Pylltaria  shqiptare dhe sesionin e 84-t i Komitetit për pyjet dhe industrinë pyjore të UNECE-Dr. Selman Meziu

Dr. Selman Meziu

                                                  Konferenca e 84 e UNICE (4-6.11.2026)

      Informacionet e marra nga burime të ndryshme tregojnë se  Ministria e Mjedisit ka dorëzuar pranë Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE), më 23 tetor 2026, një raport për sesionin e 84-t të Komitetit për Pyjet dhe Industrinë pyjore (shfrytëzim përpunim druri (S.M.) të UNECE, që ka filluar sot punimet e vazhdojnë deri me  datën 6 nëntor.

     Sapo lexon këtë njoftim mjaft të rëndësishme për pylltarinë shqiptare, e cili ka luajtur e duhet të luaj një rol shumë të rëndësishëm jo vetëm në zhvillimin e ekonomisë së vendit, por me ndikim të fuqishëm në mirëqenien  e mbar popullit, në shëndetin, ushqimin, turizëm etj. Mirëpo të zhgënjyer krejtësisht në harkun kohor tridhjetë e gjashtë vjeçar  nga politikat e ndjekura, të zbatuara mbi ekosistemet pyjore me format, mënyrat e administrimin e drejtimit të saj, të  shkaktojnë zemërim, të bëjnë të ulërish, të vajtosh natë e ditë. 

      Pyjet që vishnin faqet e maleve, kodrave, luginave edhe fushave janë prerë barbarisht pa ndjekur ligjet, rregullat, standardet silvotkenike, ato pothuajse janë zhdukur, peizazhet dikur mahnitëse janë shëmtuar e shpërfytyruar, kjo shto edhe zjarret e pa numëruara pa pyetur stinë, lloje pylli, Parqe Kombëtare, Zona  të Mbrojtura, Peizazhe të mbrojtura, Monumente natyre, kafshë të egra, shpend, insekte që bashkëjetojnë aty. 

   Natyrshëm lind pyetja:  Kjo është një urrejtje, një mëllef i rastit apo ka baza reale, të prekshme, të paraqitura në gjithë arsenalin e propagandës mbi gjendjen e mjerueshme, katastrofike në të cilën ndodhet pylltaria shqiptare, mbi të gjitha në periudhën 2013-2026. Për të mos u zgjatur në ndjenja e shprehjet sentimentale, po paraqesim disa shifra, fakte që kam shpresë që janë dërguar, sigurisht me pikatore, Konferencës së UNECE-së.

   Dhe ja po japim faktin e parë: ‘’Studimi tregon se sipërfaqja me pyje në Shqipëri është rritur me 149 000  hektarë që prej vitit 1985 dhe është zvogëluar me rreth 300 000 hektarë krahasuar me vitin 2004.,, (Jeto gjelbër Korrik 2024)   Çfarë fshihet prapa këtyre shifrave edhe pse duken jashtë temës së konferencës?  Shifra 149 000 ha. është ripërtëritja natyrore, rritja në sipërfaqe nga rimëkëmbja e pyjeve të dushqeve cungishte pranë fshatrave të ndryshme të Shqipërisë kryesisht në zonën fitoklimatike  të Gështenjës.  Dhe kjo ‘’arritje,,  nuk ka ardhur  për meritë të vëmendjes së kushtuar nga Qeveritë Shqiptare me investime deri në këtë vit që jemi. Përkundrazi kanë munguar  politikat ekonomike, të investimeve etj. në drejtim të fshatrave duke sjellë braktisjen totale të tyre nga banorët e përhershëm. Si rrjedhojë pyjet nuk u shfrytëzuan për kullotje ushqim për bagëtinë apo dru zjarri.  Natyrisht vet natyra u kujdesua për zhvillimin në përmasa, si biomasa të këtyre sipërfaqeve të gjelbëruara e populluara me kafshë, shpendë dhe insekte.

                 Ndërsa shifra 300 000 ha.  i përket vërshimit të pa kontrolluar në hapjen e tokave të reja dhe livadheve polifite,  para vitit 1990. Sipërfaqe për të cilat mund kryheshin  pyllëzime  me lloje të ndryshme, ose të viheshin në mbrojtje. Fatkeqësisht ndodhi e kundërta, ato u braktisën dhe si rrjedhojë janë  shkatërruar sipërfaqet e tokave nga gërryerjet  në tre shkallët. Duke kaluar në klasifikimin:  toka jo prodhuese. Shtresa biologjike u transportua në përrenj, lumenj, liqene e dete.

   Të analizojmë edhe një fakt tjetër ‘’…për periudhën 1985 – 2021, volumi i përgjithshëm i pyjeve ka qenë në zbritje të vazhdueshme nga 85 milionë në 58 milionë metër kub.,,  (Gazeta ‘’Jeto gjelbër,, Korrik 2024) Ky pakësim i furishëm vazhdon me ritme më të shpejta edhe gjatë viteve 2025-2026. Po radhitim disa nga faktorët 1- Bashkë me shkatërrimin e ekonomisë shqiptare gjatë 35 vjetëve  nuk u kursyen mbretëria e gjelbërit e maleve dhe kodrinave: PYJET e të gjitha kategorive. 2- Mungesa e organizimit të specializuar, gjithë përfshirës 3- Mungesa e reformës së pronësisë. Ajo paraqitet sot pak pyje privat dhe tjetra shtetërore. 4- Në organizimet allashqiptarçe mbi ruajtjen, administrimin dhe qeverisjen e pyjeve u shkelmuan pylltarët, (inxhinier dhe teknikët) dhe u punësuan ithtarë partish e cila vazhdon edhe sot e kësaj dite. 5- Shpërqendrimi i punimeve silvoteknike  duke  përfshirë edhe shfrytëzimin e pyjeve nëpërmjet koncesioneve  të pa kontrolluara në punimet e ndryshme në pyje si dhe shfrytëzim. Sigurisht këto sollën katastrofën ekologjike në ekosistemet pyjore si rrjedhoje pakësimin në volum. 6- Qeveritë e njëpasnjëshme e sidomos Qeveritë Edi Rama  1, 2, 3, 4  nuk i kanë kushtuar fare vëmendje administrimit dhe qeverisjes së pyjeve shqiptare, Përkundrazi kanë qenë avangarda e shkatërrimit të ekosistemeve pyjore me ligje organizim dhe investime etj. 7- Korrupsioni një mënyrë e stërholluar vjedhje e shkatërrimi të pasurisë se gjelbërt pyjore. Dhe ja veprimi: për të humbur gjurmët e investimeve në pyllëzime, përmirësime, shfrytëzime ju vihesh dhe vazhdon t’iu vihet  zjarri dhjetëra e qindra hektarëve me pyje, shkurreve etj.  me qëllim  humbje gjurmësh në sasi e cilësi punimesh të pa kryera. 8-  Hartim ligjesh në përkrahje te oligarkëve për ndërtime gjigande në masivet pyjore, në Zonat e mbrojtura, Parqet Kombëtare, si për shembull:   Dispozita te ligji 21/2024 pёr ‘’Zonat e Mbrojtura,, i Ligjit  Nr. 55/ 2015 pёr ‘’Investime strategjike.,, Ligjin Nr. 38/2021 mbi ndërtimin e Hidrocentralit Skaviùca nga firma Bechtel etj.

    Këto janë disa nga shkaqet subjektive që pyjet janë pakësuar me 27  milion metro kub. Për të futur më thellë rrënjë bindje te lexuesit, po vazhdojmë me të tjerë shembuj konkret, real.  Vetëm dru zjarri çdo vit prodhohen për nevojat e qyteteve e fshatrave,  dy milion e dy qindë mijë metro kub. Fatkeqësisht duke shfrytëzuar pyjet e rinj që zënë 90 % të sipërfaqes se përgjithshme të pyjeve në Shqipëri dhe cungishtet e dushqeve. Ende nga qeveritë Rama nuk ka asnjë projekt investimesh për gazifikimin e ngrohje gatimit për mos vazhdimin e saharizimit të pyjeve. 

        Vazhdojnë pa u ndaluar të grabiten sipërfaqe shkurresh bregdetare edhe duke ndërtuar resorte marramendëse pa pyetur për raportin sipërfaqe ndërtimi – gjelbërim – banor etj. Pamjet trishtuese, shëmtira peizazhesh paraqiten shkatërrimet bioekologjike ne brigjet e detit Jon si  ne Palas,  Jala, Ksamil etj.  Vërshim tjetër kanibalesk edhe mbi formacionet bimore te shkurreve mesdhetare dhe cungishtet e dushqeve janë projektet e hartuara dhe që kanë filluar edhe ndërtimi i parqeve voltaike. Pse valle nuk fillohet  me vënien  e paneleve energji prodhuese nga rrezet e diellit, ne çati, dritare, ballkone, tarraca në vila, kulla, pallate, në semaforët, ndriçimin e shesheve, udhëve, shëtitoreve, por ju  mësym  sipërfaqeve të gjelbërta? Apo aty kërkojnë,  duan oligarkët dhe qeveria ju prinë me ligje për shkatërrimin e pyjeve qe kane mbetur dhe hapësirave gjeografike te gjelbëruar që kanë shpëtuar nga saharizimi,

    Dhe ja një realitet i hidhur i shkruajtur në raport.  Lexojmë:   ‘’… deri në 90% e tregut të druve të zjarrit vlerësohet se funksionon në informalitet, ndërsa rreth 71% e sipërfaqeve pyjore përbëhet nga pyje të degraduara, cungishte apo shkurre të ulëta.,,  Ja pra plagët e një keq administrimi të pasurisë të pyjeve shqiptare. 

       Udhëzgjidhjet janë dhëne nga profesor, pedagogë, inxhinierë pyjesh, shoqata studiues të gjeografisë e natyrës, por qeveritë Rama as nuk duan t’ia dinë për këto.  Vallë çfarë mund të kenë shkruar tjetër ne Raport Ministria e Mjedisit për djegien e mijëra e mijëra hektar pyje, kullota, shkurre etj. apo që nuk kryhen pyllëzime e sistemime malore, mbarështrim pyjesh nga mos planifikimi i  investimeve për t’i kryer ato? Qeveria Rama  muajt e fundit ka marrë në punë inxhinierë pyjesh nga Italia, ndërsa ato që u diplomuan atje janë larguar dhe vazhdojnë për të punuar nëpër botë në punëra nga ma të ndryshmet. Kjo është pasqyra e një qeverie pothuajse 14 vjeçare që ka shkruar me veprimet e saja, zhdukjen e mijëra hektar pyje dhe që nuk kryen kurrë farë investimi ose të  kryej reforma për riaktivizimin e mirë admirimin e qeverisjen e arit të gjelbër. Mjerisht ky është dështimi i saj në sjelljen harbute ndaj natyrës, pyjeve,  ekosisteme livadhor ujore etj.

     05.11. 2026                                       Dr. Selman Meziu