Serena Santorelli-Eja këtu, e vogla ime-Sjell në shqip M.Zegali Rustemi

Eja këtu, e vogla ime.

Të kanë lënë sërish vetëm, por ti duhet të rrish e qetë, tani nuk është më si dikur.
Je e rritur, vogëlushe. Asnjë premtim i pambajtur nuk mund të të rrëzojë, askush nuk mund të të lëndojë më.
Tashmë e di se dhimbja ekziston, e njeh, mund ta kapërcesh.
Të shoh të mbledhur kruspull në qoshkun e një jete, vështrim ulur, zhytur mes gjunjëve, mendjehumbur, sërrish në kërkim të një kuptimi.
Nuk ka kuptim.
Njerëzit veprojnë, lëndojnë.
Shumicën e herëve, edhe pa dashur.
Ata nuk e dinë se sa pak duhet të të bëjnë të vuash, nuk e dinë se mjafton veç një çast të të bëjnë të tronditesh.
E edhe pse ti ua ke lënë ta kuptojnë, nuk e besojnë, njerëzit besojnë vetëm në atë që shohin.
Dëgjo, vogëlushe, nuk kam parë kurrë askënd të dashurojë siç bën ti. Asnjë, vërtet.
Mos u mërzit nëse e njëjta dashuri nuk të kthehet, mirësia është e vështirë të kultivohet dhe dashuria kërkon guxim.
Kërkon të shohësh në brendësi, të dëgjosh, të falësh pa mbarim.
Dashuria tremb, është tepër e përsosur në papërsosmëritë e saj, që njerëzit t’i besojnë.
Por ti jo, e vogla ime. Dashurisë ti gjithmonë i ke besuar dhe nuk duhet të ndryshosh.
Mos e bëj vetëm ngaqë sërish, dikush, erdhi të të bëjë keq.
Nuk ka magji që të mos lindë prej vendosmërisë së dashurisë.
Vazhdo.
Asgjë nuk është më e shenjtë se një zemër e lënduar që nuk ndalet së dhuruari.
Ji e lumtur, vogëlushe.
…
(Për të gjitha gratë që ende mbajnë brenda vetes një vogëlushe për ta shpëtuar. ) */shënim i autores.
**********
✒️ Serena SANTORELLI
©️ Sjell në shqip M.Zegali Rustemi Marjana.
#rustemimarjana #art #letersi #kulture #serenasantorelli