Një shikim mbi poezinë e Armela Hysi:” Pas Ikjes…”-Migel Flor

Migel Flor

FËMIJËRIA QË MBETI

Duke lexuar poezinë tënde «Pas ikjes», m’u krijua ndjesia se po ndiqja gjurmët e dikujt që është larguar nga fotografitë dhe ka mbetur e gjallë në kujtime që asgjë nuk arriti ti fshijë. Në shatërvanin e trishtuar, te gjethet e shkelura, te zogu që nuk i mësoi kurrë krahët e fluturimit nën sigurinë e dikurshme, ndjeva jo vetëm mallin për një njeri, por edhe dhimbjen për një kohë që nuk kthehet më.
Poezia jote…ah …flet vetëm për ikjen e dikujt?…Ndoshta flet për atë pjesë të vetes që mbetet pas çdo ikjeje, për fëmijën që kemi qenë dhe që, sado të rritemi, vazhdon të na presë diku..në shpirt.
Kujtimi në poezinë tënde nuk është i qetë… lëviz, rrjedh, ngrin, ndryshket, kullon pritje. E kaluara nuk është një fotografi e palëvizshme, por një jetë që vazhdon të ndodhë brenda qenies.
Më lindi dëshira për të të pyetur, përtej vargjeve:

Ti ke ikur…
Ti je rritur.
Ti ke qarë,
si dhe unë…

Po a ke qeshur, e vogla ime?
A ke shkuar rrugës zvarrë,
duke kërkuar diçka
që as vetë nuk e dije çfarë ishte?

Ku je tani?
Ku jam dhe unë?

Duke të lexuar, mendova se ndoshta rritja na mëson më shumë plagë, por jo medoemos të dhembim më pak. Pjekuria na jep emra për plagët, na mëson t’i shpjegojmë, t’i fshehim, madje edhe të jetojmë me to, por a na shëron vërtet? Apo thjesht na mëson të mos qajmë më si dikur, kur lotët nuk kishin nevojë për metafora?

Ndoshta kjo mosrritje e shpirtit, përballë pjekurisë së fituar me kohë, është një nga ćuditë më të bukura të qenies njerëzore. Rritemi në vite, ndryshojmë në mendime, mësojmë të mbajmë mbi supe përgjegjësi, ndërsa brenda nesh vazhdon të jetojë një fëmijë që kërkon siguri, përqafim dhe një vend ku të mos ketë nevojë të shtiret si i rritur.

Dhe te vargjet e tua, mes mjegullës së kujtimeve, balonave, semaforit të largimit dhe asaj ndjesie se diçka është harruar pa e ditur çfarë, unë gjeta pikërisht këtë fëmijë. Një fëmijë që nuk kërkon ta kthejë kohën pas, por të kuptojë se çfarë ka mbetur prej saj në njeriun që është bërë.

Këtë fundjavë, kur pata kënaqësinë të të njihja personalisht, m’u duk se pashë diçka nga kjo botë që shfaqet në poezinë tënde. Mbase ndaj më erdhi natyrshëm ta përmblidhja përshtypjen time për ty me një fjali të vogël, por që për mua mbart shumë:

“Të buzëqeshte loti.”

Ti nuk e ke humbur trishtimin, por ke mësuar t’i japësh një buzëqeshje. Nuk e ke përzënë dhimbjen, por nuk e ke lejuar as të bëhet e vetmja gjuhë e shpirtit tënd.

Pas leximit të poezisë tënde, pyetja më doli kaq e natyrshme…

Ku je tani, vogëlushja që ke qenë?
A je rritur vërtet, apo ke mësuar vetëm ta fshehësh fëmijërinë nën petkun e pjekurisë?

Mjafton të të them:

“Ku je tani…
Të vij dhe unë?”
Nuk I kthejmë dot vitet, as nuk ndreqim dot gjithçka që koha ka ndryshuar, por për t’i bërë pak shoqëri asaj pjese të shpirtit që nuk u rrit kurrë krejtësisht.

Ejjjj…ndoshta, nuk është tragjedi që jemi rritur.

Është vetëm se, duke u rritur, kemi harruar sa shumë na duhej dikush që të na pyeste nëse kishim qeshur….

Me dashuri për ty
Dhe adhurim për vargun tênd:

ke ikur nga fotografia dhe në kornizë
tani shoh vetëm shatërvanin parvaz-trishtuar
njomështirën e puthjes si harresë të pllangët
copëza të shkërmoqura zhaurimë-mekur
të gjetheve të shkelura
e currilat pritje-blatuar që pluskojnë
përhumbjes
dhe zogu që
mbaje mbi sup për të pozuar
sy-gremisur lëviz frymë sosur
puplat e pastërvitura
që s’mësuan kurrë të fluturonin
nën sigurinë tënde.

ndoshta për vogëlushet që ishim dikur
ndoshta për rritjen që përgjon
(ndoshta për ty e për një Teuta S.)

nata është një zebër largpamëse.

ti shtrin një tabak të ajkët letre
pa ditur se është
sëmbimi sferëmerkurtë në shtrojat
e mallit tim.
bën një balonë xhufka-shpupurisur
ujdhesë për ditët kur ndiznim
frikën
pishtar
në barkun e shpellës me kthesa
që ndante botët. harku i territ
qe ylberi ynë i kapërcyer në një
metaforë përtypëse
– rigon sot
në sferën time që ndryshket
pa le të thoshte mësuesja e kimisë
se merkuri vetëm oksidohet
unë e shoh që kullon kuqësirë
dhe pritje.

kur qaj shumë

kur qaj shumë zvogëlohet

pres të ketë humbur
si atëherë kur ishim fëmijë
por rishfaqet
në qindra gogëlza që gjejnë njëra-tjetrën dhe
derdhen përqafjes.

ti duhet të jesh ende fëmijë.

duhet padyshim të kesh mbetur ende e vogël
si në selfie-in tënd
që më përçon kujtesa ime proteinike
ruajtur një llambushkëze në nyjën e dytë
djathtas
të harresës.
kam frikë të të gjej të të pyes
të të thërras në ndonjë ekran me emrin libër
dhe fytyra
se mos ndoshta – s’ma ha shumë mendja – po
ndoshta dhe je rritur

e je bërë një moshë me mua
shndërruar në një tretësirë të panjohur.

tek mbledh buzët
e bëhesh serioze
hënëza mbi mjekër luan kartën djallëzore
të mallit
ka shije të veçantë heshtjeje
kohe
të mbrëmshme
ringrohur në furrë mikrovalësh.
nënqesh me renë që e ka zënë krizë paniku
para semaforit me shigjetën sy-blertë
të largimit
dhe ka ndaluar qarkullimin
paradites së mardhur
sikur
asgjë s’ka të bëj me ty

as qielli mbushur me balona

sikur diçka ke harruar por s’di çfarë.

Armela Hysi