
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Si zakonisht, ai rrinte në një tavolinë më vete në librari-bar “Agolli”, në qendër të Tiranës. Një zotni që vinte rregullisht, sodiste librat në rafte dhe pinte kafen e shoqëruar me një teke raki. Vishej me shije: borsalinë në kokë, kularo zakonisht të kuqe, gjithnjë i qetë dhe i përmbajtur, duke shijuar kohën e vet.
Një ditë dimri, kur lokali ishte mbushur plot, në tavolinën e tij kishte mbetur një karrige bosh. Me mirësjellje i kërkova leje të ulesha, bashkë me mikun tim nga Gjirokastra, Jorgo Qirko. Me buzëqeshje na përshëndeti dhe na mirëpriti. Biseda nisi natyrshëm. Quhej Naxhi Kasoruho. Kishte disa vite që jetonte në Tiranë dhe, me një ironi të lehtë, nisi të tregonte jetën e tij:
-“Unë jam tepër i vuajtur, – tha, – sepse gjithë jetën kam qenë me punë në Qafën e Pazarit…”
Naxhi Kasoruho ka lindur më 22 dhjetor 1941 në qytetin e Gjirokastrës. Studimet për klarinetë i kreu në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Në vitet e para u formua nën drejtimin e mësuesit Resmi File, ndërsa më pas mori mësime nga profesori bullgar Anastas Gerdei, një pedagog me autoritet dhe me titullin “Artist i Popullit” në Bullgari. Ndikimi i tij ishte i ndjeshëm në përgatitjen profesionale të Naxhiut.
Që në bankat e shkollës, Naxhiu nisi të interpretonte me nivel të lartë vepra solistike nga literatura virtuoze e klarinetës, duke u shquar për tingull brilant, teknikë të sigurt dhe lëvizje të shkathëta. Më pas vijoi studimet në Konservatorin Shtetëror të Tiranës, në klasën e pedagogut Ramazan Kapanja, i diplomuar në Çekosllovaki dhe instrumentist në Orkestrën e Teatrit të Operas dhe Baletit. Në atë kohë, Kapanja ishte i vetmi klarinetist me studime të plota konservatori në Shqipëri.
Në maj të vitit 1962, me krijimin e Orkestrës Simfonike të Radio-Televizionit Shqiptar, Naxhi Kasoruho u bë pjesë e këtij formacioni, në pultin e klarinetës, krahas mësuesit të tij të parë, Resmi File. Orkestra dha koncertin premierë më 25 gusht 1962, nën dirigjimin e Mustafa Krantjes. Kjo përvojë ndikoi fuqishëm në rritjen e tij profesionale, duke i dhënë mundësinë të interpretonte vepra prestigjioze të repertorit klasik botëror dhe shqiptar.
Gjatë studimeve dhe më pas, ai u aktivizua edhe në koncerte solistike me klarinetë, i shoqëruar në piano nga shoku i klasës, pianisti i talentuar Vladimir Kapo. Në përfundim të studimeve, në koncertin e diplomës interpretoi vepra klasike që u pritën me duartrokitje dhe vlerësim maksimal nga profesoriati dhe mjeshtri Robert Radoja. Atij iu dha titulli “Klarinetist”.
Pas diplomimit u emërua në Gjirokastrën e tij të zemrës, ku punoi, luftoi dhe jetoi për rreth 40 vite në sektorë të ndryshëm të artit dhe kulturës. Ka ushtruar detyra të shumta: dirigjent i orkestrës së Estradës Profesioniste, nëndrejtor i shkollës së muzikës, shef i muzikës në Pallatin e Kulturës, drejtor i Teatrit Dramatik, inspektor i kulturës në Komitetin Ekzekutiv të rrethit dhe drejtor i Qendrës Kulturore.
Në këto dekada veprimtarie, Naxhi Kasoruho ka zhvilluar një aktivitet të gjerë si interpretues, kompozitor për klarinetë dhe organizator i jetës kulturore e artistike të Gjirokastrës. Edhe pse i diplomuar për klarinetë, ai u përfshi natyrshëm në lëvizjen amatore, duke kompozuar këngë dhe pjesë muzikore të ndryshme, gjithnjë nën “peshën” e të vuajturit.
Ai drejtoi dhe udhëhoqi veprimtari të shumta të Pallatit të Kulturës: lëvizjen folklorike, shkollën e muzikës, aktivitetet e kooperativave bujqësore dhe të Pallatit të Pionierëve. Këto ishin, sipas ironisë së tij, “vuajtjet” e një njeriu që punonte pa u lodhur për gjallërimin e jetës kulturore të një krahine të tërë. Ai drejtoi festivale këngësh për pionierë dhe të rritur, kompozoi për to dhe fitoi çmime të para.
Një tjetër “vuajtje” ishte angazhimi i tij shumëvjeçar në Bandën Muzikore të Gjirokastrës, ku për 15 vite shërbeu edhe si drejtues artistik. Me hapjen e shkollës së muzikës në Gjirokastër, në vitin 1968, ai dha mësim për klarinetë dhe organizoi koncerte të shumta recitale me nxënësit e tij. Paralelisht ishte klarinetist dhe solist i Orkestrës Simfonike të qytetit.
Duke ndjerë mungesën e literaturës mësimore, Naxhi Kasoruho hartoi katër metoda për mësimin e klarinetës për shkollat e mesme të muzikës, duke dhënë një kontribut të çmuar në metodikën e këtij instrumenti.
Që nga viti 1969, ai është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ka drejtuar grupet popullore të rrethit në Festivalet Kombëtare Folklorike të Gjirokastrës, duke u njohur në thellësi me vlerat e trashëgimisë kulturore dhe duke i pasqyruar ato me pasion në libra si: Gjirokastra e festivalit, Mes këngëve dhe valleve të Dropullit, Gjirokastra e këngës, Thesaret e kulturës lunxhiote etj. Për këtë kontribut, ai njihet gjerësisht si “Njeriu i festivaleve”.
Për veprimtarinë e tij gjysmëshekullore dhe kontributin në zhvillimin e kulturës kombëtare, Naxhi Kasoruho është vlerësuar me Urdhrin “Naim Frashëri” të Klasit III dhe II, me “Naim Frashëri të Artë” nga Presidenti i Republikës, si dhe me vlerësime të shumta nga Bashkia e Gjirokastrës dhe shoqata kulturore.
Kështu e përfundoi rrëfimin e tij “i vuajturi” Naxhi Kasoruho, duke thënë me bindje:
-“Tërë kjo punë që kam bërë në këto vite, nuk bëhet as për 500 vjet”.