Deprecated: Funksioni WP_Dependencies->add_data() u thirr me një argument që është vjetruar që pas versionit 6.9.0! Komente kushtore IE shpërfillen nga krejt shfletuesit e mbuluar. in /home/www/vhosts/gazetadestinacioni.al/httpdocs/wp-includes/functions.php on line 6131
Një mëdyshje dhe një dëshirë në 85-vjetorin e një personaliteti shqiptar-Shefqet Meko

Një mëdyshje dhe një dëshirë në 85-vjetorin e një personaliteti shqiptar-Shefqet Meko

Shefqet Meko

SI TA UROJ NJË PAS-DITLINDJE?

-Një mëdyshje dhe një dëshirë në 85-vjetorin e një personaliteti shqiptar-

Njeriu, firmëtar i diplomës sime, besoj edhe tek e jotja, madje tek mijëra të tjerë që janë shkolluar tek ILB-ja,(sot Universiteti Bujqësor), paska pasur ditëlindjen. Ka shënuar 85-vjetorin! Një festë familjare. Një urim nga trashëgimia, një këngë e improvizuar nga autori i kësaj dite dhe lot gëzimi, përqafime, përkëdheli brezash: “Gëzuar ditëlindjen gjyshi” “Ta në rrosh babi”, “Të paçim mes nesh”… Atmosferë festive. Në celular më vjen një shënim. Një foto. Gëzohem.

Më zuri në befasi kjo ditëlindje e dikujt që ka “pasur pushtet” dikur tek rrjedha e dëshirave të mia… “Ja festuam si familje, pa zhurmë”, do më shkruante vajza e madhe, Prof. Aelita Mani (Xhuveli), që “ndjek gjurmët” e babait të vet. “U mblodh ‘barku i Shën-Mërisë’, me ata festova, i dashur Meko”…” më shkruan ditlindjexhiu. Gëzohem mes borës në Minneapolis, ku koha është e trazuar dhe vetë mjedisi shoqëror. Ajo shprehja “….barku i Shën-Mërisë”, më kujtoi babain tim, që sot, po të jetonte do ishte 116 vjeçar, por ka ikur…Ai dridhej nga gëzimi kur mblidheshim për vitin e ri e përsëriste atë që më thotë Xhuveli: “Është bashkuar “barku i Shën-Mërisë”….Si ka mbetur kjo shprehje që bashkon në “një pikë” babain tim, dhe “gjyshin Lufter Xhuveli”? Ne jemi aq larg, aq skajshëm tej larguar, por ja, shqipja e bukur na “ve në rresht” emocional…

Hodha ca radhë urimi, shkruajta diçka, pastaj “i hodha në kosh”…Mu kujtua shkrimtari Besnik Mustafaj që në librin e fundit shkruante mes të tjerash se “mali” më i madh i shkrimtarit nuk janë librat në librari, por “koshi ku hidhen shkrimet dhe dorëshkrimet” që duhen rishkruar…Mu kujtua Thanas Sahatçiu, ish-student i ILB-sw që “u bllokua” në ditën e provimit dhe kërkoi “të vinte në vjeshtë” por pedagogu Lufter Xhuveli i tha “eja nesër…të marrësh notën që meriton…”

Si ta uroj këtë pas-ditëlindje? Çfarë dhurate t’i çoj Lufter Xhuvelit, shembullit të spikatur të mosmposhtjes intelektuale shqiptare? Vij vërdallë me mendimet që më krijojnë një marramendje të habitshme. Dua diçka që të mbahet mend. Një dhuratë që nuk e ka provuar kurrë…Mendova se ish-rektori, ish-anëtari i këshillit presidencial, ish-ministri, ish-kryetari i partisë Agrare, ish-deputeti, ish “zari politik” i Shqipërisë që kisha lënë, ish-këshilltari i kryeministrit, kishte aq shumë dhurata, saqë sado krijues të isha, nuk do të mund të konkuroja suksesshëm.

“Unë kam një postulat. Atë të Ҁërçillit të madh…Never give up…” mu kujtua thënia e Lufter Xhuvelit në një bisedë të vonë në Tiranë, ku shëtisnim bashkë pas një darke miqësore në Janar 2025. Mu kujtuan vargjet Esneninit që mi recitoi rrjedhshëm në rusisht, në sheshin “Skënderbej” ca vargje të Kadaresë, vjershat e Agollit, Paul Eluar…” Para meje qëndronte në mbrëmjen e bukur të Tiranës, një Lufter Xhuveli që nuk e kisha njohur. Ishte hapur “një kasafortë” intelektuale që më linte pa mend…Belbëzoja diçka me vete, përpiqesha të reagoja me “të njëjtën monedhë” por isha me “xhepat bosh”…Unë nuk di aq shumë gjëra përmendësh sa më demonstronte aq qartë prof.dr. Lufter Xhuveli…

Ai do më përqafonte. Isha gati ta shëtisja deri tek shtëpia e vet tek “Myslim Shyri” aty ku kisha trokitur për herë të parë më 1981, kur do t’i çoja një material për gazetën tonë “SB”.Aty para se të hapej dera, lehu një kone. Kujtova se isha në adresë të gabuar, por jo. Xhuveli hapi derën dhe konia tërë miqësi lëpiu këpucët e mia të pa lustruara. “Qenka si borgjezët, me qen” mendova ato kohë… Ja kujtoj këtë dhe ai qeshi. “Ktheu tek hoteli” më tha. Unë dëshiroja që ajo shëtitje të mos mbaronte. Më tha se kishte shkruar poezi në rininë e vet. Kishte dëshirë të bëhej pilot, por e çuan për Agronom. (Tamam si unë, i thosha vetes). Më tha se edhe ai kishte të përjashtuar nga partia babain e vet dhe “e internuan” nga Tirana në Fier. (Edhe kjo si unë, babain tim e internuan nga Shkodra në fshat ….) Pastaj më recitonte poezi për dashurinë e ëndërrimet e moshës të shkruara 65 vjet të shkuara. Ishte fantazia dhe ëndrra xhuveliane. “Të gjithë e fillojmë duke shkruar” mendova në heshtje.

Ah, ajo shëtitje e bukur në sheshin e famshëm “Skënderbej”.Një përplasje fatesh. Një rrëfim ndryshe për dy njerëz. Unë nuk kisha “pasurinë memoriale” të Xhuvelit, dhe përballë tij thjesht i thashë “botoji ato poezi…Pse nuk u boton?…” Ai nuk më premtoi. Më tha se i pëlqenin librat e mi se “Viza Amerikane” dhe “Rënia” janë romane të bukur… “Vijo, mos u ndal. As unë nuk jam ndalur dhe nuk do ndalem….” Kështu më tha. Ishte janar 2025. Një vit më parë. Ishte një pasditlindje që ai nuk ma përmendi. Ecnim si të hershëm në sheshin e madh. Me ndrojtje i sugjerova “Shkruaji kujtimet, rrëfe veten dhe fatin tënd…Ata që të njohin, duhet ta dinë…”. Ai nuk më tha gjë. Më vështroi në heshtje. Ka qenë një nga mbrëmjet ku “brezat përqafohen”…Unë kisha sa e sa histori për të rrëfyer “mes meje dhe Xhuvelit…”.

Ky personalitet i bujqësisë, shkencës dhe politikës, sapo shënoi 85-vjetorin.E njeh bota akademike kudo. E njoh edhe unë më mirë se kushdo. Çfarë dhuratë t’i dërgoj? Pyes veten dhe nuk di. Besoj se Lufter Xhuvelit nuk i mungon gjë, veç këtyre radhëve që nuk do t’i shkruante kush, veç meje që e njoh qysh “shekullin që shkoi”. Gërmoj nëpër bibliotekën time dhe duart rrëmbejnë librat e Xhuvelit.Ato më të vonshmit, botuar këtë dekadë. Të gjitha me dedikim për mua. Mu kujtua batuta e teta Ollgës “Pjatat që më çoi, po ja çoj”. (!!!) A nuk është çdo ditëlindje një moment për të qeshur? Në të vërtetë, e qeshura, humori, dëshira e mirë ndaj njëri-tjetrit janë “mezja” më e mirë për Mr. Never Give Up. Si torta e bukur që Familja i dhuroi Prof. Dr. Lufter Xhuvelit… I rreshtoj librat si “pjatat plot” në dark-ditëlindjen ku nuk isha: “Shqiptarët dhe bimët”, “Rrënjë & degë”, “Fletë nga ditari i një Agronomi” dhe “Skena dhe Prapaskena”…(Ka edhe 17 të tjerë). I fotografoj dhe duket se kam gjetur “kartolinën që mungoi”. Më vijnë në mendje edhe intervistat mbreswlwnwse të Prof. Xhuvelit në TV-të e Tiranës. Misioni u realizua, sikur bërtita. “Nuk kam kohë të humbas” sikur më pëshpërit Xhuveli.

Ledhatoj librat që kam përballë dhe me prushin që ndez intelektualizmi dhe bota pafund e fantazisë që kapërcen edhe shpejtësinë e dritës, duke shkruar: “Dear Professor Xhuveli….Gëzuar 58 vjetorin!…”Qesh me dëshirat e mia. Të dy kemi qenë 58 dikur. Kjo “përmbysje” numrash, më bën të besoj se deri në “85-vjetorin tjetër”, Prof. Dr. Lufter Xhuveli, do jetë dhe do mbetet mes nesh, me “firmën vetëtimë” në diplomat tona…

U bëra si “fama” gjirokastrite. Kurseva ca dollarë duke “Vënë në rresht” librat e autorit Xhuveli si kartolina me e bukur për ditëlindjen jubile të rektorit Lufter Xhuveli.

Dear Prof. Xhuveli, happy birthday! Presim librin tjetër “Dear Prof…”!

Love from Minneapolis!

Shefqet Meko

Janar 2026