Brenda tre viteve është shndërruar në promovuesin e vlerave më të mira të kulturës sonë kombëtare
Halil Rama – Mjeshtër i Madh

- Grupi Folklorik Artistik “Dine Doda”, i shndërruar tashmë në një institucion interpretues dhe përçues të vlerave më të mira kulturore-artistike, me repertorin e tij mjaftë të larmishëm ka luajtur dhe luan rol edukativ për publikun, e veçanërisht për bezin e ri…
Si çdo trevë tjetër e Dibrës edhe ajo e Muhurrit ka një trashëgimi të pasur kulturore. Në funksion të evidentimit dhe promovimit të kësaj pasurie të vyer, para tre vitesh u krijua Grupi Folklorik Artistik “Dine Doda”, vepër e studiuesit të mirënjohur dibran Islam Voka, që si themelues padyshim do të ishte kryetari legjitim i saj. Krenar për këtë kontribut evident, Islami pohon një bilanc mjaftë poziv, që parasëgjithash konsiston në një punë gjurmuese e hulumtuese për mbledhjen e mjaft këngëve folkorike të kësaj treve artdashëse, të cilat do të shërbenin si burim i repertorit me mjaft këngë popullore e projektimin e disa valleve të burrave e grave në llojin e vet.
Gjithsesi, Islamit i mbetet peng mosrealizimi i valles së brezave me të cilën dy kërcimtarët virtuozë nga Hurdhë Muhurri, vëllezërit Gani e Hamit Rama, me performancën e shkëlqyer do të magjepsnin teleshikuesit e Festivalit Folklorik Kombëtar të vitit 1983.
RIPËRTËRITJA E TRADITËS…

Në vitet ‘’60 – ‘70’ të shekullit të kaluar, ish – kooperativa Bujqësore e Muhurrit kishte një Ansambël Folkorik që konkuronte denjësisht në festivalet lokale e në rang rrethi. Bashkëkohësit mbajnë mend interpretimet mjeshtërore të këngëve popullore të kësaj treve nga Naim Berisha, Flutura Lala, Dine Doda, Rifat Kbeji, Shyqyrie Mikli, Fadil Doda, Agim Berisha, Farie Sula, Mejreme Çiku etj, meloditë e këndshme të grupit të çiftelive nën drejtimin e Sadik Didës, e virtuozitetin me të cilin lunate në koncerte e festivale Hysen Mani me fyell e kavall.
Po ashtu valltarët Nezir, Nazmi, Gani e Hamit Rama, Hysni Tanushi etj, me performancën e tyre të shkëlqyer në kërcimin e valles dyshe muhurrake e asaj të brezave ia rrisnin prestigjin grupit folklorik të Muhurrit që asokohe drejtohej nga mësuesi i pasionuar, i paharruari Rexhep Hoxha.
Këtë traditë të pasur të atyre viteve po e ripërtërin dhe ngre në nivele të reja bashkëkohore Grupi Folklorik Artistik “Dine Doda” që drejtohet me kompetencë dhe profesionalizëm nga Islam Voka.
Nën drejtimin e tij, ky grup performoi me mjeshtri të rrallë artistike në një manifestim të madh kulturor në qytetin e Peshkopisë për rreth 15 minuta me valle, 4 lodra e 3 curle e klarinetë përgjatë bulevardit të blirëve të këtij qyteti e deri tek Pallati i kultures, ku u organizua një valle e madhe masive edhe me të pranishmit. Më pas, në qendër të Muhurrit u dha shfaqje e madhe me datë 23 maj 2023 në oborrin fantastik të lokalit të Mustafë Miklit, ku u dhanë falas pije freskuese për të gjithë të pranishmit, e më pas u shtrua një drekë me kryefamiljarët e 7 fshatrave të Muhurrit.
Me datë 2 gusht 2023, një pjesë e Grupit dha një koncert të bukur para artëdashësve të Malishevës e që u mirëprit mjaft mirë prej tyre. Po ashtu në Trime të Kosovës, duke ju rezervuar një pritje madhështore dhe duke i nderuar dhe me Çmimin e Mirënjohjes së Festivalit nga i Madhi Jakup Krasniqi i Malishevës e Komuna, e në fund shtruan një darkë me Grupin “Dine Doda”.
PAK PËR REPERTORIN DHE INTERPRETUESIT


Në repertorin e Grupit Folklorik Artistik “Dine Doda” spikasin shumë këngët e dasmave që këndoheshin kryesisht në të gjitha katundet e Muhurrit në vite. Drejtuesi I. Voka si mbledhës i tyre thotë se mjaft të bukura ishin këngët që la trashëgimi e moshuara Nilkë Çiku nga Shqathi, e këngë të tjera të cilat u përmblodhën si, këngë dasme në 3 potpuri të ndryshme, që u kënduan ashtu siç këndohej në vite në Muhurr. Sipas tij ato u interpretuan mjaft bukur nga Dije Mani në dy potpuri, Bledar Kaca e Afërdita Lala në një potpuri tjetër si këngëtarë të ftuar, ndërsa këngët e kurbetit u kënduan mjaft bukur nga Dija, Burbuçe Çuni e Ermira Qoku.
“Këngë për Muhurrin” e këngë dashurie e lirike u kënduan bukur po nga Afërdita (e ftuar), Buçja, Anila e Ermira Qoku, pa harruar këngët e bukura që kënduan Naim e Agim Berisha bashkë me Ermirën e Afërditën në katër këngë duet, apo kënga duet e kënduar nga Avni Xhani e Buçja, ku si përfundim triumfuan shumë duete këngësh mjaft të bukura e admiruese”, pohon Islami.
Ai konfirmon përpjekjet e shumta, madje duke kërkuar dhe koreografë nga, qyteti e kështu realizuan tre valle, nga këto dy grash që u interpretuan nga grupi i vajzave të shkollës Mesme të Muhurrit e një valle burrash katërshe, ku vlen të përmendet valltari i ndjerë e pasionant Albiond Losha. Me performacën e shkëlqyer, valltarët e këtij grupi ngritën peshë zemrat e artdashësve të shumtë.
Këngë trimërie u interpretuan bukur nga Agim Berisha e Abaz Losha të cilat patën një jehonë të madhe. Mjaft e admiruar nga të pranishmit ishte dhe kënga e trimërisë “Kësulëbardhë dibrani” e cila u mirëprit mjaft mirë nga dëgjuesit.
Në bilancin e këtij grupi folklorik artistik, të dëguar tashmë, Islam Voka evidenton ndihmesën e madhe për orkestrimin e këngëve e valleve nga Studio e Vllezrit Jashar e Idajet Sejdiu nga Tetova. Së fundi ata shkëlqyen bashkë me Dije Manin në një duet që mbetet hymn si këngë patriotike me titull “Tokat tona të bashkohen”, me tekst nga Islam Voka, tekst mjaft kuptimplotë e aktual për ditët e sotme, e cila është mirëpritur në të gjitha trojet shqiptare brenda e jashtë vendit.
Si përfundim u realizuan 16 këngë të reja e 7 këngë të Muhurrit, por të dëgjuara e tre valle, (në përgjithësi tekstet e këngëve ishin të poetit të këngës Islam Voka).
“Vitet 2021-2022 do të mbahen mend si vitet më të vështira e të zeza pasi vendin e pushtoi epidemia e Covid – 19, ku na solli mjaft vështirësi e pengesa sidomos në udhëtimet për në Tetovë me amatorët, pasi patëm vështirësi për çmimet e larta të udhëtimit e pengesat tjera mjekësore, por u përballua me sukses”, thotë Islami. Gjithsesi ai vlerëson kompletimin e veshjeve me kostume popullore si të krahinës së Muhurrit, me të cilat u kompletuan 15 palë kostume popullore për burra e 10 palë kostume popullore për gra, si dhe kompletimin e grupit të vajzave shoqëruese të këngëve për 6 vajzat.
Vlen të përmendet se të gjitha shpenzimet u përballuan nga vetë themeluesi e drejtuesi i grupit Islam Voka me një vlerë prej 15.6 miljon lek të vjetra, e nga Petrit Doda me një vlerë 12.7 miljon lek të vjetra.
Në festat e fundvitit 2025 ishte e ftuar dhe këngëtarja Dije Mani nga Ansambli “Kuvendi i Zall Dardhës, e cila u duartrokit nxehtësisht nga qindra pjesëmarrësit në këtë koncert festiv, për interpretimin e këngës së re me titull “Mall për vendlindjen”, shfaqje e cila u dha në Pallatin e Kulturës në Kamëz më 27 dhjetor.
Grupi Folklorik i Muhurrit përgatitet të japë dhe një shfaqje këtë vit në Festën e përvitshme të Shënkollit në Prat të Selishtës ku do të debutojnë me sukses një të dielë nga data 17-20 maj 2026.
LEGJITIMI I EMRIT TË GRUPI FOLKLORIK ARTISTIK
“DINE DODA”

Para tre vitesh, para se të legjitimohej me Vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, pati mendime të ndryshme për emërtimin e grupit. Kjo sepse, treva e Muhurrit ka nxjerrë personalitete të njohura në fushën e arsimit e kulturës, të njohura deri në shkallë kombëtare.
Gjithsesi, nënshkruesit e akteve të themelimit u dakordësuan tek emri i Dine Dodës. Sepse Ai ishte mjeshtër i interpretimit të rapsodive popullore e i kërcimit të valleve tradicionale të zonës së Muhurrit në festivalet zonale, e po i tillë do të shfaqej edhe në dasma e fejesa, duke ua shtuar atyre bukurinë e gjallërinë.
Talentin, zgjuasinë dhe fisnikërinë e tij, Dine Doda i ka shfaqur edhe në jetën shoqërore. Në raste dasmash e gëzimesh të tjera familjare, por edhe në raste fatkeqësish të fisit e të miqve të shumtë, jo vetëm në Muhurr por në gjithë Dibrën, ku ai do të merrte rolin e drejtuesit e të organizuesit, sipas zakoneve të vendit. Gjithnjë në koherencë me realitetin e atyre ngjarjeve do të evidentohej si njeriu që i zinte vend fjala dhe i kishte dukë puna.
Siç shkruan Sami Doda në librin e tij: “Në kërkim të jetës” (faqe 90-91), “Dine Doda ishte i pranishëm dhe i ftuar kudo në raste gëzimesh në fshat e në zonë, sepse i kishte lezet muhabeti, kënga dhe vallja. Ai dinte të përdorte me vend e me kulturë alegorinë dibrane. Pasi i kënaqte të pranishmit me shaka e muhabet, kapte çiftelinë dhe këndonte si një rapsod i vërtetë këngë tradicionale të folklorit të zonës. Pastaj linte çiftelinë e hynte në valle duke ia shtuar bukurinë gëzimit familjar…”
Bashkëkohësit muhurrakë e mbajnë mend kur si Përgjegjës i degës së Tregtisë Muhurr, në pritjen që i organizuan patriarkut të letrave shqipe Dritëro Agolli më 1981, Dine Doda shfaqi jo vetëm zgjuarsinë e talentin e tij në rrëfimin e ngjarjeve e situatave, por edhe formimin e tij kulturor nëpërmjet leximit të librave të shumtë (nuk kishte lënë asnjë libër të Dritëro Agollit pa lexuar). Emri i tij u bë legjendë, ndaj i referohen edhe sot e kësaj dite, kur ndonëse ka vite e dekada që ka ikur për në botën e përtejme, në bisedat mes miqsh, shpesh thuhet “Siç ka thënë Dine Doda…”!
KUSH ËSHTË ISLAM VOKA, THEMELUESI DHE DREJTUESI I GRUPIT

Grupi Folklorik Artistik “Dine Doda”, i shndërruar tashmë në një institucion interpretues dhe përçues të vlerave më të mira kulturore-artistike, me repertorin e tij mjaftë të larmishëm ka luajtur dhe luan rol edukativ për publikun, e veçanërisht për bezin e ri.
Dhe nëse ky grup është bërë i njohur për mijëra artdashs brenda e jashtë vendit, kjo i dedikohet parasëgjithash një emri të spikatur. Ai është poeti e studjuesi skurpuloz Islam Voka, themelues dhe drejtues i tij, i mirënjohur për përkushtimin, shpirtin artistik dhe talentin që ka shpalosur edhe si mbledhës dhe inskenues i valleve tradicionale, veshjeve koreografike si dhe melodive të pasura burimore të shumë brezave muhurrakë e më gjerë mbarëdibranë. Kësisoj Grupi Folklorik Artsitik “Dine Doda” është promovuesi i vlerave më të mira të kulturës sonë kombëtare, të cilat synon t’i pasurojë më tej në festivalet e takimet locale, kombëtare e ndërkombëtare gjatë vitit 2026 të saponisur në start të mbarë.
Islam Voka lindi në Muhurr më 2 Maj 1954. Kreu arsimin e mesëm bujqësor me bursë në Peshkopi në vitin 1973. Pas diplomimit si “agronom i mesëm” punoi për gjashtë vite me përkushtim si agronom në kooperativën bujqësore Muhurr, duke u bërë i pari model në shkallë rrethi për studimin agropedologjik të tokave e skicimin në harta, sistemimin me tarraca në shumë fshatra ku gjurmët duken dhe sot, si dhe drenazhimin e tokave.
Në vlerësim të talentit të tij si piktor, si mbledhës i folklorit dhe i përkushtuar ndaj punës me librin, në vitin 1983 e emërojnë metodist të Shtëpisë së Kulturës Muhurr. Në këtë funksion realizoi vepra me nivel të lartë figurativ e propagandistik, si dhe disa kompozime pllakatesh me vlerë. Në këtë fushë ai konkuronte denjësisht edhe piktorët profesionistë të institucioneve kulturore në qytetin e Peshkopisë.
Në vitin 1986 kreu edhe kursin një vjeçar pranë Shtëpisë Qëndrore të Krijimtarisë Popullore në Tiranë, ku mori dëshminë përkatëse.
Falë përvojës së tij, por dhe përgatitjes profesionale si metodist kulture, me mbështetjen e Baftjar Gazidedes, Hazbie Çikut e Fadil Dodës punoi për gjallërimin e jetës kulturore-artistike në Muhurr, ku në festivalet lokale e kombëtare u morën disa çmime dhe vlerësime artistike. Si të tillë mund të përmendim çmimin për vallen katërshe të grave të Muhurrit, për potpurinë e këngëve të dasmës, kënduar nga Fidaie Bushi dhe grupi; për vallen dyshe të burrave të kërcyer nga vëllezërit Gani e Hamit Rama, për këngën e dy rapsodëve të talentuar Fadil Doda e Agim Berisha, këngët e kënduara nga Antike Berisha, Burbuçe Çuni, Mimoza Hoxha etj.
Një kontribut shumë të vlefshëm dha Islam Voka në ngritjen e bibliotekës me afro 130 mijë tituj librash, të sistemuar model, me skeda e me rafte. Madje kjo punë e shkëlqyer, në vitin 1986 u përgjithësua në shkallë rrethi, saqë erdhën në Muhurr drejtues e veprimtarë të kulturës me 10 autobuzë për të njohur përvojën e tij në këtë drejtim.
Dhe ajo që ia rriti vlerën në këtë fushë Islam Vokës qe kontributi i tij në ngritjen e një muzeu bashkëkohor në Muhurr në vitin 1992, së bashku me Besnik Këbejin, Dine Sinën e Baftjar Gazideden, një muze me mjaft vlera historike, kulturore e etnografike të gjinive të ndryshme.
Prirjet e tij krijuese në letërsi, Islam Voka i dëshmoi në ndihmën për tekstin e këngës për Dine Hoxhën, me autor R. Këbejin, kënduar nga Can Budi më 1994.
Pas punës 13-vjeçare në shtëpinë e kulturës, afro 13 vite të tjera punoi si mësues në Hurdhë Muhurr, Muhurr, Sharakan e Vajmëdhej ku u dallua për metodën e tij të mësimdhënies për nxënës të moshave e niveleve të ndryshme, deri sa doli në pension.
Në fushën e krijimtarisë artistike ai njihet si poet i këngës dhe piktor mjaft i talentuar autodidakt. Prirjet në këtë fushë i shafqi që kur ishte nxënës në shkollën 8-vjeçare e të mesme, por veçanërisht shkëlqeu në vitet e mëvonshme.
Duke ndjekur rrugën e krijimtarisë, si piktor shëtitës në të gjitha fshatrat e zonës së Muhurrit, u njoh jo vetëm me bukuritë e natyrës, por edhe me temat historike të luftës për liri e pavarësi. Gjatë kësaj kohe ai realizoi një seri peisazhesh dhe galeri portretesh me tipa e karaktere lakmuese që rrallë i gjen. Pasioni pas peisazheve dhe portreteve ndikoi shumë në ngritjen e tij profesionale.
Gjatë kohës që ishte metodist në Shtëpinë e Kulturës ngriti kursin e vizatimit me nxënësit me prirje pikture. Edhe tani në pension, nuk i ndahet punës së tij krijuese në pikturë, si edhe me kameran e krijimin e videoklipeve interesantë.
Aktualisht ai drejton me talent e përkushtim të rrallë një nga grupet artistike më me emër në Dibër, e pse jo në gjithë Shqipërinë.







