Parabola e krizës njerëzore në romanin “Shitësit e reve” të Pajtim Çaushit-Arben Iliazi

Arben Iliazi

Parabola e krizës njerëzore në romanin “Shitësit e reve” të Pajtim Çaushit

“Shitësit e Reve” (Botimet 2M) është romani më i ri i shkrimtarit Pajtim Çaushi, një libër që ka pasur performanca të ndryshme leximi. Padyshim që vetëdija e leximit parakupton një kritikë dialogjike, si një princip të së vërtetave që nëpërmjet shkrimit, simbolizojnë autorin, në një sintezë të pazakontë me lexuesin. Me këtë rast dua të shpreh disa mendime shkurt për romanin “Shitësit e reve”.

Që në fillim mund të them se P. Çaushi sjell një risi me këtë vepër. “Shitësit e reve” është një prozë e shkëlqyer e klasit të parë. Autori e ka quajtur “roman satirik”, por unë do ta quaja “antiroman”, pasi është një prozë hibride, e vaçantë në llojin e vet, me hollësira, shpesh paradoksale, me një ankth intelektual dhe ekzistencial, me një sintaksë të brendshme lakonike dhe konvencionale, me një metagjuhë funksionale, me estetikë, antropologji dhe dije të thella mbi njeriun.

Falë vizionit të tejskajshëm ironik e grotesk, autori bën një prerje vertikale dhe horizontale të shoqërisë, si një fantazmë sociologjike, që ka humbur arsyen individuale, si dhe të njeriut thetan dhe të zhytur në hiç, të ngjashëm me një fantazmë zoologjike, i dehur nga ideja dhe voluntarizmi katastrofik se ka të drejta të drejtojë shoqërinë duke iu ngjitet pushtetit. Në roman përplasen mendësitë së dy epokave, komuniste dhe postkomuniste, në një kontekst absurdist.

Bota që përshkruan autori është një makrosemiotikë, me sensibilitetin e dy epokave, asaj komuniste dhe postkomuniste, me një kontekstualizëm të fortë të problemit estetik të dinamikës së brendshme të mësuesve dhe heronjve fals, që përmbysin procesin e qytetërimit me marrëdhënie private, krejtësish jonjerëzore, infantile dhe posesive.

Në strukturën narrative të romanit, ngjarjet shpesh nuk rrjedhin nga një logjikë e pastër lineare ose morale

dhe personazhet mishërojnë pamundësinë e komunikimit të sinqertë njerëzor. Prirja absurdiste pasqyron pakuptimësinë dhe krizën ekzistenciale të njeriut modern përballë një bote pa sens, të fragmentuar dhe pa një qëllim sipëror.

Në këtë roman ka një parregullsi brenda një rregullsie të përsosur. Pra krijohet ky lloj raporti: Simetri-asimetri, rregullsi-çrregullsi, mendësi-pamendësi, ndërtim-shkatërrim, etj. dhe anasjelltas. Njerëzit, edhe pse i krijojnë vetë rrethanat bëhen vetë viktima të këtyre rrethanave – të krijuara nga vetë ata (në mënyrë të pashmangshme) – gjatë veprimtarisë së tyre.

Sidoqoftë, absurdi në këtë vepër nuk është një kalvar estetik por një përvojë pozitive: përvoja e absurdit është ajo e vërtetësisë, në një sistem me “ligjshmëri pa ligje”, në kurth me vetveten, me një eksteriorizëm që krijon tronditje psikike dhe krijon parabolën e krizës njerëzore të njeriut shqiptar.

Për të pasqyruar krizën e tjetrësimit dhe zvetënimit moral, që lidhet me fenomene të shoqërisë shqiptare, si korrupsioni, servilizmi, paaftësia, formalizmi dhe degradimin moral, autori ka përdorur satirën dhe groteskun, si teknikë estetike, dhe si pasqyra besnike të thyerjes shpirtërore.

Në këtë roman P. Çaushi ka bërë një përshkrim gjenerativ të marrëdhënieve mes Qënies, Unit dhe Vetes, në të gjitha nivelet. Brenda këtij sistemi kundërvëniesh dhe konflikti intrapsikik, autori vendos një lidhje të trefishtë mes Qënies, instikteve të pavarura të Unit, dhe Vetes. Ky është njëkohësisht dhe një konflikt midis individit dhe shoqërisë. Në këtë vepër shoqëria mishëron racionalitein e së tërës dhe individin pa skrupuj moralë, në luftë kundër arsyes objektive, duke tejkaluar zhvillimin e unit të realitetit dhe duke zhbërë institucionet e shoqërisë, brenda të cilave ekziston ky un. Kjo dikotomi arrin të realizojë trupëzimin e fantazisë me ndërgjegjen artistike, duke fituar monopolin e interpretimit, manipulimit dhe ndryshimit të realitetit. Uni në këtë vepër udhëhiqet e shtyhet nga tërësia e energjisë së vet psikike, duke u udhëhequr nga ajo pjesë që i përket parimit të realitetit. Ndërkohe realiteti procedon sipas ligjeve të veta, në proceset subreale e surreale, ku peripecitë e instikteve ndyshojnë shumë nga njëri – tjetri.

Lumo Vula, (servil i përjetëshëm i gjithë pushteteve), Vait Voda, Drejtori, me pseudonimin Kuqo, Revizori Harallamb, Lolo Molla, Bilo Thana, Fane Lapa, Polo Çuni, Salushja, apo gazetari Ilo Hupja, nuk janë personazhe, por mutacione narrative, devijime ekzistenciale, në një proces aspektualizimi të marrëdhënieve, jo vetëm izomorfike, por edhe lipidike, të individit me pushtetet e çfarëdolloji.

Kjo i ka dhënë veprës një dimension semantik dhe një valencë psikologjike, me karakter epistemologjik, njohës.

Romani është shkruar me një gjuhë të dendur, plot lokucione të “çamërishtes”, që arrin të paraqesë unin e brendshëm, apo dhe botën e jashtme. Çaushi ka mënyrën e vete të të kuptuarit të gjuhës dhe lidhjes së saj me mendimin dhe botën.

Ky shkrimtar gjithmonë ka qenë i ndjeshëm ndaj gjuhës si mjet komunikimi, pavarësisht që “absurdistët” nuk duan ta marrin si të mirëqënë këtë funksion të gjuhës. Po ashtu në këtë roman bien në sy lakonizmi i brendshëm, me sinkopizëm e metaforikë.

Disa nga romanet e Pajtim Çaushit:

Veç romanit “Shitësit e Reve”, në krijimtarinë e tij përfshihen vepra si “Robina e ëngjëjve”, “Heshtja e Unit”, “Kryeministri reve”, “Zana e Syrit të Kaltër”, “Monumenti i hijeve”, “Nënkryeministri, njeriu që i kacavirej pushtetit” dhe “Hija e Vetes”.