Në bregdet-Mark Gjetja

Në bregdet

Shkojmë, e dashur, në bregdet,
zhurmën e dallgëve do të ndjejmë;
supit tim kokën mbështet,
nëpër muzg një tendë do të ngrejmë.

Zgjohet deti, ngrihen dallgë,
ecim bregut duke rendë;
më mungon, tani je larg,
le të sjellë kujtimin tënd.

Më vjen në ëndrra, nëpër natë,
nëpër kopshte pa mbarim,
porsi dallgët, gjerë e gjatë,
të përkund në prehërin tim.

Cila dallgë të sjell drejt teje,
se ka kohë kjo plagë që dhemb?
Cili fllad do fryjë drejt meje,
të përcjellë imazhin tënd?

Do të bëhem dallgë sonte,
dhe si dallgët të lëkund;
dielli detin e mbulonte,
rrezet valëve s’kanë fund.

Perëndimi i mahnitur
qetësoi valët afër teje;
e shoh diellin duke zbritur,
porsi flakë e një rrufeje.

Oh, ti, mikja ime e dashur,
pritjet nuk i duroj dot;
mëngjesi ka për të zbardhur,
rëra e detit na mban ngrohtë.