Deprecated: Funksioni WP_Dependencies->add_data() u thirr me një argument që është vjetruar që pas versionit 6.9.0! Komente kushtore IE shpërfillen nga krejt shfletuesit e mbuluar. in /home/www/vhosts/gazetadestinacioni.al/httpdocs/wp-includes/functions.php on line 6131
para pak kohesh ka dale ne qarkullim libri: "Abedin Pasha Dino( poezi)"-Perktheu nga origjinali: ILIAZ BOBAJ

para pak kohesh ka dale ne qarkullim libri: “Abedin Pasha Dino( poezi)”-Perktheu nga origjinali: ILIAZ BOBAJ

Ju njoftoj, se para pak kohesh ka dale ne qarkullim libri: “Abedin Pasha Dino( poezi)”.

………………………………………………………………………

ABEDIN PASHA DINO

(“Nderi i Kombit”)

(1843- 1908)

DHIMBJA E THELLE

Ofshamet, dhimbjet, psherëtimat,

të hidhtët mendimet e mi,

përherë më djegin zemrën time,

s’më lenë një çast në qetësi.

Oh, sa më dhemb e sa vajton,

lodhem, kërkoj në kotësi,

ty, i dashuri im i shtrenjtë,

e di, s’ kam për të parë me sy!

Pa sill ndërmend çastet e ëmbël,

të kohës sonë lumturiplotë,

atëherë më thoshje dashurisht:

jeto, o shpirt, që të gëzosh!

Atëherë gjithçka ishte e ëmbël,

ishte pranverë, ishte agim,

tani, pa shih si përfundova,

përherë me lotë, me klithmë, gulçim!

Kjo vuajtje, një fantazmë e zezë,

tani e tej më shoqëron,

të mjerë në dhimbje më ke lënë,

përderisa më s’më kërkon.

Dhe nuk e di nëse vet vdekja,

më lë në zjarr e përvëlime,

më lë në mërgimin e largët,

të digjem flakë në dhimbjen tënde.

Ku shkuat të lumturat ditë,

hare, buzëqeshje dhe vështrime?

Tani kështu përse më latë,

në mund, në lodhje dhe në dhimbje?

………………………………………………………………..

KUJTIME

Ah, mos qaj ti zemr’ e vogël, nuk dua më dhimbje,

vite pafund kam qarë me dënesë, psherëtima.

Mos qaj sërish ti zemër, lotët mbaji për vete,

nëpër dallgët e jetës të mos ecësh fatkeqe.

Ti zemra ime ke qiell, por qiell pa një yll,

ke plagë pashërim, po thikë s’ke parë me sy,

ke dhe ti hare, gëzime, edhe ti ke dimra,

ke tronditjen e ndarjes, beteja të hidhëta.

Dikur, ti zemër kishe diellin rrezeplotë,

kishe vështrim të zjarrtë, kishe të gjithë botën.

Mjerë, tani çfarë gjendje si deti me dallgë,

ke dhimbje në jetë dhe një varrezë paanë!

Mjerë, tani ke mbetur si kallam mes stuhisë,

të trand erë e veriut dhimbjen natë e ditë.

Mjerë, tani ke mbetur si hënë me trishtim,

Për shok tani ke natën dhe vuajtjen shkëlqim!

Ah, ç’mjerim, ç’llambadhë e ndezur në zemrën time,

çfarë dhimbje e pafund, thellë në qënien time!

Dhimbjen shumë e dua, sa shumë e dëshiroj,

ajo më sjell ndërmend vitin e artë që shkoi.

Viti i artë ç’u bë, ajo pse u bë harrim,

me sytë e saj të ëmbël? Ah flakë, ah pikëllim!

Kujtoj vështrimin e ëmbël, ngjyren e saj pa dritë,

më duket se buzëqesh goja e saj e trishtë.

Gëzimet qiellore, ajo gojë derdhte ëmbël,

ish luleza e shpirtit dhe hënëza e zemrës.

Në sytë e mi me lotë, refleks i pamjes sate,

kur hëna në det bie e dallgët puth ndajnate.

Vajton era e shpirtit, qan si njeri me lotë,

përherë më gjen të vetëm, vajton edhe më thotë:

-Në dallgët plot me dhimbje, të shuhem shkoj aty,

pa rreshtur asnjë çast që të të fal freski.

Në Rodhos tashmë gjendem, në ishullin e gëzuar,

ishull si nimfë mëngjesi, me zambake zbukuruar.

Dielli e ka dashur, dritën i fal përditë,

prandaj si trëndafil, ka aromë e lulëzim.

Duket përherë pranverë, dimër edhe behar,

duket si ishull zogjsh, si një pëllumb i bardhë,

që do të ngrihet lart, të flatrojë në eter.

Për flatra ka qeillin, për shok të tij ka erën.

Ka degë plot me freski, ka lule erëmira,

i ka gjithë mirësitë, ka gjithë gjërat e mira.

Veç i mungon vështrimi yt i qiellt, i mjalttë,

pamja jote e përvuajtur, loti që rrjedh gjak.

Gëzo, o shpirt, gëzo, nga trupi ti do ndahesh,

ti do shkosh në qiell, ai në tokë do kallet.

O shpirt, u torturove në tokë plot pikëllime,

tani do shkosh i vetëm, me të s’ do kesh më lidhje.

Ky trup tashmë jetim, me ty ka qenë bashkuar,

kjo ishte jeta jote, si dy sy të verbuar.

Tani ai do tretet, do humbë, do bëhet baltë,

përpara shkrirjes, humbjes, ti dashuroje prapë.

Dashuri rinore, para se të them lamtumirë,

elegjinë e shpirtit, po ta fal me dëshirë.

……………………………………………………………………………………