Deprecated: Funksioni WP_Dependencies->add_data() u thirr me një argument që është vjetruar që pas versionit 6.9.0! Komente kushtore IE shpërfillen nga krejt shfletuesit e mbuluar. in /home/www/vhosts/gazetadestinacioni.al/httpdocs/wp-includes/functions.php on line 6131
Poeti Hiqmet Meçaj na sjell mallin e parë-Arben Iliazi

Poeti Hiqmet Meçaj na sjell mallin e parë-Arben Iliazi

 
 
Dje, gjatë një bisede të lirë me mikun tim, Pandeli Koçi, kujtuam edhe poetin e Vlorës, Hiqmet Meçaj.
Pandi ka qenë dikur mik dhe redaktor i tij në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Ishte pikërisht ai që e paralajmëroi në vitet ’70 për stuhinë e egër që do të derdhej mbi letërsinë dhe artet. Dhe Hiqmeti tërhoqi asokohe tre libra të gatshëm për botim: romanin “Shpërthimi”, vëllimin poetik “Vazhdimësi” dhe tregimet për fëmijë. Të tre librat i asgjësoi.
Më vonë, siç dihet, e akuzuan si “poet hermetik” dhe “shkrimtar borgjezo-revizionist”, duke pësuar jo pak privacione, duke e degdisur skërkave si mësues fshati.
E pyeta Pandin: Si është Hiqmeti? Ku bëhet? Kam dëgjuar se jeton në vlorë pas kthimit nga emigracioni i gjatë në Greqi…
Pse nuk shkruan më me atë ritëm si dikur?
Pandeliu m’u përgjigj me disa vagje të një poezie që miku i tij vlonjat, Albert Habazaj, i ka kushtuar Hiqmetit vitet e fundit:
“ Shkruesit e vargjeve shtohen pa rritur si shkurret
Poetët e paktë, si bredha të bukur, të lartë,
Lukunia e shkurreve qelqit digjital turret
S’ka më doganë të merret me shkrimin e artë”.
Ah, i them Pandit, bukur e ka shkruar…Por na ka marrë malli për poezitë e tij të famshme, si “Agavja” botuar, në mos gaboj, në vëllimin poetik “Tokë e pagjumë” (1983), i cili u vlerësua me çmimin kombëtar “Libri më i mirë poetik i Vitit” dhe Hiqmeti u dekorua me Urdhërin Naim Frashëri”.
Edhe vetë u habita se si më erdhën në kujtesë vargjet dhe fillova t’i them përmendësh:
“U rrite buzë detit,
mbi shkëmbin e kuq,
mbi kreshtat e dallgëve.
Lulëzove nga dashuria,
nga dashuria vdiqe ti,
gjethet t’u drodhën
si dallgë të gjelbra,
agavi,
agavi!
Me atë lirinë, çiltërsinë, spontanitetin dhe rebelizmin e tij të hijshëm, H. Mecaj ishte një idhull me vete i brezit tonë, të viteve ‘80-90.
Në një kohë kur letërsia rrezikonte të bëhej rutinë, Meçaj na kujtonte se fjala poetike është një akt ekstrem, një akt lirie totale.
Ndaj ai çasi kur na duket se e kemi harruar poetin e Vlorës, është thjesht një vegim. Papritur, ai na shfaqet përsëri dhe na sjell mallin e parë, duke na mahnitur më shumë se dikur.
Duke menduar për Hiqmetin, pikërisht sot në gazetën “Destinacioni” m’u shfaq përpara një poezi e tij, botuar në vitin 1965, duke më sjellë të freskët dhe të brishtë po atë mall të parë. Vjersha titullohet “Vapori i mbytur”:
 
VAPORI I MBYTUR
 
Mes valëve, në gji të detit, thellë,
qëndron aty, i lodhur tmerrësisht,
me dy direkët ngritur përmbi shtjellë,
i thotë botës sa i madh që ish.
Me detin ç’kuvendon kur hidhet vala,
ç’dëshirë mban të kyçur në thellësi,
a mos kërkon të çajë prap përpara,
ta rrokë detin prap me gjoks të tij?
Kur vijnë varkat, vallë ç’thotë direku,
përse rënkon atëherë i kaltri det,
a mos kërkon të shkojë prap te bregu,
një dashuri të humbur mos thërret?
Në hidhet vala kur direkun çik,
zjen malli i tij (ah mall për pak lundrim),
mes myshkut mbledhur, tretur ai rri,
rënkon ndën tonelata dëshpërim.
Nuk do më shumë, veç pak erë, fllad,
ca yje, pakëz hënë, horizont,
një zë njeriu, gas të jetë a vaj,
rënkim a dashuri, gjë tjetër s’do.
Ndaj më nuk fle, më gjumi nuk e nget,
se peshë e varrit e rëndon atë…
…dhe në u lind të shkasë përmbi det,
u desh të shkasë deti përmbi të.
Poezi e thjeshtë, shkruar me virtuozitet të rrallë para më shumë se 60 vjetësh, por që mund të konsiderohet një model i lirikës intime, me një aromë që magjeps, me figuarcionin e pasur dhe përfytyrimet metaforike. Që në të ritë e tij poeti kishte aftësinë për të përcjellë me vargje të thjeshta ngazëllimin lirik, ndjesi dhe gjendje të ndërlikuara, duke lundruar në përfytyrime të çuditshme, herë-herë si ikje dhe arratisje nga realiteti. Poezia e Hiqmet Meçajt është një poezi e kuptueshme për të gjithë, e mbushur me ankth e përdëllesë, ndaj shfaqet përherë e bukur. U binda se poetë të tillë nuk mund të humbasin kurrë në hapësirën e pafundme të detit të kujtesës.
 
KRIJIMTARIA:
Lindur në Ballsh, 2 maj 1944, Hiqmet Meçaj është një shkrimtar që ka lëvruar disa zhanre letrare.
Poezi:
Nisja, 1967;
Ditë pranvere, poezi për fëmijë, 1969;
Tokë e pagjumë, 1983;
Te ju trokas, 1988;
Vetvrasja e qirinjve, 2000; përkthyer në rumanisht nga Kopi Kyçyku dhe botuar më 2008.
Kujtesë e shpikur, 2003, botim personal në pak kopje; e përfshirë në antologjitë poetike;
Antologji për Skënderbeun, 1968;
Vargje të zgjedhura (në disa gjuhë të huaja), 1970;
Antologji e shkollave të mesme, 1970;
Portat e harresës – antologji e poetëve nga Shqipëria që ndodhen në Greqi, 2001;
Qiejt e shpirtit, antologji e poetëve nga Shqipëria që ndodhen në Greqi, 2006;
Antologji e poetëve të Vlorës, (shqip dhe italisht), 2004;
Shtëpia e diellit dhe e detit, (antologji poetike për Vlorën), 2007;
Prozë
Kukullat e pyllit, roman (botim personal), 2003;
Për askund, tregime (botim personal), 2003;
Çikpaku, roman për fëmijë (botim personal), 2003;
Zinxhiri i anktheve, libër intervistë nga Kopi Kyçyku, 2006, ribot. 2008.