
DITA E TREMBËDHJETË E DIALOGUT
PSE NJË KOMB KA NEVOJË PËR IDETË?
Një komb nuk jeton vetëm me territorin e tij, sado i madh të jetë ai.
Nuk jeton vetëm me historinë e tij, kur, siç ndodh deri më sot, ajo reduktohet në studimet akademike shqiptare veç në kronika, ngjarje, rregulla gjuhësore, beteja e dokumente, pa depërtuar në botën e ideve.
Një komb nuk mund të jetojë pa idetë që e rilindin.
Historia ruan kujtesën, por idetë janë ato që, duke ndryshuar kulturën, hapin rrugën drejt së ardhmes.
Prandaj figurat më të mëdha shqiptare nuk janë të rëndësishme vetëm për atë që kanë bërë.
Ato janë të rëndësishme edhe për atë që vazhdojnë t’i mësojnë njeriut sot.
Janë ide që presin të zbulohen nga studimet.
Kështu ndodh kalimi nga historia e ngjarjeve te historia e ideve.
Me këtë kalim, shoqëria krijon ndërgjegje dhe qytetërim.
Rilind njeriu.
Këtë kalim presin edhe figurat më të mëdha shqiptare, nga Skënderbeu te Nënë Tereza.
Për të dalë nga kufijtë e studimeve që ndalen vetëm te faktet. Për të hyrë në botën e ideve.
Dhe për t’u bërë udhërrëfyese për brezat që vijnë.
Ky dialog vazhdon…
Në ditët që vijnë do të filloj të publikoj fragmente nga libri “Rilindja Shpirtërore”.