Piktorja 14 vjeçare, Diora Çota, ekspozitë me 16 piktura -Nga Agron Mema


Nga Agron MEMA


Korriku e ka mbyllur, jo vetëm siparin kalendarik të tij, por edhe aktivitetet kulturoro- artistike me ekspozitën e piktores së vogël nga Tirana, Diora Çota. Shëtitorja e qytetit, pranë galerisë së arteve, është zbukuruar hijshëm nga 16 pikturat e Diorës, si një dhuratë mirënjohjeje për banorët e qytetit, pushuesit e shumtë dhe vet bukurisë së Sarandës. Janë 16 piktura, 16 peisazhe, parapëlqimi I saj për të derdhur në ngjyra ndjesitë që I përcjellin imazhet e natyrës që magjepsin shikuesit dhe zbrazin ëndrrën frymëzuese të artistes së vogël. Galeria “ART-SARANDË” në bashkëpunim me ” SHOQATËN E KRIJUESVE JONIANË”, nën kujdesin e BASHKISË SARANDË, organizuan këtë manifestim artistik. Diora, vet shprehet se qysh në vogëli e ka tërhequr piktura. Fillimisht në letra me lapsa derdhte fantazitë e saj fëminore me lule e zogj dhe vitet erdhën deri tek telajua dhe peneli. Saranda e mrekullon me bukuritë e saj dhe frymëzimi derdhet në ngjyra. Sa ka mbaruar klasën e 8 –të të shkollës 9-vjeçare “Vasil Shanto” në Tiranë dhe, pas kësaj ekspozite të pare të sajë në Sarandë, premtimi se po troket një talent befasues është më se i besueshëm dhe konkret, i prekshëm, i dukshëm dhe real. Në hapat e parë të krijimtarisë së saj, siç është edhe hapja e kësaj ekspozite, tregohet pozitiviteti i pritshmërisë nga kjo artiste në fluturim. Urime dhe suksese Diora!
Sarandë; 31–07–2026