Tatuazh i mëndafshtë-Migel Flor

Një pulëbardhë që çan detet e dhimbjes …

Një vështim miqësor mbi poezinë e Mery Bo-së.

Poezi që nuk kërkojnë të kuptohen menjëherë, por të ndihen deri në palcë, sepse fjala, kur del nga një përvojë e thellë njerëzore, nuk është më thjesht mjet shprehjeje: bëhet gjurmë, plagë, kujtim..

E tillë është poezia “Tatuazh i mëndafshtë” e Mery Bo-së, një tekst që më fton ta shoh autoren përtej figurave të bukura, përtej dhimbjes së shkruar, përtej fjalëve që mbartin një botë të tërë të pathënë. Më fton të takoj gruan që i ka mbijetuar heshtjeve dhe që, në vend që t’i mbyllë ato brenda vetes, u jep formë artistike.

Unë e njoh Mery Bo-në në varg si një poete të detit, një kapitenë të poezisë, një princeshë të fjalës së bukur. Në botën e saj krijuese, deti nuk është thjesht element gjeografik, as sfond ku lundrojnë metaforat… është gjendje shpirtërore, liri, largësi, mall dhe sfidë.
Kur poetja largohet nga deti i dukshëm dhe hyn në territorin e një Tetori të plagosur, nuk e humbet identitetin e saj poetik. Përkundrazi, e zhvendos detin brenda shpirtit dhe e lë dallgën të përplaset në brigjet e një dhimbjeje intime.

Në këtë poezi, Tetori nuk është thjesht një muaj vjeshte. Është një prani që shpon kujtimet., një kohë që nuk kalon pa lënë gjurmë. Poetja e personifikon stinën dhe e shndërron në një forcë që ndërhyn në trupin e saj, duke e kthyer përjetimin në një tatuazh të padukshëm për të tjerët, por të pashlyeshëm për atë që e mbart.

Titulli, “Tatuazh i mëndafshtë”, përmbledh një paradoks të bukur e të dhimbshëm. Tatuazhi është shenjë e qëndrueshme, një shkrim mbi shpirtin që bëhet pjesë e identitetit. Mëndafshi, përkundrazi, sugjeron delikatesë, butësi dhe një bukuri që kërkon kujdes. Në bashkimin e këtyre dy imazheve lind një metaforë e fuqishme….dhimbja mund të lërë shenja të thella, por arti mund t’i shndërrojë ato në një gjuhë të brishtë, të bukur dhe të qëndrueshme.

Trupi, në këtë poezi, bëhet faqe. Koha bëhet gjilpërë. Kujtesa bëhet shkrim.

Poezia e Mery Bo-së kapërcen rrëfimin personal. Trupi femëror nuk është thjesht një objekt vështrimi, dëshire apo gjykimi, por një hapësirë ku koha shkruan, ku përvoja lë gjurmë dhe ku gruaja ruan të drejtën e saj mbi dhimbjen. Nuk është një trup që kërkon mëshirë. Është një trup që dëshmon një histori ….

Në këtë dëshmi, poetja prek edhe territore të ndërlikuara të përvojës femërore, duke sjellë imazhe që mund të lexohen përtej kuptimit të tyre të drejtpërdrejtë. Dhimbja, humbja, pamundësia dhe ëndrrat e parealizuara marrin trajtën e simboleve që nuk mbyllen në një interpretim të vetëm. Pikërisht kjo hapësirë e pashpjeguar i jep poezisë mundësinë të komunikojë me përvoja të ndryshme njerëzore.

Mery nuk e zbukuron dhimbjen për ta bërë më të pranueshme. Ajo e vendos përballë lexuesit me peshën e saj, duke e lënë figurën poetike të flasë… Një rrëfim i drejtpërdrejtë do të ishte i pamjaftueshëm.

Në këtë botë poetike, vetmia nuk është domosdoshmërisht mungesë njerëzish. Është mungesë e asaj që e bën praninë të ketë kuptim. Është ajo hapësirë e heshtur mes dy frymëmarrjeve, ku njeriu mund të jetë pranë dikujt dhe, megjithatë, të mbetet larg.

Edhe natyra merr pjesë në këtë gjendje shpirtërore. Vjeshta, që zakonisht lidhet me rënien dhe ndryshimin, duket sikur ndalon vetveten. Koha nuk ecën, por mbetet e ngrirë mes humbjes dhe shpresës. Është një botë ku ndryshimi nuk vjen, ku asgjë nuk mbyllet plotësisht dhe asgjë e re nuk merr jetë.
Pritja bëhet një prani më vete, një forcë që sundon hapësirën e poezisë. Ajo nuk është më thjesht gjendja e dikujt që pret, por një pushtet që i imponon njeriut ritmin e vet. Dhimbja individuale merr përmasë ekzistenciale..
Njeriu nuk vuan vetëm nga ajo që ka humbur, por edhe nga koha që e mban varur në një portmand mes asaj që ishte dhe asaj që nuk u bë kurrë.

Mery Bo 😍…gruaja që e kthen plagën në varg romantik…

Duke lexuar këtë poezi, unë nuk shoh vetëm një autore që di të ndërtojë metafora të bukura. Shoh një grua që e ka kuptuar se fjala poetike nuk është stoli i dhimbjes, por mënyra për t’i dhënë asaj një formë që mund të mbijetojë përtej çastit.

Dhe këtu dua të ndalem te Mery si njeri dhe si krijuese.
Ka gra që e gjejnë rrugën e tyre në art duke pritur që dikush t’ua hapë derën. Ka të tjera që ecin me kokën lart, e çajnë vetë rrugën dhe nuk lejojnë që vështirësitë t’ua përcaktojnë kufijtë. Për mua, Mery Bo i përket kësaj kategorie të dytë. E vlerësoj për dinjitetin e saj, për mënyrën si e mbron botën e vet krijuese dhe për këmbënguljen me të cilën e ndërton zërin e saj poetik.

Poezia e saj ka një univers femëror që nuk “lufton ashpër” për të ekzistuar. Një grua që nuk e fsheh brishtësinë, por as nuk e ngatërron atë me dobësinë.. Një grua që nuk e mohon plagën, por i jep asaj një emër, një trajtë, një vend në kujtesën e lexuesit.
Poezia e saj meriton të lexohet përtej rrethit të miqve dhe përtej deteve.
Migel Flor

Tatuazh i mëndafshtë.

Mos më prek
aty ku dhembin plagët.

Ky Tetor i plagosur
gjithmonë di të qendis me gjilpërat e tij
të mprehta në trupin tim
një tatuazh të mëndafshtë.

Orët e tij, me akrepë të mallkuar
më kujtojnë rënkimet e mitrës shterpë
shkëputur nga trupi, duke thyer heshtjet.

Stol bosh jeta e ditës.
Pa ëndrra, pa ngjyra
dhe këmbim frymemarrjesh.

Asnjë çift s’u përqafua
dhe asnjë gjethe nuk u rrëzua.

Vetëm pritja, tund shkopin e pritjes !
Meri Bo