përjetë një legjendë e gjallë folklorke”.
Poeti KRISTO ÇIPA: “U këput një shpirt artisti”! Zeqo Hoxha hyri dhe ngeli në histori me bohoritjen “Ç’u këput një këmbë mali!”. Rrallë ndodh që perfeksioni artistik dhe ai shpirtëror të shkrihen në një. Zequa jo vetëm që i trupëzoi por edhe i natyralizoi aq bukur sa as i gjallë e as i ndjerë nuk mund ta ripërsërisë e aq më shumë ta tejkalojë”.
Bashkëfshatari, LAVDOSH JONUZAJ, Athinë: “Nëqoftëse kënga që këndoi thoshte “ç’u këput një këmbë mali” tani duhet thënë: “Ç’u këput një këmbë e këngës antike”. Borrohitja që Zequa interpretoi me mjeshtri të rrallë, nuk ka vetëm vlera si këngë labe, por vlerat e saj të rralla janë se ajo është një variant e të kënduarit të njeriut në antikitet, që me anë të bohorritjes bashkonte në një zë të vetëm gëzimin dhe hidhërimin që i shkaktonte vet jeta e rënduar me më shumë vuajtje e fatkeqësi se sa gëzime. Pra si të thuash: edhe qante edhe këndonte”.
Studiuesi i folklorit dhe udhëheqësi artistik i grupit të Kallaratit në festivalin folklorik të Gjirokastrës në vitin 1983, LLAMBRO HYSI, në fjalën e lamtumirës së Zeqos, ndërmjet të tjerash u shpreh: “Sa herë që takoj njerëz të panjohur që më pyesin: Nga je? Kur u them nga Kallarati, ata thonë: Nga Kallarati i Zeqo Hoxhës. -Ja pra Zequa me këngën ” Ç’u këput një këmbë mali” i dha emër, jo vetëm vetes dhe fisit, por edhe Kallaratit e mbarë Labërisë.
Zequa me të vërtetë u shua biologjikisht nga jeta parakohe, por kënga e tij është e rregjistruar në qindra disqe. Ai do vazhdojë të këndojë. Kënga e tij, kënga e Kallaratit tonë nuk do shuhen kurrë”.
Mesazhet e vlerësimet vijojnë.
Me ikjen e Zeqo Hoxhaj nga jeta, familja humbi njeriun më të dashur, por edhe kënga labe humbi një këngëtarë të rrallë.
Zëri i tij do të jehojë përherë në malin e Bogonicës dhe në këngët e Labërisë.