Kastriot Malo

Unë dëshiroj ndarjen mos ta ndaj,
Ndaj fjalët i lëmoj e s’u jap urdhër,
Ti ma kthen: Dhe më përshendet!
Shpirtin godet si farkëtari mbi kudhër.
Vazhdoj ende ta ruaj embëlsinë,
Por kjo gjë ty më tepër të egërson,
Se atë kohë që na lumturoi rininë,
Unë në qafë e kam varur si medaljon.
Asgjë tjetër nuk kërova në këmbim
S’e di pse atë dallgë nuk e kapërxen,
S’ke pasur në jetë asgjë më të bukur,
Apo shpirtin krimbi i ndarjes ta bren.
Provoj sërish të flasim më ngrohtë
Ti prapë fjalëve ju jep një tjetër ton,
Herë u hap disa frëngji provokimesh,
Herë si një furtunë Dhjetori i acaron.
Ta dish mike se të gjitha dashuritë,
Mblidhen një nga një dhe bëhen gjerdan,
Vetëm kështu treten si bora xhelozitë,
Veç kështu urrejtjen me mure e ndan.
Ti fjalët mi copton ashtu si thyhet plisi,
Unë ndarjen dua ta fus në një gotë verë,
Të them: S’ka kohë për hidhërime pa vlerë,
Jeta gjithsesi vazhdon në stacione të tjerë.