DY FJALË PËR LEXUESIN
Poeti dhe studiuesi Agim Lika u sjellë lexuesve një libër interesant në llojin e vet, të cilin, në shqip, s’e ke të lehtë me ç’term ta përcaktosh, megjithatë do ta përcaktoja si: monografi letrare, përkushtim letrar, bile dhe studim kritik, meqë autori fokusohet dhe në analizën e veprave të krijuesve, të përmendur në këtë libër. Agimi përherë ka guxuar, sepse e ka në karakter guximin, prandaj arriti të realizojë dhe botimin e këtij libri. Është një vepër promovuese që nuk përfshin vetëm krijues letrarë ishmakë, por edhe të tjerë, që nuk i përkasin kësaj treve. Agimi bën një rezyme për secilin krijues që ka përzgjedhur, duke paraqitur të dhëna biografike për secilin prej tyre, por dhe duke u përqëndruar më tepër te krijimet e tyre letrare, të cilat autori i ka lexuar dhe i analizon edhe me ilustrime konkrete, të përzgjedhura. Për secilin ai jep mendimin dhe vlerësimin e tij.
Autori jep argumente dhe është i bindur për ato që shkruan, paçka se në disa raste konkludimet e tij, dikujt mund t’i duken edhe si elozhe për disa nga krijuesit që përfshihen në këtë libër. Autori i njeh lexuesit me jetën, arsimimin, kontributin që kanë dhënë, kudo që kanë punuar. I njeh me krijimtarinë letrare (në poezi apo prozë) të këtyre krijuesve, duke e paraqitur të plotë portretin e secilit prej tyre. Ajo që ka më shumë rëndësi është analiza që u bën veprave kryesore, sidomos poezive, duke nxjerrë në dukje veçoritë artistike të secilit autor, bile, një pjesë të poezive edhe i komenton saktë, hollësisht, duke ua servirur të gatshme ato, lexuesve. Botimi i këtij libri është një vlerë e shtuar për njohjen e këtyre krijuesve që, me krijimet e tyre, u vijnë në ndihmë lexuesve për zgjerimin e horizontit të tyre.
Ky botim ka dhe një anë tjetër me vlerë, edhe pse të padukshme, por shumë domethënëse, që mbart vlera të pallogaritshme: zbulon shpirtin human të Agimit, tamam shpirtë artisti, që nuk njeh egon profesionale, e cila, në ditët e sotme të shoqërisë shqiptare, shfaqet në çdo profesion, (prfshirë edhe krijuesit që e quajnë veten “artistë,” por jo me shpirtë artisti). Agimi i vlerëson krijuesit e tjerë dhe i promovon ata, me dëshirë dhe pa asnjë interes. I lumtë ! Ky është një shembull që duhet ndjekur nga të gjithë, sidomos nga disa krijues që mbivlerësojnë veten, duke numëruar liket që marrin (qofshin këto edhe falso, sa për t’i bërë qejfin), apo ndonjë stimul tjetër, që i reklamojnë në fcb. si arritje apo sukses të jashtzakonshëm. I uroj autorit suksese në krijimtarinë e tij dhe shpresoj se do të na dhurojë sa më shumë libra të zhanreve të ndryshme, të cilat kanë vlerat e tyre njohëse dhe edukative jo vetëm për lexuesit e sotëm, por edhe për brezat e ardhshëm!
Kujtim Xhebexhiu Prezë-Tiranë


