Judita Dedi

A ju ka ndodhur ndonjëherë që njerëzit që dikur i kishit shumë pranë, sot t’i ndieni si të huaj?
I dinim hallet, gëzimet, shqetësimet e tyre.
Dinim kur ishin të mërzitur edhe pa na thënë asgjë. Flisnim gjatë, qeshnim për gjëra të vogla dhe mendonim se do të ishim gjithmonë pjesë e jetës së njëri-tjetrit.
Pastaj, pa e kuptuar mirë se kur filloi, diçka ndryshon.
Telefonatat rrallohen.
Do të të marr më vonë, se jam me punë.
Kam shumë angazhime këto ditë.
Të marr unë kur të lirohem.
Dhe ndonjëherë kalojnë ditë e javë pa e marrë më askush telefonin…
Edhe një takim që mezi e kishit lënë, nga njëra palë apo nga të dyja, shtyhet.
S’kam mundësi këtë herë, ta lëmë për një ditë tjetër…
Pastaj mesazhet fillojnë të pakësohen.
Dhe, pa e kuptuar, gjërat fillojnë të ftohen.
Jo sepse ndodhi ndonjë gjë e madhe. Jo sepse patët patjetër një konflikt.
Thjesht jeta, puna, angazhimet dhe njerëzit e rinj fillojnë të na largojnë edhe nga miqtë, edhe nga njerëzit e afërt që dikur i kishim kaq pranë…
Dhe një ditë kupton se ata njerëz, me të cilët dikur ndaje kaq shumë, tashmë janë bërë pothuajse të huaj.
Ajo që e bën më të rëndë nuk është ftohtësia apo zemërimi, por ajo heshtja e papritur kur ndodheni sërish përballë njëri-tjetrit.
Kur njerëzit me të cilët ke ndarë kaq shumë, të mirat e të këqijat, gëzimet dhe shqetësimet, papritur bëhen dikush për të cilin duhet të mendosh një pyetje formale, sikur të jeni takuar rastësisht në rrugë.
Të vret ajo ndjenja se njeh historinë e tyre të vjetër, por nuk ke asnjë ide se çfarë po jeton sot.
Është e vërtetë që jo çdo gjë që mbaron ka nevojë për një dramë.
Ndonjëherë rrugët thjesht ndahen, sepse njerëzit rriten në drejtime të ndryshme.
Ose thjesht harrojnë të kujdesen për atë që dikur e kishin kaq të rëndësishme.
Dhe ndoshta aty e kupton se nuk është gjithmonë vdekja ajo që na ndan nga njerëzit.
Ka edhe njerëz që i humbasim ndërsa janë ende gjallë.
Por unë besoj se disa njerëz, sado larg të shkojnë, mbeten diku brenda nesh.
Sepse ajo që kemi ndarë me ta nuk fshihet aq lehtë…
A ju ka ndodhur të humbisni nga jeta juaj njerëz që dikur i kishit shumë të afërt?