“Penelopës …”Mariana Zegali Rustemi

 Kohët e fundit miti i Odiseut është rikthyer në qendër të vëmendjes, pa dyshim edhe për shkak të projektit filmik të Christopher Nolan.

Rikthimi i këtij miti tremijëvjeçar ka sjellë sërish edhe pyetjet që ai mbart:
Çfarë është kthimi, çfarë është pritja, çfarë mbetet nga dashuria kur mungesa zgjat një jetë të tërë?

Mes shumë interpretimeve që qarkullojnë, u ndala tek një thënie që mbante autorësinë e historianit dhe antropologut francez Jean-Pierre Vernant:
“Penelopa nuk kërkon një burrë; ajo do Odiseun.”

Më la gjatë në mendime. Përkonte çuditërisht me mënyrën se si e kam ndier gjithnjë figurën e Penelopës.

Duke kërkuar më tej, zbulova se Vernant nuk ishte thjesht studiues i Greqisë së lashtë. Si antropolog, ai përpiqej të kuptonte se çfarë na mësojnë mitet për natyrën njerëzore. Për të, mitet nuk ishin rrëfime të ngrira në kohë, por forma përmes të cilave njeriu ka reflektuar mbi dashurinë, lirinë, identitetin, zgjedhjen dhe fatin.
Në këtë dritë lexohet edhe pohimi i tij.

Në Odisenë e Homerit, Penelopa ka arsye të mjaftueshme për të besuar se i shoqi nuk do të kthehet më. Kanë kaluar njëzet vjet. Rreth saj mblidhen pretendentë fisnikë, të pasur e të fuqishëm. Çdo logjikë praktike do ta shtynte të zgjidhte njërin prej tyre. Megjithatë, ajo nuk kërkon dikë që të zërë një vend bosh. Ajo pret një njeri të vetëm, Odiseun, burrin e saj.
Këtu qëndron, besoj, thelbi i vëzhgimit të Vernan-it: Dashuria nuk zgjedh një rol, por një person.

Një bashkëshort mund të jetë një status shoqëror, por njeriu që duam nuk është kurrë një status. Ai është historia e tij/tona, kujtesa, mungesat, dhimbjet, dobësitë dhe mënyra e tij e papërsëritshme për të qenë në botë.

Ajo thënie më vuri në mendime, ndoshta sepse nuk flet vetëm për bashkëshortin. Ajo vlen për çdo lidhje që ka qenë vërtet dashuri.

Shpesh ngatërrojmë nevojën për të pasur dikë pranë me dëshirën për të qenë pranë një njeriu të caktuar. Kërkojmë një prani, një mbështetje, një siguri. Por dashuria fillon në një pikë tjetër:
Kur tjetri nuk është më i zëvendësueshëm. Jo sepse është i përsosur, por sepse është ai.

Ndoshta kjo është arsyeja pse disa dashuri nuk zëvendësohen kurrë. Jo sepse zemra nuk mund të dashurojë më, por sepse çdo dashuri e vërtetë lidhet me një person të vetëm dhe, pikërisht për këtë, mbetet e papërsëritshme.

Mitet mbijetojnë jo sepse tregojnë histori të lashta, por sepse vazhdojnë të na bëjnë pyetje të reja. Dhe ndoshta kjo është pyetja që Vernant na lë përmes Penelopës:
Kur themi “të dua”, a po emërtojmë një nevojë, apo një njeri?

Ndoshta përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje është ajo që dallon një prani nga një dashuri.

Dhe ndoshta pikërisht për këtë Penelopa vazhdon të na flasë edhe sot, pas mijëra vjetësh:
Sepse ajo na kujton se dashuria e vërtetë nuk lind nga frika e vetmisë, por nga njohja e një njeriu të vetëm si të pazëvendësueshëm.

**********

©️

 Mariana Zegali Rustemi
#rustemimarjana#art#letersi#kulture

📸

 “Penelopës …” – (dhuratë)